
Synimi i kësaj veprimtarie ishte ripërtëritja dhe mbështetja shpirtërore dhe organizative e lidhjeve rinore të dioqezave. Ajo u bazua në tri nëntema qendrore: Gruri, Uji dhe Zjarri. Një nga objektivat ishte edhe krijimi i një modeli trajnimi, i cili mund të zbatohet lehtë në famullinë (enorinë) e çdonjërit nga pjesëmarrësit, të ndihmuar për këtë edhe nga Zyra e Rinisë Orthodhokse të Kryepiskopatës.
Përveç referateve, programi i larmishëm përfshinte edhe diskutime në grupe të vogla, shërbesa adhuruese në kishë, gatime të grurit dhe bukës së meshës, njohje të veprimtarisë rinore në secilën dioqezë, film artistik edukativ, skeçe e dramatizime të përgatitura nga vetë të rinjtë pjesëmarrës etj.
Ky program iu ofrua të rinjve të krishterë, që të përpiqen për të bërë një ndryshim cilësor në jetën e tyre, për të ndarë me të tjerët Dashurinë e Jisu Krishtit dhe për të ofruar çfarë kanë atyre që janë në nevojë. Privimi nga ngrënia e ushqimeve rriti ndërgjegjësimin e të rinjve orthodhoksë ndaj nevojave të atyre personave që kanë uri dhe nxiti kontributin e drejtpërdrejt material të të rinjve në ndihmë të nevojtarëve. Kjo përpjekje në të cilën kaluan pjesëmarrësit i ndihmoi ata të mblidhen së bashku dhe t’i shtrojnë vetes pyetjen: “Nga se varet vërtetë jeta ime? Vetëm nga ushqimi apo edhe nga fjala e Perëndisë? A mund të qëndrojmë indiferentë ndaj nevojave dhe urisë të atyre që na rrethojnë?”
Dhjak Stefan Ritsi







