Promovohen dy libra nga Lidhja e Intelektualëve Orthodhoksë

Kontribut për shkencën dhe mbrojtjen e Komunitetit Orthodhoks
 
 
    Më 14 maj pasdite, në sallën pranë kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, u bë një veprimtari e organizuar nga Lidhja e Intelektualëve Orthodhoksë, në të cilën u promovuan dy libra të shkruar nga anëtarë të saj: “Kombi Shqiptar, Univers Historik dhe Fetar”, vëllimi i dytë, nga prof. dr. Pirro Prifti dhe “Bashkësia Shoqërore Orthodhokse në Shqipëri”, nga prof. dr. Arqile Bërxholi. Merrnin pjesë intelektualë, klerikë, dashamirës etj.
     Veprimtaria u hap nga prof. dr. Ilia Telo, Rektor i Shkollës së Lartë “Logos”, i cili  ndër të tjera tha:
“Para pak kohe u promovua libri i Kryepiskopit, Prof. Dr. Anastasit, “Rilindja e Kishës Orthodhokse në Shqipëri”. Në të argumentohet puna e madhe që është bërë për rilindjen e Besimit Orthodhoks në vendin tonë. Dhe pikërisht të dy botimet që pro-movojmë sot e plotësojnë këtë pasqyrim. 
    Dua të theksoj së të dy autorët e librave që ne promovojmë  kanë dhënë dhe japin kontribute në shkencë e në mënyrë të veçantë në mbrojtjen e Komunitetit Orthodhoks.
    Profesor Pirro Prifti ka botuar disa libra e dhjetëra artikuj në shtypin e përditshëm dhe revista periodike. Kujtojmë se ky është vëllimi i dytë i librit “Kombi Shqiptar, Univers Historik e Fetar”. 
    Profesor Arqile Bërxholi është një nga gjeografët dhe demografët më të  shquar të vendit. Ai ka botuar mbi 20 libra dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar. 
    Librat që promovojmë sot nuk janë të parët e këtyre autorëve, por nuk janë dhe të fundit. Ne presim botime të tjera në të ardhmen….” 
    Pastaj ai ua dha fjalën të dy autorëve, që folën për librat e botuar dhe motivet që i kanë shtyrë për t’i shkruar ata. Prof. Bërxholi kishte krijuar edhe një ekspozitë të vogël me pamje nga krahina e Lunxhërisë që ilustronin temën, shoqëruar edhe me shfaqjen e imazheve. Më pas, mjaft nga të pranishmit e morën fjalën për të shprehur vlerësimin për veprën dhe impenjimin e të dy autorëve.
    Në emër të Kryepiskopit Anastas, autorët dhe të pranishmit i përshëndeti Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni. Në fund kishte edhe një koktej, ofruar nga firma “Neranxi”.

Author: admin