E DIELA E ETËRVE TE SINODIT TE KATËRT EKUMENIK.    (Matth. 5;14-19)

Vëllezër dhe motra më Krishtin. Sot Kisha jonë feston dhe nderon kujtimin e shenjtë të etërve tanë hyjprurës, të Sinodit të katërt Ekumenik. Kisha, gjithmonë gjatë histories së saj është përballur me probleme të shumta, edhe sot vazhdon të përballet. Por, sado e madhe të jetë stuhia, Zoti që ne besojmë është mbi stuhinë dhe sprova e besimit e tejkalojnë stuhinë. Gjatë shekujve të parë të krishterimit, Kisha u përball me probleme dhe vështirësi të mëdha. Fillimisht kaloi në një periudhë të gjatë përndjekjesh dhe persekutimesh të frikshme, afro 300 vjeçare. Dhe megjithatë, Kisha qëndroi besnike e besimit të saj, ndonëse u desh dëshmia e mijra dhe mijra martirëve, që dhanë jetën e tyre për të mbrojtur atë që ata besonin. Por, edhe më pas, kur përndjejkjet ishin fashitur dhe filloi një normalitet, Kisha përsëri u përball me probleme të tjera. Njerëz të ndryshëm brenda Kishës, të ndikuar edhe nga filozofitë dhe idetë e kohës, kishin filluar të mësonin dhe predikonin mësime fetare të gabuara dhe të dyshimta nga ana teologjike dhe doktrinore.

Por, çfarë ishin këto mësime, që në gjuhën kishtare quhen herezi. Klerikë të ndryshëm, zhvilluan teori dhe formula besimi, të cilat kundërshtonin ndërgjegjen fetare të Kishës dhe atë që Kisha besonte, të cilat cënonin dhe deformonin edhe vetë Ungjillin. Herezi të tilla si Arjanizmi, Apolinarizmi, Nestorianizmi etj. Sinodi i Katërt Ekumenik u përball me herezinë e monofizitizmit, e cila mohonte natyrën njerëzore të Krishtit, e cila lidhet me mishërimin e Tij, por edhe me shpëtimin tonë. Sinodi i Katërt Ekumenik, u mblodh në Kalqedonën e Vithinisë në vitin 451 dhe ku morën pjesë 630 etër dhe peshkopë të kishës, të cilët dënuan Eftiqin kreun e herezisë monofizitiste së bashku me pasuesit e tij. Por çfarë mësonte kjo herezi. Pasuesit dhe themeluesit e saj pretendonin se natyra njerëzore e Krishtit u përthith nga natyra hyjnore dhe se Krishti kishte vetëm një natyrë, atë hyjnore. Kështu etrit e Kishës të mbledhur në sinod artikuluan dhe formuluan qartë atë çka Kisha besonte dhe atë çka ishte ndërgjegjia e saj, e cila buron nga Tradita dhe Shkrimi i Shenjtë, si edhe nga përvoja dhe përjetimi adhurues i Kishës si trup mistik i Krishtit. Sinodi i Katërt Ekumenik u shpreh, se Kisha beson tek një dhe i njëjti Krisht, tek i cili pas mishërimit gjenden dy natyra ajo hyjnore dhe ajo njerëzorë, të papërziera, të pandryshuara dhe të pandara dhe se Krishti është Perëndi i vërtetë dhe njeri i vërtetë.

