Mobilizimi i të rinjve orthodhoksë me moton “Mjedisi, shtëpia jonë e përbashkët”


    Në kuadrin e kontributit të Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë në jetën komunitare, u zhvillua në datat 15-16 nëntor 2013, në sallën e rinisë në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, trajnimi me temë “Mjedisi, shtëpia jonë e përbashkët”. Ky trajnim u organizua në bashkëpunim me Zyrën Sociale “Diakonia Agapes” të Kishës Orthodhokse. Në të morën pjesë të rinj, katekistë, koordinatorë dhe drejtues të lidhjeve rinore orthodhokse nga dioqezat e vendit, bashkë me përfaqësi studentësh nga Akademia Teologjike në Durrës.
    Kjo veprimtari është pjesë e projektit “Të rinjtë, duke bashkëpunuar për një të ardhme më të mirë”, që po zhvillohet prej disa vitesh në Kishën tonë, projekt, i mbështetur financiarisht nga HEKS Zvicër, që promovon pjesëmarrjen e të rinjve në jetën komunitare. Veprimtaritë kryesore të tij konsistojnë në trajnime dhe punë në grupe për: ngritje fondesh, ndihmë në komunitet, mbrojtje të mjedisit, edukimit të të rinjve aktivë nëpër grupet rinore, si dhe ndihmë në nismat rinore për veprimtari përkatëse.
   Në sesionin e datës 15 nëntor, tema “mjedisi dhe roli ynë në bashkëveprimin krijues” u nda në dy prezantime kryesore. Prezantimi i parë u përqendrua në përgjegjësinë e çdo të krishteri, i cili duhet të referojë krijimin tek Krijuesi, Perëndia. Pjesëmarrësit u thelluan në çështjen e krizës ekologjike si një problem shpirtëror, siç thotë edhe Mitropoliti i Pergamit, Joan Ziziula, se njeriu duhet përqendrohet te vetja, duke parë rolin e tij jo si zotërues, por si parashtrues te Perëndia. “Vetëm kur njeriu të mësojë të bëhet kujdestar i krijesës, vetëm atëherë ne mund të shpresojmë të miratojmë qëndrimin e drejtë në zgjidhjen e problemit ekologjik, me të cilën përballemi sot”. Prezantimi i dytë ishte përfshirja e pjesëmarrësve në disa parime bazë rreth mjedisit dhe veçanërisht rreth edukimit të të rinjve dhe fëmijëve në lidhje me të.
    Në sesionin e datës 16 nëntor, të shtunën, programi vijoi me kuadrin e mobilizimit të të rinjve të Kishës sonë për të bërë ndryshime. Dy përfaqësues nga Green Line Albania erdhën dhe prezantuan përpara të rinjve orthodhoksë nismën rinore “Ta pastrojmë Shqipërinë”. Pas këtij prezantimi, të rinjtë shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë në të dhe, duke u ndarë në grupe, shkëmbyen ide me qëllim realizimin dhe mobilizimin në kuadër të kësaj nisme në vendet e tyre. Kjo nismë është një lëvizje mbarëbotërore përkushtuar datës 22 Nëntor, ku qytetarët e Shqipërisë marrin pjesë duke pastruar vullnetarisht vendin e tyre.
     Grupet orthodhokse vendosën të fillojnë pastrimin e mjediseve rreth kishave të qyteteve apo fshatrave të tyre. Zyra “Diakonia Agapes” do të mbështesë këtë nismë të grupeve rinore me gjithçka që nevojitet për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie, në mënyrë që përpjekja e të rinjve orthodhoksë të jetë e suksesshme dhe të bëhen pjesë dhe anëtarë aktivë në komunitet.
    Le të shkojmë e të mobilizohemi në veprimtarinë rinore “Ta pastrojmë Shqipërinë”, si vazhdim në përmbushjen e rolit tonë si kujdestarë të krijimit.

Stefan Rici

orthodoxalbania.org

Author: admin