Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave (WCC) shpreh shqetësimin mbi Censusin në Shqipëri

    Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave (WCC) Rev Dr Olav Fykse Tveit ka shprehur shqetësim mbi metodologjinë dhe rezultatet e Censusit të 2011-tës në Shqipëri. Ai ka ngritur pyetje në lidhje me besueshmërinë e procesit i cili, tha ai, ka implikime për të drejtat e pakicave fetare dhe lirive fetare të garantuara në kushtetutën e vendit.
   Tveit shprehu këtë shqetësim në letrat e dërguara në fillim të muajit maj (2013) te Presidenti i WCC, Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Kryepiskopi Anastas, te Prof Dr Bielefeldt Heiner, Raportuesi Special mbi Lirinë Fetare apo Besimin në Kombet e Bashkuara dhe te Qeveria Shqiptare. 
   Raporti i fundit zyrtar i Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT) në lidhje me identitetin fetar të popullsisë në Regjistrimin e 2011-tës, censusi kombëtar konkludon se të krishterët orthodhoksë në Shqipëri përbëjnë 6.75% të popullatës dhe se numri i përgjithshëm i të krishterëve është reduktuar në mënyrë drastike nga 31% në 17%.
   Duke pasuar këto rezultate Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqiperisë shpërndau një pyetësor në lidhje me censusin tek pjesëmarrësit orthodhokse në liturgjitë që u mbajtën në Tiranë, Durrës, Berat, Korçë, Vlorë dhe në qytete të tjera. Rezultatet e këtij studimi tregojnë mundësinë e parregullsive serioze në metodologji dhe rezultatet përfundimtare të të dhënave të qeverisë.
    Tveit kujtoi rolin e rëndësishëm të komuniteteve fetare në përpjekjet kolektive për të rindërtuar vendin pas vështirësive të regjimit të mëparshëm. Ai tha se veprime të tilla mund të minojnë ekzistencën e komuniteteve të krishtera dhe praktikën e papenguar të lirisë fetare në vend.
   Tveit i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të ushtrojë përpjekjet maksimale, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në mënyrë që të garantojë mbrojtjen e plotë dhe promovimin e lirisë fetare në vend për të krishterët dhe pasuesit e të gjitha besimeve të tjera.
Lexo letrën Sekretarit të përgjithshëm të Këshillit Botëror të Kishave (WCC) –  anglisht
____________________________________________________
    1 Maj, 2013, Gjenevë

Prof Dr Heiner Bielefeldt,
Raportues Special mbi Lirinë Fetare apo Besimin
Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara

Shkëlqesia Juaj,
Me mirësi pranoni urimet e mia të përzemërta!
Këshilli Botëror i Kishave do të donte të shprehte shqetësimin e saj mbi metodologjinë e ndjekur dhe besueshmërinë e rezultateve të Censusit 2011 në Shqipëri, në lidhje me pyetjen opsionale të përkatësisë fetare. Raporti i fundit zyrtar i INSTAT-it, në lidhje me identitetin fetar të popullsisë nga Censusi 2011 deklaron se të krishterët orthodhoksë në Shqipëri janë 6.75% dhe se numri i përgjithshëm i të krishterëve është reduktuar në mënyrë drastike nga 31% në 17%.
Restaurimi i jetës fetare në të gjitha komunitetet tradicionale fetare dhe sidomos lulëzimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në vitet pas ardhjes së demokracisë në vitin 1991, pas një persekutimi të gjatë antifetar, është mjaft i dukshëm në të gjithë vendin. Kisha Orthodhokse posedon evidenca (regjistrat e pagëzimit para dhe pas persekutimit, dhe regjistrat e 460 famullive orthodhokse në të gjithë vendin) se numri i të krishterëve orthodhoksë në Shqipëri e kalon 24% të popullsisë.
Duke pasuar rezultatet e Censusit, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë shpërndau një pyetësor lidhur me Censusin e Popullsisë tek pjesëmarrësit orthodhoksë në liturgjitë që u mbajtën gjatë dy të dielave, 9 dhe 16 dhjetor 2012, në Tiranë, Durrës, Berat, Korçë, Vlorë, dhe në qytete të tjera. Rezultatet ishin shqetësuese: 7118 persona plotësuan pyetësorin i cili përfshinte emrat, mbiemrat dhe adresën e tyre. Prej këtyre vetëm 2469 persona ose 34,68% deklaruan se  u vizituan dhe u pyetën për përkatësinë e tyre fetare gjatë Censusit; 4.643 persona ose 65,23% nuk u vizituan fare ose atëherë kur u vizituan nuk u pyetën mbi përkatësinë fetare nga regjistruesit e Censusit; 56 persona deklaruan se regjistruesit i shënuan të dhënat me laps ose jo në formularin zyrtar dhe për më tepër 11 persona dëshmuan se regjistruesit refuzonin të shënonin përkatësinë fetare ose e shënuan atë vetëm pas shumë këmbënguljeve. Për më tepër, ata kanë dëshmi se në një numër të madh rastesh qytetarët nuk u kërkuan të firmosnin formularin e Censusit dhe se të dhënat shkruheshin në një fletore dhe jo në formularin zyrtar ashtu siç e kërkon procedura. Rezultatet e këtij pyetësori tregojnë se në 65% të rasteve ka pasur parregullsi në regjistrimin e bërë në lidhje me përkatësinë fetare.
Vlen të theksohet se në bazë të Këshillit të Evropës (“Opinioni i Tretë i Këshillit të Evropës për Shqipërinë miratuar më 23.11.2011,”) regjistrimi i popullsisë “nuk mund të konsiderohet të jetë i besueshëm dhe i saktë, ngre çështjet e përputhshmërisë me parimet e sanksionuara në nenin 3 të Konventës për mbrojtjen e pakicave kombëtare … “.
Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e fesë apo besimit. Neni 3 ngarkon shtetin në sigurimin e bashkëjetesës fetare. Neni 20 rithekson mbrojtjen e të drejtave fetare dhe lirive për pakicat. Për më tepër, Shqipëria është një nënshkruese e instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut duke garantuar lirinë e fesë apo besimit.
Duke pasur besim të plotë në punën tuaj për respektimin, mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së fesë apo besimit rreth botës, ne ju bëjmë thirrje, Prof Dr Bielefeld, të përdorni zyrat tuaja të mira për të siguruar se liria e fesë apo e besimit për të gjithë qytetarët e Shqipërisë respektohet plotësisht.
Sinqerisht juaji,
Rev Dr Olav Fykse Tveit
Sekretari i Përgjithshëm
Letra të ngjashme janë dërguar te Presidenti i WCC, Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Kryepiskopi Anastas, te Filloreta Kodra, ambasadorja shqiptare në Kombet e Bashkuara.

Author: admin