Shpeshherë, në ditët e sotme, këto përplasje teologjike duken si gjëra të largëta edhe pa shumë kuptim. Por dogmat qartësojnë zbulesën, sepse Krishti vepron mbi ne, me të gjithë dashurinë e tij, si realitet hyj-njerëzor i përsosur. Kështu pra, vetë Krishti është dogma e gjallë dhe shpëtimtare e Kishës. Por çfarë deviacioni teologjik panë etrit e kishës tek ky mësim? Çdo të thotë që natyra njerëzore e Krishtit u tret brenda hyjniores? Kisha beson që Krishti mori natyrën tonë për ta shpëtuar edhe shenjtëruar dhe ky proces ndodhi me anës e Krishtit të mishëruar. Krijuesi i gjithësisë mori trupin tim edhe tuajin dhe e ngjiti atë përjetësisht në të dhjathtë të Perëndisë Atë, jo thjesht nga pikpamia fizike, si situate, por si një realitet, si krijesë e re, si një aksion tërësor dhe hyjnizues të natyrës dhe sonë në të gjitha, duke na bërë përsëri banorë të qiellit dhe të Edenit të humbur. E nëse tek Krishti natyra hyjnore u tret apo u pëthith nga hyjnorja do të thotë që procesi shenjtërues dhe hyjnizues i natyrës njerëzore në vazhdimësi u ndërpre. Do të thotë që pjesëmarrja jonë në Krishtin Jisu si fillimi dhe plotësimi i së tërës nuk është i mundur, sepse natyra njerëzore e hyjnizuar dhe e shenjtëruar nuk ekziston më si e tillë, dhe si rrjedhojë ardhja e Krishtit si njeri dhe gjithë procesi shenjtërues i tij zhvlerësohen dhe gjithë doktrina e humbet kuptimin. Se nëse Kishti nuk erdhi të na shpëtojë atëhere përse e gjithë kjo. Cënimi i të vërtetave teologjike të Kishës, janë në thelb cënim i shpëtimit të njeriut. Në pikpamjen orthodhokse, nëse një doktrinë nuk shpëton ajo nuk mund të jetë e dobishme. Ndoshta një doktrinë e tillë mund të kënaqë ndjesitë moraliste dhe intelektuale të njeriut, por nëse nuk na shpëton nuk vlen për asgjë. Ardhja e Krishtit në mish dhe gjithçka tjetër marrin vlerë reale për ne vetëm nëse kanë vlerë sotiriologjike.

Etrit e Kishës ruajtën me forcë dhe sakrifica këto mësime sepse ata e dini shumë mirë, se lidhja midis doktrinës dhe jetës së Kishës është një binom i pandarë. Kisha njeh nga eksperienca e saj spirituale, se deviacioni doktrinor, sjell dhe deviacionin përjetues dhe shpirtëror të besimtarëve, që në analizë përfunditare ka të bëjë me shpëtimin e njeriut. Dhe ky shpëtim dhe kjo vepër sotiriologjike mund të realizohet vetëm brenda kishës me anën e Krishtit Jisu si Shpëtimtar. Asgjë tjetër nuk mund ta shërojë shpirtin e njeriut përveçse Zotit. Vetëm mësimi i krishtit mund ta përmbushë dhe t’i japë kuptim njeriut dhe jetës së tij. Sikundër, vetëm Krishti ngjall, ashtu dhe vetëm mësimi i tij ngjall. Një rrugë e gabuar jo vetëm që nuk mund të na çojë në destinacion e dëshiruar, por mund të rezultojë fatale. Kështu edhe aplikimi i një doktrine të gabuar, nuk mund ta orjentojë dot jetën e besimtarit drejt shpëtimit. Gjithçka që ka të bëjë me Krishtin, ka të bëjë me shërimin shpirtëror të njeriut dhe kthimin e tij, në Mbretërinë e Qiejve.  Ne të gjithë i përngjasojmë të sëmurit, sepse të gjithë vuajmë nga një sëmundje e rëndë shpirtërore, lënduese dhe vetëshkatërruese, që është mëkati, i cili me fjalë më të kuptueshme do të thotë gjymtim i natyrë sonë njerëzore. Ajo që ne njohim si natyra jonë, nuk është natyra jonë e vërtetë, por natyra jonë e gjymtuar dhe e rënë. Ardhja e Krishtit në mish si njeri, duke marrë natyrën tonë, si edhe gjithë përpjekja e Kishës konsiston në reabilitimin e këtij gjymtimi dhe kthimin në natyrën tonë të vërtetë, të cilën e kemi humbur për shkak të mëkatit. Pasi vetëm nëpërmjet Krishtit të mishëruar, njeriu mund të bëhet njeri i plotë. Pikërisht ky është dhe restaurimi që Zoti i bëri natyrës njerëzore duke e marrë dhe duke e bërë të vetën. Krishti si njeri i plotë e mori natyrën tonë nga gjendja jashtë natyre duke e kthyer në gjendjen e saj natyrale. Kjo është arsyeja përse Zoti u bë njeri, për të bërë të mundur restaurimin e ikonës njerëzore. Gjithçka që Kisha i ofron komunitetit adhurues të saj, që janë të pagëzuarit, ka si qëllim projektimin eskatologjik të besimtarëve në Mbretërinë e Perëndisë, si gjymtyrë të lavdëruara të Krishtit.

