Më pas skenën do ta “pushtonin” të rinjtë orthodhoksë, me grupet e tyre të himneve bizantine, këngës së lehtë të krishterë, asaj popullore dhe të valleve. Publiku duartrokiti Korin “Shën Joan Kukuzeli”, me studentë të Shkollës së Muzikës Bizantine, Tiranë, nën drejtimin e Theodhor Peci. Korin “Shën Joan Damaskini”, përbërë nga studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit, Shën Vlash – Durrës” dhe nxënës të Liceut kishtar “Kryqi i Nderuar”, Sukth – Durrës – nën drejtimin e Harallamb Tereziu. U vlerësuan dhe morën duartrokitje edhe kori i të rinjve të Beratit, nën drejtimin e Agron Gjyzarit , Kori i shkollës Shqiptaro-Amerikane “Protagonistët”, Tiranë, nën drejtimin e znj. Agi Nano, grupi artistik i vajzave te konviktit “Trëndafili i pafishkur”, Bularat, Gjirokastër, grupi artistik i të rinjve orthodhoksë të Korçës dhe orkestrina popullore e Qendrës shpirtërore “Ngjallja e Krishtit”, Këlcyrë – nën drejtimin e Atë Romano Tralos. Shfaqja pastaj ia la vendin valleve të hareshme të grupit të Gjinarit, krahina e Shpatit dhe grupit artistik të fëmijëve të Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës, Shën Vlash – Durrës. Më pas shfaqja vijoi me Korin dhe Orkestrinën e Radios “Ngjallja”, Tiranë, nën drejtimin znj. Joli Goro dhe pjesën “Dedikim”, krijuar dhe interpretuar nga Kristian Koroveshi .
Shfaqja u mbyll me dy filma dokumentarë që u ndoqën me shumë interes nga të pranishmit: “Faza nga ndërtimi i Katedrales së re “Ngjallja e Krishtit” dhe “Çaste nga ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”.
Në fund të rinjtë i përshëndeti Patriarku Ekumenik Vartholomeu dhe Kryepiskopi Anastas.







