Komunitetet Fetare të Shqipërisë dënojnë terrorrizmin e ISIS në Irak.

DEKLARATË PËR SHTYP
 
    Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe antarët e tij (Komuniteti Musliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane) mbështetur dhe nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, po ndjekin me shqetësim situatën që po ndodh këto ditë në Lindjen e Mesme, në mënyrë të veçantë përndjekjen kriminale që terroristët e ISIS në Irak po ushtrojnë ndaj popullsisë lokale të krishterë, madje edhe ndaj myslimanëve dhe minoriteteve të tjera, e në mënyrë mizore përndjekjen dhe dëbimin e detyruar me dhunë të të krishterëve irakenë dhe të irakenëve të feve të tjera prej vendit të tyre. Ne dënojmë me forcë akte të tilla kriminale që nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimeve tona.
 
    Lusim Zotin i cili na ka krijuar të gjithëve që t’u kthejë paqen dhe dinjitetin atyre zonave. Në emër të Zotit kërkojmë të ulen armët e të kërkohet paqe dhe bashkëjetesë. 
 
    I bëjmë gjithashtu apel Faktorit Ndërkombëtar që të gjejë zgjidhjet e duhura në mënyrë që të ndalet fenomeni i largimit dhe i shpërnguljes me dhunë të banorëve të Mosulit dhe të rrethinave për shkak të besimit të tyre. Ne besojmë ngultësisht se e drejta e besimit është një e drejtë themelore e njeriut. Ne i gëzohemi kësaj të drejte në Shqipëri dhe një realiteti që besimet fetare kanë ndërtuar e vazhdojnë të ndërtojnë me shumë mund në vendin tonë. Duam t’u themi të gjithëve se është e mundur të jetojmë bashkë, duke ndihmuar njëri-tjetrin e duke respektuar njëri-tjetrin pavarësisht besimit, etnisë apo racës. 
 
    Ndërkohë shprehim solidaritetin tonë me të gjithë ata që vuajnë jo vetëm në Irak, por në të gjitha vatrat e konfliktit në Lindjen e Mesme e u sigurojmë atyre lutjen dhë afërsinë tonë shpirtërore. 
 
Paqja e Zotit qoftë me ju!
Tiranë, më 10 gusht 2014

Author: admin