Jetëshkrimi i tij gjendet kryesisht në librin e Mbretërve III, kap.17-20 dhe Mbretërve IV, 1-2. U lind në fshatin e Cisjordanisë, dhe veproi kryesisht në kohën e mbretit Ahaav 873-854 para Kr.). Ky mbret i Izraelit verior ishte martuar me princeshën idhujtare Jezavel, e cila vrau profetët, përndoqi besimtarët dhe imponoi adhurimin e Vaalit. Kështu, Ilia ose Iliu (hebraisht = Perëndia im është Zoti), me zellin e zjarrtë për të Lartin, i parathotë për një shkatërrim trevjeçar nga thatësira. Më pas ai shkon në shkretëtirë, ku e ushqejnë korbat dhe më vonë shkon në Sarepta, në shtëpinë e një vejushe mikpritëse, Sarafthia (të Dielën e Paraetërve – para Krishtlindjeve). Pra, gjatë thatësirës dhe urisë trevjeçare, i Larti i thotë që të shkonte të banonte pranë vejushës Sarafthia, domethënë që banonte në qytetin bregdetar Sarepta të Sidonit në Fenikë, në veri të Palestinës. Ajo do ta ushqente me porosi nga lart. Dhe vërtet, në portat e qytetit e sheh gruan duke mbledhur dru. I thërret që t’i jepte ujë për të pirë. Duke shkuar për t’i sjellë ujë, ai i kërkon edhe bukë. Ajo, në vend që të zemërohej me hebreun kërkues, betohet se ka grushtin e fundit të miellit në magje dhe pak vaj në enë. Me drutë e holla do të piqte një bukë për të ngrënë me fëmijët e saj. Më pas do të kishin përsëri uri dhe do të vdisnin nga uria. Por ai i jep kurajo. Le të gatuante më parë një bukë të vogël për të, pastaj për familjen e saj, sepse Zoti premtoi që të mos shteronin dy enët, derisa të binte shi përsëri. Dhe kështu u bë! Më pas, i sëmuret rëndë i biri derisa dha shpirt… E ëma e brengosur iu ankua: “O njeri i Perëndisë, erdhe në shtëpinë time dhe i Gjithëpushtetshmi e vuri re dhe kujtoi mëkatet e mia dhe vrau frytin tim”. Shenjti ia mori nga prehri, u ngjit në dhomën e rregulluar mirë që i kishte lëshuar, e shtriu në krevatin e vet dhe u lut me zjarr. Më pas fryu tri herë dhe u lut që të ringjallej. Fëmija thirri! E zbriti poshtë dhe ia dha nënës së tij duke thënë: “Ja, yt bir është gjallë!”. Ajo e mahnitur tha: “Tani u binda plotësisht që ti je i dërguari i Perëndisë!” . Gojarti i shenjtë (13 nëntor) e lumuron gruan si më të lartë në lëmoshë dhe në mikpritje se sa Abrahami që ishte shumë i pasur (9 tetor), sepse përveçse që ishte e varfër, ishte prej kombi tjetër, e ve, me fëmijë, ndërsa Thesviti ishte i huaj. Pas tre vjetësh (rreth vitit 857), profeti turpëroi publikisht në malin Karmel katërqind profetët e Vaalit: Lutet dhe arrin të bëjë atë që nuk mund të arrinin pseudoprofetët. Pra, zjarr bie nga qielli dhe djeg flinë e tij. Populli i entuziazmuar besoi tek Perëndia e Thesvitit, të katërqindët vriten dhe profeti lajmëron ardhjen e shiut, që vërtet erdhi. Duke iu larguar inatit të mbretëreshës Jezavel, fuqizohet nga ushqimi që i sollën engjëjt, dhe pas dyzet ditë rruge dhe pa ngrënë arrin në Malin e Sinait. Aty i shfaqet Jahveu, si një fëshfëritje flladi. I paratha për fundin tragjik të Ahaavit dhe Jezavelës, e cila kishte vënë njerëz që të shpifnin dhe kështu të ekzekutonin dikë, me qëllim që vreshti i tij t’i kalonte bashkëshortit të saj, gjë që u bë. Ai dogji me zjarr qiellor dy regjimente me pesëdhjetë ushtarë secili me tendenca armiqësore. Thau tej për tej ujërat e lumit Jordan, dhe në kohën e mbretit Joram (853-842) u ngjit në qiell mbi një qerre të zjarrtë. U shfaq pranë Krishtit gjatë Metamorfozës së Tij (Mat.17.1-9 etj.). Gjithashtu, ai ka qenë protipoza e Pararendësit (7 janar) në jetën eremite, në veshjen me rroba të ashpra dhe në predikimin për pendesë. Nxënës i tij ishte profet Eliseu (14 qershor), ndërsa Malakia 4.4 dhe Mat.17.10-13 i referohen shfaqjes së tij para Ardhjes së Parë dhe asaj të Dytë të Krishtit.