Krishtlindja po vjen

    Krishtlindja po vjen, gëzimi i festës ndjehet kudo. Kisha Orthodhokse tashmë psal çdo ditë në himnet e saj se Virgjëresha Mari po përgatitet të sjellë në jetë djalin e saj të vetëm dhe Birin e Vetëm të Perëndisë. Gjithçka në Kishë thërret më zë të lartë, Krishti po vjen, priteni. Kudo që hedh sytë sheh zbukurime dhe dëgjon këngë që lidhen me ardhjen e Krishtlindjes.
    Mes atyre që e festojnë më me shumë gëzim këtë festë janë të rinjtë dhe fëmijët. Fëmijët i sheh të rendin aty këtu duke lëvizur sikur do të blejnë çdo gjë që shohin, dhe nga ana tjetër zemrat e tyre të vogla presin me padurim që të ndjejnë gëzim, dhe sidomos gëzimin e lindjes së Jisu Krishtit.
    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e ka prioritet zhvillimin e programeve me çdo grupmoshë, por sidomos me të rinjtë dhe fëmijët. Para Krishtlindjes dhe pas saj do të zhvillohen një sërë aktivitetesh që kanë lidhje me këtë festë të madhe.
    Shkolla Protagonistët do të zhvillojë koncertin e saj festiv me datë 20 Dhjetor në orën 17:00; Rinia Orthodhokse “Bijtë e Dritës” ka koncertin e saj festiv më 26.12.2013 në orën 17:30; Zyra e Katekizmit do të zhvillojë një sërë aktivitetesh me fëmijët dhe të rinjtë në qytetet dhe fshatrat përreth Shqipërisë. Grupet e katekizmit do të marrin pjesë në programin e veçantë të Krishtlindjes, në aktivitetin e kolendrave i cili do të rikthehet këtë vit për herë të parë në disa vende, dhe gjithashtu po përgatit disa grupe me të rinj dhe fëmijë për të marrë pjesë në koncertin festiv të Krishtlindjes.
    Gjithashtu Zyra Qendrore e Fëmijëve po zhvillon në një sërë vendesh aktivitete për festën e Krishtlindjes. Kjo zyrë po zhvillon aktivitetin qendror të kësaj feste që është i përbërë me dramë, mësim, këngë, lutje, punë dore; me kolendrat që më datë 22 të Dhjetorit do të shkojnë në familjet e besimtarëve dhe do të këndojnë këngë që kanë lidhje me lindjen e Krishtit, dhe me teatrin  lëvizës të kukullave, i cili këtë fundviti u ndoq nga 1 000 fëmijë.
    Shfaqja e kësaj Krishtlindje titullohej, “Nga Vendi Unë tek Vendi Ti”. Teatri lëvizës e ofroi këtë shfaqje në Tiranë, Vlorë, Fier, Berat, Gramsh, Librazhd, Kavajë, Durrës, Toshkëz, Agim, Shtërmen, Shijon, Gjinar, Shën Vlash, dhe Rrushkull.
    Historia e kësaj shfaqje është shumë tërheqëse dhe tregon për një djalë të vogël i cili banonte në Vendin Unë. Banorët e këtij vendi ishin njerëz që nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin dhe fëmijët nuk luanin bashkë për arsye se dëshironte çdonjëri të ishte fitues. Vendi Unë drejtohej nga Mbretëresha Mendjemadhësi dhe ajo i frymëzonte njerëzit e këtij vendi se nuk ekziston vend më i bukur se Vendi Unë.
    Por, Kokëforti, djali i vogël nga Vendi Unë, dëgjoi një ditë për Vendin Ti dhe dëshironte ta vizitonte këtë vend me gjithë sakrificën që mund t’i kushtonte. Ai e vizitoi Vendin Ti dhe mësoi se rregulli për të hyrë në këtë vend nuk ishte më si në Vendin Unë që çdonjëri thoshte Unë i pari, por këtu duhet të mësoje të thoje Ti i pari. Përulësia dhe dashuria mbizotëronin kudo. Kjo gjë e ndryshoi gjithë jetën e Kokëfortit dhe ai u përpoq që të mësonte për këto gjëra edhe banorët e tjerë të Vendit Unë.
    Fëmijët patën mundësinë që nëpërmjet teatrit të mësonin më shumë mbi përulësinë, faljen dhe dashurinë për njëri-tjetrin. Ata kuptuan se arsyeja e ardhjes së Krishtit foshnjë në këtë botë, është pikërisht dashuria e madhe ndaj njerëzimit. Një program një orë e gjysmë bëri që fëmijët të argëtohet dhe të kalojnë një kohë frytdhënëse. Përveç shfaqjes me kukulla fëmijët morën pjesë në konkursin lidhur mbi temën e shfaqjes me kukulla dhe më pas mësuan disa këngë për Krishtlindjen, duke zhvilluar disa lojëra. Në fund ata morën pjesë edhe në një koktej të thjeshtë.
    Festa e Madhe e Krishtlindjes po vjen dhe fryma e kësaj feste bëhet gjithnjë edhe më e prekshme. Çdo aktivitet që zhvillohet në lidhje me këtë festë u thotë të gjithëve se ardhja e Krishtit është dhurata më e bukur që njerëzia ka marrë ndonjëherë. Le të hapim zemrat dhe le të presim ardhjen e foshnjës Jisu ashtu siç i takon.

Ana Meni
 

Author: admin