Ndërroi jetë, Kryetari i parë i Këshillave Kishtare pas monizmit, z Sotir Bambulla!

SOTIR BAMBULLA

Sotir Bambulla është lindur në Boboshticë të Korçës më 13.03.1930 në një familje të vjetër boboshtare. Atje ai u rrit në një ambient ku besimi orthodhoks frymëzonte dhe përjetohej në çdo moment të jetës familjare. Po ashtu dhe fshati ku ai u rrit kishte një mënyrë jetese të theksuar orthodhokse dhe kjo dukej më së miri nga 13 kishat dhe 3 manastiret që kishte ky fshat. Komuniteti funksiononte dhe mbështetej mbi rregulla që frymëzoheshin nga besimi i tyre i thellë orthodhoks.
Ai studioi për Matematikë Fizikë në Institutin e Tiranës. Kontribuoi si mësues në të gjithë zonën e Korçës duke arritur rezultate të larta me klasat që punoi, pavarësisht vështirësive të kohës. Ishte i lidhur thellë me artin dhe kulturën. Shkroi disa vepra teatrale të cilat u vendosën në skenë në kohën e monizmit dhe në të cilat shpesh herë kishte mesazhe të fshehura në lidhje me besimin tek Zoti.
Në vitin 1990 menjëherë pas vendimit të qeverisë për lirinë e fesë hapi Kishën e Fjetjes së Hyjlindëses në fshatin e tij Boboshticë, i ra kambanës së fshatit dhe me besim të plotë tek Zoti, kreu me sukses organizimin e këshillave kishtarë në të gjitha qytetet e Shqipërisë me qëllim krijimin e një organizimi minimal, i cili do të ndihmonte Kryepiskopin Anastas që të fillonte veprën e tij gjigante.
Në 17 03 1991 në mbledhjen e përgjithshme të Këshillave Kishtarë u zgjodh Kryetar i Këshillave Kishtarë të të gjithë Shqipërisë detyrë të cilën e dorëzoi me ardhjen e Kryepiskopit Anastas në Shqipëri.
Që prej atëhere u përqëndrua në mirëmbajtjen dhe rimëkëmbjen e kishave të fshatit. Kryepiskopin Anastas e donte dhe e vlerësonte shumë, po ashtu dhe Mitropolitin e Korçës Hirësinë e tij imzot Joanin ku shpesh mbështetej duke i shprehur mendimet e tij me gojë e me shkrim.
Fjeti më 24 06 2019 ditën e Shën Joan Pararendësit. Në ceremoninë mortore ishte prezent dhe Hirësia e Tij imzot Joani i cili në fjalën e tij, ndër të tjera, tha:
“Sot do t’i japim përshëndoshjen e fundit, mikut të dashur dhe njeriut që ka kontribuar jashtëzakonisht që në fillimet e para për hapjen e Kishës. Padyshim që ne dëshpërohemi kur humbasim një njeri të dashur. Por, mbani gjithmonë në mendje fjalët e apostullit të sotëm “se ne nuk dëshpërohemi si ata që nuk kanë shpresë”, sepse ne besojmë se tek Perëndia nuk ka të vdekur….. Ky është besimi ynë. Nëse Zoti nuk do ta kishte mundur vdekjen nuk do të kishte krishtërim. Nëse nuk besojmë se Zoti u ngjall, dhe nëse nuk besojmë në ngjalljen e të gjithëve, përsëri nuk jemi të Krishterë.
Prandaj shpresojmë dhe lutemi që shpirti i shërbëtorit të Perëndisë që u largua prej nesh të qëndrojë në një vend të freskët, në një vend blerimi, në një vend ku nuk ka as dhimbje as psherëtimë, ashtu siç thotë dhe shërbesa e sotme.
Sot, i japim përshëndoshjen e fundit Z. Sotir me nderim dhe mirënjohje, sepse kontributi i atyre që ishin para nesh, është shumë i rëndësishëm dhe gjithmonë duhet t’i kujtojmë njerëzit që kanë dhënë një kontribut. Ne e falenderojmë Zotin për gjithçka që ka bërë për ne. Por, falenderojmë edhe të gjithë njerëzit, nëpërmjet të cilëve Ai bëri të mundur ringritjen e Kishës.
Në këtë ditë, me hidhërim të madh, por edhe me nderim për punën e devotshme që ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve, lutemi që Perëndia ta ndiejë shpirtin e tij dhe ju të gjithë të rroni e ta kujtoni. Ju shpreh gjithashtu ngushëllimet e Kryepiskopit Anastas, i cili e donte dhe e nderonte shumë Sotirin dhe vazhdimisht e ka përmendur.
Edhe një herë Perëndia ta ndiejë dhe ju të rroni e ta kujtoni”.
I Përjetshëm Kujtimi i tij.

Author: Admin2