“…KISHAT E HIRSHME NA KUJTOJNË PANDËRPRERJE PRANINË E PERËNDISË DHE DETYRAT TONA NDAJ BESIMIT…”
Qindra besimtarë tejmbushën dot kishën e hirshme të Dyzetë Shenjtorëve Martirë në Aliko, fshat ky në zonën e Vurgut, për të marrë pjesë në veprimtaritë adhuruese për Fjetjen e Tërëshenjtës Mari. Në gjirin e tyre ishte Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili së bashku me Mitropolitin e Gjirokastrës, Imzot Dhimitrin dhe Episkopin e Amantias z. Nathanail, kreu Shërbesën e Shenjtërimit dhe në vazhdim Liturgjinë Hyjnore.
Ne fjalën e tij, Kryepiskopi u foli besimtarëve veç të tjerash edhe për veprën e pasur që ka zhvilluar Kisha e jonë në sektorin shpirtëror, në ngritjen e kishave e godinave të tjera ndihmëse, zhvillimin e veprës së saj sociale e filantropike etj.
Me rastin edhe të Shenjtërimit të kishës së re forttëbukur të Dyzetë Shenjtorëve, Kryepiskopi u ndal në rëndësinë e kishës Orthdhokse (tempullit), si epiqendër e Enorisë së besimtarëve dhe të jetës së tyre shpirtërore. Me Orthodhoksinë bashkëudhëtarë janë e vërteta, dashuria dhe bukuria. Të tria këto simbolizohen në mënyrën më të mirë në tempullin Orthodhoks, ku veç të tjerash promovohet kultura. Ndërtesat e adhurimit të Krishterë, që u shtuan gjatë gjithë këtyre viteve të ringritjes së Kishës sonë, në qytete dhe fshatra, janë gjithashtu edhe stoli arkitektonike, por edhe qendra të ngritjes kulturore të komunitetit të besimtarëve. Me fjalët e tij Fortlumturia e Tij i nxiti besimtarët e Alikos që të tregojnë kujdes më të madh për kishën e tyre të re dhe sidomos, që ta ngrohin atë me lutjen e tyre dhe pjesëmarrjen intensive në mbledhjet adhuruese. Ta shndërrojnë atë në një qendër të dashurisë për Perëndinë, por edhe për njeriun – vëlla.
Kisha e hirshme e Dyzetë Shenjtorëve në Aliko u ndërtua me inisiativën dhe fondet që grumbulloi Kryepiskopi Anastas gjatë periudhës 2006-2009. Është në kishë shumë e bukur me kube, me peristil në fasadë dhe anën jugore, me kambanore të lartësuar dhe një oborr, që përbën edhe një shesh – park të bukur për komunitetin. Në katin përdhes të Kishës ka mjedise për funksionimin e një qendre shpirtërore të enorisë, me sallë polifunksionale veprimtarish etj.
***
Pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore, në oborrin e Kishës së porsashenjtëruar të mbushur plot e përplot nga besimtarët, nga autoriteti i pushtetit lokal, u organizua ceremonia e dorëzimit Kryepiskopit Anastas të titullit “Qytetar nderi” i Komunës së Alikos, si shprehje e falënderimit dhe mirënjohjes së gjithë banorëve të zonës për gjithçka ai ka bërë për ringritjen nga hiri i shkatërrimit komunist të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, por edhe konkretisht në fshatrat dhe enoritë e zonës. Kryepiskopin e përshëndeti Kryetari i Komunës, z. Kristo Kaishi, që i dorëzoi edhe titullin. Gjithashtu, përshëndeti me këtë rast edhe Nënkryetari i Parlamentit dhe deputet i zonës, z. Vangjel Dule.
Kryepiskopi Anastas duke falënderuar për këtë gjest të Këshillit të Komunës, por edhe për fjalët e ngrohta të dashurisë që u thanë, theksoi se më e rëndësishmja që ka ndodhur gjatë këtyre njëzetë e tre viteve është fakti se ai qëndroi pranë njerëzve, së bashku me grigjën Orthodhokse, duke mirëkuptuar gëzimet dhe hidhërimet e tyre, duke ndarë me dashuri me ta gjithçka pati, me respekt ndaj dinjitetit të çdo njeriu.
***
Të dielën, 17 gusht Kryepiskopi Anastas, së bashku me Mitropolitin e Gjirokastrës z. Dhimitër do të kryejë Shërbesën e Shenjtërimit të kishës së hirshme të Ungjillëzimit të Perëndilindëses, që ngrihet në qendër të qytezës së Këlcyrës. Kjo kishë u ndërtua nga ana e Kryepiskopit në vitet e para, 1994 – 1996 dhe është e tipit bazilikë me kube dhe kullë kambanoreje. Është ngritur në truall pronë e kishës dhe që atëherë meshohet pa ndërprerë. Në krah të saj ngrihet gjithashtu një qendër enorike shpirtërore.
(Gjirokastër, 15 gusht 2014)
Foto:Dhjakon Stephanos Ritsi