Intervistë e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, në lidhje me shenjtërimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë,
botur në revistën “Java”, dt. 14 qershor 2014.
1- I nderuar hirësia juaj Imzot Joani. Çfarë do të thotë nga ana kanonike për Kishën Ortodokse Shqiptare shenjtërimi i Katedrales nga autoriteti më i lartë i Kishës së Lindjes?
Shenjtërimi i nje kishe është përfundimi i gjithë fazës ndërtimore dhe asaj përgatitore, për ta bërë atë të plotë për kryerjen e mistereve të shenjta (sakramenteve) të Kishës. Shenjtërimi është një rit i vjetër, që fillon me shenjtërimin e Tempullit të Solomonit, rishenjtërimin e tij nga Juda Makabeu dhe ka vazhduar edhe me themelimin e Kishës së krishterë. Në gjuhë të ndryshme përdoren terma të ndryshëm. Ne përdorim termin shenjtërim, në greqisht quhetripërtëritje, në gjuhët latine quhet konsakrim ose dedikim, terma që tregojnë inagurimin dhe bashkimin me të shenjtën. Kisha është ngritur mbi gjakun e martirëve dhe për këtë arsye në shërbesën e shenjtërimit vendosen në altar lipsane (relike) të martirëve. Shenjtërimi i një kishe është gjithmonë një ditë gëzimi për të gjithë anëtarët e asaj famullie dhe kthehet në një datë përkujtimi të vazhdueshëm.
Kur flitet për Katedralen qendrore të Kishës sonë, pa dyshim që ajo kthehet në një ngjarje shumë të rëndësishme për të gjithë Komunitetin Ortodoks në Shqipëri, madje edhe më gjërë. Dhe për më tepër, kryesimi i kësaj shërbese nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriku Ekumenik Bartolomeo I, me pjesëmarrjen edhe të shumë Primatëve të tjerë, si edhe të përfaqësuesve nga të gjitha Kishat kanonike Ortodokse në botë, ishte një vlerësim për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si edhe një nderim, falenderim dhe mirënjohje për veprën madhështore të Kryepeshkopit Anastas në ringritjen e Kishës në këto dy dekada, e cila është quajtur nga shumë persona, ndërmjet tyre edhe Primatë dhe klerikë të lartë, jo vetëm ortodoksë, si mrekullia më e madhe e Kishës Ortodokse në kohët moderne. Është hera e parë në historinë e Kishës dhe vendit tonë një pjesëmarrje e tillë në këtë nivel kaq të lartë, gjë që duhet të na bëj të gjithëve krenarë, jo vetëm ortodoksët, por të gjithë popullin shqiptar. Besoj se të gjithë delegacionet u larguan me një imazh të ndryshuar si për Kishën ashtu edhe për vendin tonë, duke e shtuar akoma më shumë gëzimin për të gjithë ne.
2 – Pse gjenerojnë ende problematikë në botën laike aktivitetet e Kishës, sipas jush?
Mendoj se duhet përcaktuar se çfarë kuptohet me “botën laike”, sepse edhe të gjithë anëtarët e Kishës Ortodokse, që nuk janë klerikë, janë laikë. Ata janë pjesa më e madhe e Komunitetit Ortodoks dhe e kanë mbështetur fuqimisht institucionin e Kishës me në krye Kryepeshkopin Anastas, gjatë gjithë këtyre viteve. Ne nuk kemi ndonjë problem me botën laike. Por nëse me “botën laike” ju keni ndërmend disa persona, të cilët kanë shkruar dhe kanë folur me të padrejtë kundër Kishës dhe Primatit të saj, duhet ditur se pjesa më e madhe e tyre nuk ka asnjë lidhje me Kishën dhe as nuk janë anëtarë të saj. Komuniteti Ortodoks në Shqipëri është mirënjohës ndaj veprës së madhe të ringritjes së Kishës dhe akuzat e padrejta dhe shpifjet nuk mund ta errësojnë një vepër të ndritur. Edhe në rastin e fundit, në lidhje me shenjtërimin e Katedrales, një ngjarje e cila duhet të sillte gëzim dhe falenderim, e theksoj, jo vetëm për ortodoksët, por për të gjithë vendin, u ndeshëm me një reagim të pakuptueshëm, po me ato shpifje dhe akuza të vjetra, të pabaza dhe të padrejta.
Ne i jemi përgjigjur me korrektesë dhe durim shumë herë gjithë këtyre shpifjeve dhe akuzave, për të qartësuar publikun e gjërë, i cili mund të manipulohet nga përsëritja e organizuar mediatike e akuzave të padrejta dhe shpifjeve. Eshtë për të ardhur keq sepse nuk pati pothuajse asnjë informin objektiv për ceremoninë e Shenjtërimit, një ceremoni, që me pjesëmarrjen e tetë Primatëve dhe përfaqësuesve nga të gjitha Kishat Ortodokse në botë, nderoi jo vetëm Kishën Ortodokse në Shqipëri, por të gjithë vendin tonë. Nëse e duam me të vërtetë vendin tonë duhet të gëzoheshim për këtë përparim dhe të ishim mirënjohës për punën, përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të Kryepeshkopit në ringritjen e Kishës. Nuk është e pranueshme që persona të cilët nuk janë anëtarë të Kishës dhe nuk e njohin as historinë, as kanonet dhe as jetën e brendshme të saj, të bëhen mësuesit e saj, duke caktuar se çfarë duhet të bëjë Kisha. Për më tepër duhet të jetë e qartë se Kisha është autoqefale jo vetëm ndaj institucioneve nga jashtë vendit, por edhe ndaj atyre brenda vendit. Mendoj se përparimi dhe ringritja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duhet të jetë një histori gëzimi, sepse një Komunitet Ortodoks i bashkuar, i ringritur dhe solid do të thotë edhe një Shqipëri solide. Ne duhet të gëzohemi me përparimin e njëri-tjetrit dhe ta shohim atë si përparim të të gjithë vendit tonë. Gjatë gjithë kësaj periudhe ringritjeje për të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri, Komuniteti Ortodoks i ka përshendetur përparimet e tyre, dhe kur ka qenë mundësia edhe ndihmuar, duke patur gjithmonë parasysh se gëzimi dhe përparimi i tyre është gjithashtu edhe gëzimi dhe përparimi ynë. Ishte kuptimplote prania e krerëve të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri në ceremoninë e shenjtërimit, si shenjë e harmonisë dhe bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet nesh.
3 – Nga ana protokollare e institucionit tuaj, mendoni se ishte i pranueshëm, prononcimi i hierarkut serb?
Duhet ditur që ajo deklaratë nuk është e Kishës sonë. Ne nuk e dimë se kur dhe në ç’vend është bërë, por ajo nuk ka qenë pjesë e protokollit të ceremonisë së shenjtërimit. Protokolli i ceremonisë nuk kishte deklarata apo prononcime. Kishte vetëm dy përshëndetje, nga ana e Kryepeshkopit Anastas si mikpritësi dhe nga Tërëshenjtëria e Tij Patriku Ekumenik në emër të të gjithë të ftuarve. Shërbesa u krye sipas protokollit të Kishës, ku të gjithë të ftuarit meshuan në gjuhën e tyre dhe të gjithë pjesëmarrësit në ceremoni dëgjuan shqip, greqisht, arabisht, rumanisht, serbisht, gjeorgjisht, polonisht, rusisht, bullgarisht dhe anglisht. Gjithashtu, tashmë është mëse e njohur, se linja e Kishës sonë ka qenë gjithmonë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet popujve, për respektin e çdo qenie njerëzore, pavarësisht origjinës apo përkatësisë fetare, për paqen dhe për drejtësinë.
4 – A e shikoni më të shëndoshur strukturën e Kishës shqiptare dhe si e vlerësoni marrëdhënien me shtetin në vitet e fundit?
Pa dyshim po! Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave ka përjetuar një ringritje të pabesueshme. U formua dhe u konsolidua Sinodi i Shenjtë, janë organizuar mbi 460 famulli ortodokse dhe një rrjet i gjërë katekistësh. U krijuan dhe funksionojnë më shumë se 50 qendra rinore. Çdo vit organizohen kampingje verore e dimërore për fëmijë dhe të rinj, si edhe konferenca, veprimtari sportive, aktivitete me të rinj me aftësi të kufizuar, festivale rinore, programe ekologjike, etj. Është ndërtuar Akademia Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” ku janë përgatitur rreth 140 klerikë vendas. (Një shembull i qartë i rritjes dhe konsolidimit të Kishës sonë është edhe ky fakt. Kur filloi për herë të parë Seminari Ortodoks, pjesa më e madhe e pedagogëve ishin të huaj, ndërsa sot, pas 20 vjetësh, pedagogët e Akademisë Teologjike Ortodokse janë pothuajse të gjithë vendas, ish nxënës të Akademisë sonë, të cilët vazhduan studimet universitare dhe pasuniversitare në universitete të njohur). Janë ndërtuar gjithashtu mbi 150 kisha të reja, janë restauruar rreth 60 manastire dhe kisha-monumente kulture dhe janë riparuar 160 kisha të tjera. Është krijuar një rrjet klinikash mjekësore në tërë vendin, ku dallohet Qëndra Diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë, me mjekët nga më të njohur të vendit, ku u shërbehet të gjithëve pa dallim. Janë ngritur 17 kopshte ditore, ku përparësi kanë fëmijët e familjeve në nevojë. Janë ndihmuar shumë shkolla publike, janë rikonstruktuar shumë shkolla dhe kopshte dhe janë hapur menca falas për njerëzit në nevojë. Janë hapur gjithashtu shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme, si edhe institute profesionale, të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për të gjithë vendin tonë. Dhe së fundi një pikë kulmore në fushën e arsimit është hapja e Universitetit të Kishës. E tërë vepra ndërtuese arrin në mbi 450 objekte. Dhe pa asnjë dyshim, ideatori dhe realizuesi i gjithë kësaj vepre të madhe ndërtuese ka qenë Kryepeshkopi Anastas, me fonde të mbledhura prej tij. Besoj, se të paktën, duhet t’i themi faleminderit.
Përsa i përket marrëdhënies me Shtetin mund të them se Kisha ka qenë korrekte. Ndonëse Kisha, siç e kemi theksuar gjithmonë, është dhe duhet të jetë apolitike, përsëri kjo nuk do të thotë të jetë indiferente, sidomos ndaj gjërave që ndodhin në këtë vend, përfshi këtu vendimmarrjet ose ligjet e ndryshme, sepse besimtarët tanë janë pjesë e kësaj shoqërie dhe preken ose përfitojnë nga gjithçka që ndodh në vendin tonë. Por kur flasim për Shtetin, mendoj se është e nevojshme të kemi parasysh se shteti nuk është vetëm thjesht qeveria, por të gjitha organizmat që veprojnë në këtë vend dhe gjithçka që ndikon në drejtimin dhe zhvillimin e këtij vendi. Kemi patur një dialog të vazhdueshëm, por mendoj se duhet të ketë më shumë bashkëpunim. Të qenurit një shtet laik dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit nuk do të thotë të mos ketë bashkëpunim. Do të donim një bashkëpunim më të ngushtë, sidomos për mbrojtjen dhe restaurimin e objekteve tona fetare, një pjesë e madhe e tyre monumente të vlefshme të historisë dhe kulturës sonë. Kisha jonë ka resurse të kufizuara financiare dhe megjithatë, vetëm për riparimin dhe restaurimin e kishave të shpallura monumente kulture, ka shpenzuar miliona euro, fonde të mbledhura nga Kryepeshkopi Anastas. Në ruajtjen e këtyre thesareve të kulturës sonë duhet një përfshirje më e madhe e shtetit dhe gjithë shoqërisë, sepse mbrojtja dhe restaurimi i tyre është një detyrim i ne të gjithëve, ndaj kulturës dhe historisë së vendit tonë.
Gjithashtu do të doja të përsëris diçka, të cilën e kemi kërkuar vazhdimisht – kërkesën që Shteti të respektojë Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të ratifikuar në Parlament, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta. Në nenin 5.1 thuhet:Shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo person ose grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet ose vulën e saj. Por në fakt kemi persona që kanë uzurpuar një kishë dhe nuk kemi asnjë ndërhyrje nga Shteti. Shtetet solide dhe me përvojë të gjatë e dinë mirë se komunitete të konsoliduara dhe të pavarura, do të forconin edhe më tej konsolidimin dhe sigurinë e vendeve të tyre. Shpresojmë që harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve fetare dhe gjithë shoqërisë së vendit tonë të forcohet akoma më shumë për të mirën e gjithëve.