Më ngadalë ju, z. Xhufi! – Nga Ikonom Spiro Katundi

-Replikë-
Më ngadalë ju, z. Xhufi!
Nga Ikonom Spiro Katundi
Botuar në Gazeta Shqiptare, e mërkurë 25 shtator 2013.
    Ndonëse nuk e kisha përmendur emrin tuaj, ju u përgjigjët duke replikuar ndaj shkrimit tim. Megjithëse në replikën tuaj, nuk pashë ndonjë replikë të vërtetë, ndjehem i detyruar të përgjigjem. Të them të drejtën, jo për t’ju sqaruar juve, por më tepër opinionin publik, në lidhje me disa çështje, të cilat ju dhe disa të tjerë jeni përpjekur t’i deformoni dhe të keqinformoni. Nuk kërkon ndonjë mençuri të madhe për të kuptuar që të gjitha këto shpifje dhe denigrime, që bëni kundër Kishës Orthodhokse dhe kundër Kryepiskopit të saj, bëhen nga keqdashja juaj ndaj kësaj Kishe. Dhe për më tepër, merrni rolin për të shpjeguar disa çështje, për të cilat, siç del edhe nga përgjigjet tuaja, nuk keni as njohuritë fillestare.
    Nuk është e ndershme të mashtrohet opinioni publik me shpjegime të bëra nga dikush që përpiqet të jetë “specialist” në çdo gjë, sidomos në çështjet teologjike dhe kanonike. Shkruanit në replikën tuaj, me sarkazëm dhe tallje, për një vendim të Sinodit të Nikesë, një Sinod i respektuar nga të gjitha Kishat se: “Dikur, në shek. IV, bota e krishterë u kërlesh dhe u përgjak rreth debatit mbi natyrën e Krishtit: a ishte ai njëri, apo ishte perëndi? Në Koncilin e Nikesë (325), teologët i dhanë kënd të shpikin formulën pajtuese, sipas së cilës Krishti nuk ishte “perëndi”, por ishte gatuar me të njëjtën “substancë” që ishte gatuar edhe vetë Zoti (omoiousia). Nëse kokat e mendimit të krishterë u treguan aq të kursyer me Jezu Krishtin, kur ky ishte martirizuar tashmë për njerëzimin e nuk jetonte më, ku e gjen bazën doktrinore ikonom Spirua për ta shpallur Hirësinë e tij, ende në të gjallë e në krye të punëve të dyshimta, si “mishërim të Zotit në tokën shqiptare”?
    Edhe nxënësi më i papërgatitur i teologjisë e di se ai Sinod formuloi të kundërtën e asaj që thoni ju. Vendimi bazë i këtij Sinodi ishte pikërisht shpallja se Krishti ishte Perëndi i plotë dhe njeri i plotë. Këtë besojnë të krishterët. Madje ishte herezia e Ariosit ajo që deklaronte se Krishti nuk është “perëndi”. Nëse ju doni të riaktivizoni herezinë e Ariosit, jeni i lirë për ta mbështetur hapur atë, por jo të shtrembëroni të vërtetën.
    Termi që formuloi Sinodi i Nikesë nuk ishte ai që thoni ju. Ky Sinod formuloi termin omoousia (që përkthehet në shqip -i bashkëqenshëm- ose -që ka të qenët një), siç thuhet edhe në Simbolin e Besimit të Sinodit të Nikesë. Ndërsa termi omoiousia, për të cilin gabimisht thoni se u formulua nga Sinodi i Nikesë, për të përcaktuar natyrën e Krishtit, ishte në fakt termi që u formulua nga heretikët Semi-Arianë dhe që u kundërshtua nga Orthodhoksët. Është tashmë e njohur për të gjithë ata që kanë studiuar teologji se termat omoiousia dhe omoousia kanë ndryshim substancial. Një iota bën një diferencë të madhe.
