Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Krishtlindje 2014
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Të mahnitshme janë ndërhyrjet e Perëndisë
Kapërcimi i së pamundurës
Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,
Bij të shtrenjtë më Zotin,
“ Atje ku do Perëndia, mposhtet rregulli i natyrës.”
(Himn nga Mëngjesorja e Krishtlindjes)
Të papritura janë mënyrat me të cilat vepron Perëndia; të pakapshme për logjikën njerëzore. Ngjarjet e Krishtlindjes na sigurojnë për këtë të vërtetë.
Jisu Krishti, Shpëtimtari i botës, nuk vjen në historinë e njerëzimit si ushtarak apo qeveritar i tërëfuqishëm. Nuk imponohet me anë të fuqisë, pasurisë dhe diturisë së jashtme. Lind në një vend të varfër, në grazhdin e një stalle, në një ambient jomikpritës, indiferent deri në armiqësor. Nëna e Tij e dhembshur, “e mbështolli me shpërgënj dhe e vuri të rrijë në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë” (Llk.2:7).
Bërja njeri e Fjalës së Perëndisë gërshetohet me rrethana kundërshtuese dhe rrugë të shumëllojta pa krye. Para Lindjes, Josifi i drejtë skandalizohet dhe do që të braktisë Nënën e tërëdëlirë të Jisuit. Banorët e Bethlehemit tregojnë indiferencë të plotë për të Tërëshenjtën që është gati të lindë. Ende foshnjë, Jisui kërcënohet nga mania e Herodit paranojak. Mes këtyre kërcënimeve zgjidhja vjen me energji hyjnore në bashkëpunim me virtytin njerëzor të Josifit “të drejtë” dhe të Marisë së panjollëshme.
Rrëfimet e Ungjillorëve për Lindjen na zbulojnë se përkujdesja e Perëndisë ndjek rrugë të panjohura më parë. Kjo ka vlerë jo vetëm për mbarë historinë njerëzore, por edhe për historinë tonë personale. Sa më shumë që lidhemi me Krishtin, me besim të thellë dhe bindje të plotë te vullneti i Tij, problemet e shumëllojta personale, familjare e shoqërore zgjidhen paqësisht. Njëkohësisht, me frymëzimin dhe fuqinë e Tij hyjnore mundemi edhe ne të kontribuojmë në kapërcimin e rrugëve të ndryshme pa krye: Duke çelur hapësira mirëkuptimi dhe pajtimi atje ku të gjitha janë të vulosura nga zemërngurtësia, dyshimi i lig, mendjeshkurtësia, urrejtja, fanatizmi.
Paralelisht, ngjarjet historike të Lindjes së Krishtit përcaktojnë shembullin e jetës për ata që E pasojnë me devocion. Jisui u përul, duke theksuar vlerën e të përulurve. Lindi në vend të varfër, që të mos përbuzen të varfrit. U persekutua, duke theksuar dinjitetin e atyre që ndiqen me të padrejtë. Vuajti, duke frymëzuar dhembshurinë për ata që heqin keq. U mundua si fëmijë, që të mos harrojmë të drejtat dhe nevojat e fëmijëve të botës.
* * *
Por, ekziston edhe një tjetër dimension i Krishtlindjes, ai theologjik dhe kozmologjik, që na e zbulon Ungjillor Joani. Ai thekson faktin se Misteri i madh i Lindjes lidhet me mbarë krijesën: “Në fillim ishte Fjala,… dhe Fjala ishte Perëndi… Dhe Fjala u bë mish dhe qëndroi ndër ne” (Jn. 1:1,14). Ungjillori hedh dritë mbi misterin e Mishërimit që përbën kapërcimin e së pamundurës nga ana njerëzore dhe na fton të shikojmë kuptimin dhe perspektivën e tij më të thellë.