Etrit e Kishës e kishin kuptuar drejt këtë fakt, prandaj edhe këmbëngulën fort tek e vërteta, sepse vetëm e vërteta shpëton dhe kjo e vërtetë në Kishë nuk është një ide utopike por një person konkret, i cili, është Krishti i mishëruar. Etrit e Sinodit të Katër Ekumenik, që kujtojmë sot e mbrojtën me force, atë që ata besonin, sikundër Zoti e kishte zbuluar dhe sikundër Kisha e besonte, jo vetëm si teori, por si një përjetim të gjallë të udhëtimit të tyre adhurues në Zotin dhe me Zotin. Sepse, besimi si formë intelektuale nuk mjafton, ai plotësohet dhe merr kuptim vetëm brenda përjetimit, kur shndërrohet në frymëmarrje dhe mënyrë jetese. Çdo orthodoks, çdo i krishterë duhet ta nohë doktrinën e tij, se çfarë ai beson, sepse është e vështirë ti zbatojë urdhërimet e Kishës dhe porositë morale të saj, nëse nuk do e mbështeten tek doktrina.

Në këtë të dielë ditën e përkujtimit të kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme teologjike për jetën e saj, Kisha ka vendosur të këndojë një pjesë nga ungjilli i Mattheut, e cila njihet me emrin si Predikimi në Mal. Zoti iu drejtohet nxënësve të tij dhe iu thotë: “Ju jeni drita e botës”. Ashtu si Zoti është drita e vërtetë dhe e vetme, na kërkon që edhe ne të bëhemi dritë, duke e transmetuar edhe tek të tjerët këtë dritë, sikuse ajo u shfaq në Fjalën e mishëruar. Të qënit i krishterë nuk mbaron me përpjekjen tonë për të shpëtuar veten tonë, por është njëkohësisht një dëshmi për të ndriçuar edhe botën rreth nesh me dritën e Krishtit. Sepse kujdo që i është dhënë kjo dritë, i është dhënë që ta përhapë dhe ta ndajë me të tjerët. Etrit e Kishës e bënë këtë gjë, ata, jo vetëm e mbrojtën pa kompromis, por edhe e shpallën pa frikë dhe ndrojte atë që besonin, duke ndjerë përgjegjësinë se ajo dritë, të cilën Zoti u kishte besuar atyre nuk mund të ishte vetëm për ata, por për gjithë botën.

Në kalvarin e përpjekjeve për të ruajtur të vërtetën Kisha ka qenë një dëshmi e pandërprerë, që nuk buron nga fjalët, por nga përjetimi dhe reflektimi i besimit në jetën e saj të përditëshme. Sot në këtë ditë, kur kujtojmë etrit e shenjtë të Sinodit të katërt Ekumenik kuptojmë se ata të ndriçuar nga kjo dritë, u bënë edhe ata vetë dritë për botën. Kisha është i vetmi vend ku kjo dritë ruhet e pa pikëluar dhe e pa përlyer nga çdo herezi dhe kakodhoksi dhe i vetmi vend, që mund ta transmetojë tek ne këtë dritë, me anë të jetës së saj adhuruese dhe sakramentale. Koha, në të cilën ne jetojmë, më shumë se çdo gjë tjetër, na ofron errësirë, për këtë arsye prezenca e dritës së Krishtit është një nevojë dhe një domosdoshmëri, si i vetmi monopat i ndriçuar, për të ecur të sigurt dhe me paqe. Le të vijmë sa më pranë kësaj drite duke ndriçuar kështu veten tonë, por edhe të tjerë, sepse kjo është e vetmja dritë, që mund ta plotësojë dhe ta përmbushë njeriun, duke i dhënë atij personalitet dhe dinjitet dhe duke e bërë atë të lirë në Krishtin Jisu, i cili është drita e botës, rruga, e vërteta dhe jeta.

Dhe le t’i lutemi Zotit, që të na bëjë Bij të Dritës. Amin.

Atë Mihal Sanellari.

Author: Admin2