    I kërkojmë ndjesë lexuesit për zgjatjen në këtë term, por qëllimi këtu nuk është për të bërë debat teologjik, sepse nuk mund të bëhet debat teologjik me ndonjë që nuk është teolog, por për të bërë të qartë se si të vetëquajturit “specialistë” të çështjeve teologjike, kanonike dhe kishtare mashtrojnë opinionin publik, kur përpiqen të shpjegojnë gjëra, që ata vetë nuk i dinë. Madje nëse ju z.Xhufi po të ishit realisht i interesuar për t’i ditur këto gjëra, nuk do ishte nevoja të studionit teologji, por do të mjaftonte të klikonit në Wikipedia dhe do të lexonit se çfarë ka vendosur Sinodi i Nikesë.
    Shkruani se Kryepiskopi nuk u zgjodh në mënyrë kanonike dhe filloni e hyni në interpretime dhe citime për të cilat nuk keni dijenitë e duhura. Ndonëse është qartësuar shumë herë nga Kisha jonë për pasaktësitë historike të këtyre akuzave dhe të mosnjohjes së institucioneve kishtare dhe të drejtës kanonike, nga këta persona, të cilët i bëjnë këto akuza, përsëri ia vlen që për hir të sqarimit të opinionit publik, të përsëriten.
    Zgjedhja e Kryepiskopit u konsiderua nga të gjithë kanonistët e të gjitha Kishave Orthodhokse e rregullt dhe sipas kanoneve në fuqi të Orthodhoksisë. Të gjithë Primatët e të gjitha Kishave Orthodhokse në botë e konfirmuan këtë zgjedhje dhe këtë fronëzim si të rregullt nga ana kanonike. Pra, si ka mundësi që qindra teologë dhe kanonistë të shquar në të gjithë botën Orthodhokse dhe së bashku me ata edhe të gjithë Primatët e këtyre kishave paskan gabuar dhe vetëm “kanonisti” ynë, z.Xhufi, e paska gjetur gabimin? Çdo intelektual i ndershëm duhet të jetë serioz me këto çështje delikate.
   Të gjithë ata që janë marrë me historinë e Kishës Orthodhokse e dinë se Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u zgjodh në vitin 1937, po në Konstandinopojë, nga Patriarkana Ekumenike, pa pjesëmarrjen e faktorëve të tjerë. Është mirë të sqarohet se Kryepiskopët, Mitropolitët, Episkopët, dhe priftërinjtë nuk vendosen nga politika, por nga Sinodi i Shenjtë. Kryepiskopi Anastas nuk është emëruar nga asnjë politikan, nga jashtë ose nga brenda vendit, por ka qenë kërkesa e besimtarëve orthodhoksë drejtuar Patriarkanës Ekumenike. Nëse nuk e dini këtë mund të pyesësh z.Nikolla Marku, mikun tuaj, sepse ai e di shumë mirë se si ka ardhur Kryepiskopi këtu dhe është mirë të thotë të vërtetën e asaj kohe, të vitit 1992, ku ka firmosur edhe ai vetë, së bashku me të gjithë studentët e teologjisë, kërkesën e besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë, drejtuar Patriarkanës, ku i kërkohej që Eksarku i saj, i cili kishte dhënë prova për dashurinë ndaj Kishës dhe për aftësinë për ringritjen e saj nga gërmadhat, nga që Kisha nuk kishte asnjë Episkop, të zgjidhej për të kryesuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Sot, kushdo që ka parë zhvillimin e Kishës në këto vite dhe është dashamirës ndaj saj, mund të thotë pa hezitim, se kërkesa për të zgjedhur Kryepiskopin Anastas ishte e duhura. Vetëm ata, që për arsye të ndryshme, nuk e duan Kishën Orthodhokse, janë të dëshpëruar nga kjo zgjedhje.
    Ashtu edhe Statutet, të cilët i ke merak, nuk i harton politika dhe aq më pak Shteti, por organet kompetente të Kishës, të cilët kanë të drejtë t’i ndryshojnë sa herë paraqitet nevoja. Sa për nenet e statutit të 1929, të cilët e robëronin Kishën ndaj Mbretit, si edhe nenet që në mënyrë mashtruese citohen shpesh nga ju, p.sh: Neni 16, duhet ditur se edhe vetë Statuti i 1929 thotë se ato mund të ndryshohen nga Këshilli Kleriko-Laik, ose Sinodi, sa herë është e nevojshme. Vetëm nenet teologjike, d.m.th. tre nenet e para, (Neni 1. 2. 3.), të atij Statuti ishin të pandryshueshëm. Prandaj nuk është mirë të mashtrohet opinioni i gjerë publik me gjoja ndryshimin e Statutit. Të gjitha komunitet e tjera fetare i kanë ndryshuar Statutet e tyre, sipas nevojës së kohës. Vetëm Komuniteti Orthodhoks nuk paska të drejtë ta bëjë këtë?! Shteti Shqiptar, gjithashtu e ka ndryshuar Kushtetutën e tij, përse nuk e akuzoni edhe atë për ndryshimin e Kushtetutës së 1928? Por çështja nuk qëndron këtu, por tek keqdashja dhe tek axhenda antiorthodhokse, në të cilën ju keni marrë përsipër detyrën që të jeni një nga protagonistët.
    Në replikën ndaj meje, duke marrë në mbrojtje N.Markun, “priftin” tuaj, më akuzonit se po e sulmoj. Nuk e kam sulmuar zotëri, por kam thënë të vërtetën, të cilën jam gati ta argumentoj ku të dojë ai, madje edhe ju bashkë me të, në çdo kohë dhe në çdo vend. Edhe vetë Nikolla e di që unë nuk gënjej, por them të vërtetën, sepse ai e di mirë se kush jam. Nuk do të isha marrë me të, por nuk mund të pranojmë që të mashtrohet opinioni i gjerë me gënjeshtra dhe me të pavërteta. Madje na vjen keq që ai është bërë një vegël e verbër në duart e grupimeve ekstremiste antiorthodhokse, duke tradhtuar vetë identitetin e tij. Por kjo është zgjedhja e tij.
   Na thoni se jemi të shitur. Gabohesh z.Xhufi, ose më mirë maskohesh, sepse e dimë se mbrapa thirrjeve tuaja, gjoja patriotike, fshihet urrejtja juaj ndaj orthodhoksëve. Si qënkan të shitur të gjithë klerikët e Kishës Orthodhokse? Nuk jemi ne të shitur, zotëri, ne klerikët që po përpiqemi për bashkimin, paqen dhe përparimin e vendit, por ju dhe takëmi juaj, të cilët po përpiqeni të mbillni përçarjen dhe urrejtjen. Në 100 vjet të Shtetit modern Shqiptar nuk është parë ndonjëherë një propagandë e tillë antiorthodhokse dhe përçarëse, si kjo e bërë nga ju dhe nga disa shokë tuaj. Të shitur janë ata që përçajnë dhe shkatërrojnë harmoninë dhe bashkekzistencën. Kushdo që qëndron mbrapa jush, ju paguan për një vepër antikombëtare. Në kohët e sotme nuk mund t’i gënjeni më njerëzit me parulla.
    Më akuzoni për gjuhë të ashpër. Dhe kush?! Ju, që nuk keni lënë fjalë pa sharë Kishën dhe klerikët e saj. Nuk është gjuhë e ashpër, por po themi dhe po mbrojmë të vërtetën. Apo mendoni se ne Orthodhoksët, si raja, nuk kemi të drejtë të kundërshtojmë sunduesit dhe ju revoltoheni nëse ne ngremë zërin. Si nuk ju dëgjuam, qoftë edhe një herë, të flisni një fjalë të mirë për Kishën dhe Orthodhoksët dhe për të gjithë veprën e tyre bamirëse gjatë gjithë këtyre viteve? Madje shkoni aq larg sa i akuzoni klerikët në Përmet për sulm banditesk. Por sulmi nuk u krye nga klerikët, por kundra tyre. Si nuk e patë poshtërimin dhe përdhosjen që iu bë Kishës? Si nuk e patë dhunën ndaj besimtarëve dhe klerikëve? Si nuk reaguat, ju z.Xhufi, kur jeni kaq i vëmendshëm ndaj orthodhoksëve, kur sendet e shenjta të Kishës në Përmet u hodhën në makinën e plehrave të qytetit? Si duhej të reagonin besimtarët ndaj një sakrilegji të tillë? Si do të kishin reaguar besimtarët e çdo besimi ndaj përdhosjes së gjërave të tyre të shenjta? Apo për ju kjo është normale, madje mirë jua bënë “kaurëve”. Kjo është drejtësia dhe patriotizmi juaj?
    I shani dhe i anatemoni vazhdimisht gjykatat për vendimet e padrejta, ndërsa kur marrin vendime kundër Kishës, dilni në mbrojtje të tyre. Kur qënkeni kaq të flaktë për Shtetin ligjor, përse nuk e ngrini zërin edhe për ndërtesën që është pushtuar me forcë nga “prifti” juaj N. Marku? Edhe në këtë rast të gjitha gjykatat ia kanë dhënë Kishës, por asnjë nga ju nuk është i interesuar për Shtetin ligjor, kur flitet në favor të Kishës Orthodhokse. E dimë që jeni të njëanshëm, por të paktën mos pretendoni për drejtësi dhe patriotizëm nëse keni dy standarde.
    Arrin të na thuash se kur kalohen kufijtë, punët tona do t’i shikoni ju. Kush ju? Pse, u shojtën orthodhoksët e këtij vendi që të bjerë Kisha në duart tuaja, në duart e ateistëve dhe të atyre që e persekutuan? Ndoshta keni nostalgji për kohën kur Kisha ishte e nënshtruar ndaj Mbretit, apo për kohën e persekutimit ateist. Apo doni që orthodhoksët të jenë përsëri popullsi raja, nën pashallarë të rinj, si puna juaj. Duhet ta dini z.Xhufi se ato kohë kanë perënduar dhe se Kisha Orthodhokse në Shqipëri, si të gjitha Komunitetet e tjera fetare, është e lirë dhe ka të drejtën të organizohet sipas Kanoneve të saj dhe ka institucionet dhe njerëzit e saj të përgatitur për ta drejtuar atë. Etërit tanë e mbrojtën Kishën dhe ruajtën besimin dhe identitetin e tyre, nëpërmjet sakrificave të mëdha, në kohë shumë të vështira. Pa dyshim z.Xhufi, edhe ne do ta mbrojmë besimin dhe Kishën tonë. Komuniteti ynë ka qenë gjithmonë një komunitet paqësor dhe ka punuar gjatë gjithë historisë për zhvillimin dhe përparimin e këtij vendi. Kurrë nuk i kemi sharë ose sulmuar të tjerët dhe as nuk do ta bëjmë. Por nuk mund të pranojmë që njerëz, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me Kishën, si ju z.Xhufi, të nëpërkëmbin dhe të poshtërojnë Kishën Orthodhokse dhe klerikët e saj.
    Z.Xhufi, sigurisht jo vetëm unë, por i gjithë Komuniteti Orthodhoks të ka ndjekur në shkrimet që ke botuar dhe në emisionet televizive, të ripërsëritura me të njëjtat akuza dhe me të njëjtat komente kundër Kishës Orthodhokse dhe Kreut të saj. Në të gjitha ato shfaqet hapur urrejtja dhe keqdashja juaj ndaj Kishës Orthodhokse. Por, nëse ju nuk ju pëlqen Kisha Orthodhokse, përparimi dhe ringritja e saj nga gërmadhat nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, ky nuk është faji ynë.
Shtator 2013

Author: admin