KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË : NJOFTIM

 
 
KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
 
NJOFTIM
 
        Shenjtërimi i Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë
       Ditën e diel, më 1 qershor 2014, do të kryhet në Tiranë shenjtërimi i Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, Vartholemeu I, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të Tyre, Patriarkut të Jerusalemit, Theofilit; të Serbisë, Irineut; të Rumanisë, Danielit; të Kryepiskopit të Qipros, Krisostomit; të Athinës, Jeronimit; të Varshavës, Savës, si dhe të Kryepiskopit të Tiranës, Anastasit. Do të bashkëmeshojnë edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve, të Aleksandrisë, të Antiokisë, të Moskës, të Bullgarisë dhe të Gjeorgjisë. 
   Siç dihet, gjatë persekutimit shumëvjeçar e të pareshtur të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1967-1990), regjimi totalitar ateist shkatërroi një numër të madh kishash të shenjta ose i ktheu ato në magazina, kovaçhana, reparte ushtarake e qendra argëtimi. Madje në vitin 1965, Kisha Katedrale në sheshin qendror të Tiranës u shemb dhe në vend të saj u ndërtua një hotel pesëmbëdhjetëkatësh.    
     Kompleksi i Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në qendër të Tiranës së bashku me kishëzën “Lindja e Krishtit”, kambanoren dhe Qendrën Sinodike, është simboli i rindërtimit nga themelet në të gjitha fushat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga viti 1991 deri sot.
     Pasditen e së dielës, do të vijojë një koncert festiv rinor në Qendrën Kulturore moderne, në ambientin poshtë Kishës Katedrale.  
    Në veprimtaritë festive do të jenë të pranishëm Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani; Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta; Kryeministri, z. Edi Rama dhe Kryetari i opozitës, njëkohësisht dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, të cilët në mëngjesin e së hënës, më 2 qershor, do të presin zyrtarisht Primatët Orthodhoksë.    
     Ngjarja e shenjtërimit përbën një bekim të veçantë jo vetëm për orthodhoksët e Shqipërisë, por dhe për gjithë vendin. Për më tepër, përbën një dëshmi shumë të rëndësishme të Orthodhoksisë në mbarë botën. 
 
Tiranë, 27 maj 2014

Author: admin