
Në këtë kohë, Simeoni parashikoi gjithashtu, që Jisui do të jetë një “shenjë kundërshtimesh” dhe që ai do të shkaktojë “rënien dhe ngritjen e shumë vetëve në Izrael”. Ai, gjithashtu parashikoi vuajtjet e Marisë për shkak të birit të saj (Lluka 22: 34-35). Ana, gjithashtu ishte e pranishme dhe duke falenderuar Perëndinë “ajo u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre, që prisnin shpërblimin në Jerusalem” (Lluka 2:38). Në shërbesën e festës së Përhasjes së Zotit, theksohet fakti që Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, me anë të cilit u krijua bota, tani po mbahet si fëmijë në duart e Simeonit; i njëjti Bir i Perëndisë, Dhënësi i Ligjit, tani ai vetë po përmbush Ligjin, i mbajtur në krahë si një foshnje.
Prite atë, o Simeon, të cilin Moisiu në Malin e Sinait e shikoi në errësirë si Dhënësin e Ligjit. Prite atë si një foshnje tani që po i bindet Ligjit. Sepse për të folën Ligji dhe Profetët, i mishëruar për ne dhe për të shpëtuar njerëzimin. Ejani ta adhurojmë atë! Le të hapen sot dyert e qiejve, sepse Fjala e Përjetshme e Atit, pa e humbur hyjnishmërinë, u mishërua në kohë prej Virgjëreshës. Dhe si një foshnje dyzetë ditësh, ai sillet vullnetarisht nga nëna e tij në Tempull, sipas Ligjit. Dhe plaku Simeon e merr atë në krahët e tij dhe thërret: Tani përlëshoje me paqe shërbëtorin tënd, sepse sytë e mi panë shpëtimin Tënd, o Zot, që erdhe të shpëtosh njerëzimin, lavdi më Ty! (Vargje të Mbrëmësores së Festës).
Mbrëmësorja dhe Mëngjesorja e festës së Përhasjes së Zotit, janë të mbushura me himne të kësaj teme. Në Meshën Hyjnore vargjet nga kënga e Marisë formojnë paravargun dhe fjalët e Simeonit janë vargjet për Aliluiat. Këndimi i Ungjillit tregon Përhasjen (takimin), ndërsa këndimet prej Dhiatës së Vjetër në Mbrëmësoren, i referohen Ligjit të pastrimit në Levitikun, vizionit të Isaisë në Tempullin e Perëndisë së Tri-Shenjtë dhe dhuratës së fesë tek Egjiptianët, profetizuar nga Isaia, kur drita e Zotit do të jetë për të “ndriçuar Kombet” (Lluka 2:32).
Kremtimi i Përhasjes së Zotit, nga Kisha, nuk është thjesht një përkujtim historik. Të frymëzuar nga i njëjti Shpirt i Shenjtë, si Simeoni dhe të udhëhequr po nga i njëjti Shpirt në Kishën e Mesias, anëtarët e Kishës mund të pretendojnë “përhasjen” e tyre me Zotin dhe, gjithashtu mund të dëshmojnë, se edhe ata mund “të përlëshohen me paqe”, meqenëse sytë e tyre panë shpëtimin e Perëndisë në personin e Krishtit. Gëzohu o hirplote, Hyjlindëse Virgjëreshë, se prej teje ka lindur Dielli i Drejtësisë, Krishti Perëndia ynë, që ndrit në errësirë. Gëzohu dhe ti, o plak i drejtë, që prite në krahët e tu Shpërblenjësin e shpirtrave tanë, i cili na dhuroi Ngjalljen të gjithëve (Përlëshorja). Me lindjen Tënde, Ti shenjtërove gjirin e Virgjëreshës dhe bekove duart e Simeonit, O Krisht Perëndia ynë. Tani Ti erdhe dhe na shpëtove me anë të dashurisë. Falu paqe të gjithë të krishterëve orthodhoksë, O i vetmi Njeridashës (Shkurtorja). Eshtë zakon në shumë Kisha, që në këtë ditë të bekojnë qirinjtë.