Me gjithë përkimet e vjetra me filozofinë antike greke dhe përpunimin e saj hebraik, koncepti i Fjalës merr një kuptim të ri theologjik tek Ungjilli sipas Joanit. Fjala është Jisu Krishti, Krijuesi i gjithësisë, drita dhe jeta e njerëzimit, i Cili u bë njeri për shpëtimin e botës. Shën Joan Gojarti e përmbledh këtë shkurt: “Dhe mos kërko se si. Se atje ku do Perëndia, kapërcehet rregulli i natyrës. E deshi, e bëri atë të mundur. Zbriti (në tokë) shpëtoi. …Ndërsa ishte Perëndi, bëhet njeri, pa reshtur së qeni Perëndi. Por nuk u bë njeri me tjetërsim të Hyjnisë dhe as u bë përsëri nga njeri Perëndi me zhvillim progresiv. Por, duke qenë Fjala pa pësim, pa kurrfarë tjetërsimi mori mish, pa ndryshuar natyrën e Tij hyjnore” (MigneP.G.56:385-386). Në personin e Krishtit u bashkuan natyra hyjnore dhe ajo njerëzore.
Perëndia i paafrueshëm dhe i pafund mori natyrën njerëzore, duke nxjerrë në pah vlerën e pafundme të njeriut, si në entitetin e tij shpirtëror, ashtu edhe në atë trupor. Si rrjedhojë, ajo që i jep vlerë çdo njeriu nuk është origjina e tij, raca, dijet, aftësitë e tij, gjinia, paraqitja e jashtme, pasuria, por fakti se është njeri.
Shumë, nuk e pranojnë të vërtetën e mishërimit të Fjalës. “Sepse besimi nuk është tek të gjithë” (2Thes.3:2). Ungjillor Joani e nxjerr këtë në pah: “Erdhi në të tijtë dhe të tijtë nuk e pritën atë” (Jn.1:11). Judenjtë që e prisnin si Mesi, nuk e njohën si Shpëtimtar. Të tjerë e quajtën si “dobësi” faktin që “Perëndia u shfaq në mish” (1Tim.3:16). “Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë me anë të tij” (Jn.1:12). Falë besimit të tyre, Perëndia u fal aftësinë dhe pushtetin që të bëhen jo vetëm pasues të Tij, por “bij të Tij”, duke u hapur atyre rrugët për kapërcimin e mëkatit dhe të vdekjes, që të bëhen “pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2Petr.1:3-4). Kjo mundësi unikale vihet në veprim brenda Trupit mistik të Krishtit “që është Kisha”, me hirin dëlirësues të Mistereve.
Sigurisht këto të vërteta nuk imponohen as me dhunë, as me forma intelektuale. Ato mund të përqasen dhe përjetohen “në besim”. Dhe Kisha na fton të përqasemi në këtë mënyrë, veçanërisht në të kremtet e mëdha.
* * *
“Atje ku do Perëndia, mposhtet rregulli i natyrës.”
E kremtja e Krishtlindjes, vëllezërit e mi, na kujton kushtet specifike dhe vështirësitë në të cilat eci, qysh foshnjë, Jisu Krishti, por, mbi të gjitha, faktin se Ai është Fjala, i Cili u mishërua“dhe banoi ndër ne”. Shpesh edhe ne përballemi me kundërvënie të pakapërcyeshme. Le të mos e humbasim mendjen. Besimi në Krishtin fal bindjen se nuk jemi të vetëm në një botë të ashpër. Fjala e mishëruar e Perëndisë mbetet në mënyrë të pandërprerë me ne. Ai jep kuptim, dritë dhe fuqi në çdo fazë të jetës sonë. Ai çel udhë në vende të vështira për të kaluar. Ofron mundësinë e kapërcimit të asaj që është e pamundur nga ana njerëzore. Me sigurinë se “të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë” (Llk.18:27), le të kremtojmë Krishtlindjen, duke marrë frymëzim, besim, qëndrueshmëri dhe shpresë në sprovat e vogla ose të mëdha, në problemet tona personale dhe sociale.
Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të na sjellë paqe!
Me dashuri të thellë më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë