Patriarkana e Serbisë kulmoi festimet e saj për 1700 vjetorin e shpalljes së Ediktit të Milanos (313) me një seri festimesh panagjirike panorthodhokse në Beograd, në Nish dhe në Podgoricë nga dt. 5-7 tetor 2013.
Merrnin pjesë Patriarku Ekumenik Tërëshenjtëria e Tij Bartolomeu, Patriarku i Jerusalemit Fortlumturia e Tij z. Theofil, Patriarku i Moskës Fortlumturia e Tij z. Kirill, Kryepiskopi i Qipros Fortlumturia e Tij z. Krisostom, Kryepiskopi i Athinës Fortlumturia e Tij z. Jeronim, Kryepiskopi i Varshavës Fortlumturia e Tij z. Sava, Kryepiskopi i Tiranës Fortlumturia e Tij, z. Anastas dhe një numër i madh hierarkësh përfaqësues të Patriarkanave dhe Kishave Autoqefale nga e gjithë bota orthodhokse, përfaqësues të lartë nga Selia e Shenjtë e Vatikanit, të Kishave të tjera të krishtera, nga Këshilli i Botëror dhe Evropian i Kishave, Kryemyftiu i Serbisë, nga trupat diplomatike të Serbisë dhe i Malit të Zi etj.
Delegacioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale ë Shqipërisë përbëhej nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, z. Anastas, Episkopi i Bylis z. Asti dhe Atë Anastas Bendo.
Në Beograd festimet filluan të shtunën dt.5 tetor me Dhoksologjinë panagjirike në kishën katedrale të Kryeengjëllit Mihail me pjesëmarrjen e shumtë të besimtarëve brenda e jashtë saj. Më pas programi vazhdoi me audiencën në Patriarkanë me Patriarkun e Serbisë Fortlumturinë e Tij z. Irineu, më pas me audiencën dhe drekën me Presidentin e Republikës së Serbisë z. Tomislav Nikoliç.
Të nesërmen dt. 6 tetor, ditën e diel, në kishën e re të Shën Konstandinit dhe Elenës në Nish (në vendlindjen e perandorit Konstandin), në praninë e mijëra besimtarëve klerikë e laikë, u krye solemnisht Liturgjia Hyjnore me pjesëmarrjen e të gjithë hierarkëve. Merrnin pjesë të gjithë autoritetet shtetërore të Republikës së Serbisë. Në fund Patriarku i Serbisë u ndau të gjithë primatëve dhe përfaqësive të Kishave Orthodhokse medaljen “Perandori Konstandin”, medalja më e lartë e Kishës së Serbisë, akorduar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Serbisë për këtë jubile.
Të hënën në dt. 7 tetor, në Podgoricë të Malit të Zi, në kishën e re të sapopërfunduar të Ngjalljes së Krishtit, u krye shërbesa e Shenjtërimit të saj bashkë me Liturgjinë hyjnore, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve. Merrnin pjesë të gjithë autoritetet shtetërore të vendit. Më pas programi vazhdoi me audiencën me Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi.
Është për t’u theksuar fakti se ishte hera e parë që u dëgjuan në shqip thirrjet liturgjike kryepriftërore në këto tre kisha katedrale.
BEOGRAD
NISH
PODGORICË