Mesazhi i Kryepiskopit Anastas – Pashkë 2015

https://lh4.googleusercontent.com/-p6oTSlUmOrM/U0UABsfjknI/AAAAAAAAATs/zlJeoFRksRE/s577-no/logo.png
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
 
PASHKË 2015
 
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
 
Ngjallja – Lartësimi i dinjitetit njerëzor
 
 
 
 
    Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,
 
    Bij të shtrenjtë më Zotin,
 
    Krishti u Ngjall!
 
           
    Me Ngjalljen e Tij, Krishti e lartësoi përfundimisht dinjitetin e njeriut, të cilin e rrëzon padrejtësia, dhuna, gënjeshtra, pasionet, mëkati, në përgjithësi, dhe e dërrmon vdekja. Perëndinjeriu Jisu, me pranimin e vullnetshëm të Pësimit dhe, duke triumfuar me Ngjalljen e Tij, mposhti gjithçka që poshtëron dinjitetin njerëzor. Kremtojmë pikërisht këtë triumf që i hapi perspektivë të tërëndritshme qenies njerëzore. Në këtë të kremte plot dritë, Kisha jonë na këshillon të ndërgjegjësohemi më shumë për dinjitetin që na ka dhënë Perëndia.
 
    Nga propozimet e ndryshme fetare ose filozofike në lidhje me dinjitetin njerëzor, më i guximshmi dhe më madhështori mbetet propozimi i besimit të krishterë. Ai bazohet në të vërtetën se njeriu është krijuar “sipas ikonës së Perëndisë” (Gjen.1:26-27, 5:1) dhe i është dhënë mundësia të ecë drejt “ngjashmërisë”, duke përdorur elementin “e llojit hyjnor”, i cili ekziston brenda natyrës njerëzore. Sigurisht, shumë njerëz nuk e pranojnë zbulesën e krishterë dhe formulojnë ide të ndryshme. Por ky fakt nuk ia heq të vërtetën dhe fuqinë  traditës së krishterë, e cila ka qenë nënshtresa shpirtërore për deklaratat mbi të drejtat e njeriut dhe theksimin e veçantë që i bëhet dinjitetit njerëzor.
 
    Besimi i krishterë ngjall te njeriu ndjesinë e vlerës së tij shpirtërore dhe morale. Mendimi theologjik ka theksuar si veçori të ikonës hyjnore të kuptuarin, ndërgjegjen, vullnetin. Në mënyrë të veçantë, theologjia orthodhokse ka theksuar me forcë lirinë dhe dashurinë. Nga zhvillimi i këtyre mundësive shpirtërore varet dhe dinjiteti personal i njeriut.
 
    Për botëkuptimin orthodhoks, njeriu me dinjitet, në thelb, nuk është borgjezi që e ka rregulluar jetën më së miri, por njeriu fisnik me moral, i drejti, i ndershmi, i vërteti. Njeriu që vë në lëvizje të gjitha mundësitë shpirtërore dhe ecën drejt një pjekurie të brendshme të vazhdueshme. Dinjiteti i krishterë gërshetohet me përulësinë spontane, me sigurinë se, ajo që jemi, nuk është vetëm arritja jonë. Sigurisht, dëshira jonë është e domosdoshme, por është i nevojshëm edhe veprimi i Hirit Hyjnor.
 
    Vlera e njeriut, dinjiteti ynë, plotësohet dhe përsoset në rrugën tonë për t’u bërë “pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2Petr.1:4). Shën Grigor Theologu e përkufizon njeriun si “një qenie që, ndërsa jeton këtu, udhëton për në një vend tjetër, dhe qëllimi i misterit është të hyjnizohet, si pasojë e thirrjes së Perëndisë” (Migne 36:632). Me ngjarjet e Pashkës, Krishti “vuan si i vdekshëm dhe, nëpërmjet pësimit, të vdekshmin e vesh me hijeshinë e paprishjes” (Shën Joan Damaskinoi).
 
    Ngjallja e Krishtit përcakton kahun drejt lartësimit të njeriut të krijuar “sipas ikonës së Perëndisë”, i cili, duke vlerësuar thirrjen e tij për të arritur në “sipas ngjashmërisë”, ftohet ta realizojë këtë thirrje duke ndjekur Krishtin, së bashku me Atë, i Cili “… u ngjall të tretën ditë dhe i bëri gati çdo mishi Ngjalljen së vdekurish” (Liturgjia Hyjnore e Shën Vasilit të Madh) dhe i hapi horizonte të reja ekzistencës njerëzore. Ngjallja përcakton plotësinë e njeriut në Krishtin e gjallë dhe e vendos në perspektivën e përjetësisë.
 
    Ky dinjitet ngjallësor i brendshëm duhet të shprehet dhe të rrezatojë, direkt ose indirekt, në jetën sociale, me pranimin dhe respektimin e dinjitetit të çdo njeriu. Pavarësisht origjinës, pozitës sociale ose bindjeve të tij, tjetri, si person njerëzor, është edhe ai i krijuar “sipas ikonës së Perëndisë”, meqenëse mbarë njerëzimi erdhi nga çifti i parë që krijoi Perëndia. Ky ndërgjegjësim e udhëheq besimtarin në një qëndrim më të gjerë respekti e dashurie. Dhe për më tepër, në përpjekjen për mbrojtjen e dinjitetit të bashkënjerëzve tanë, që kërcënohen nga padrejtësia, varfëria, sëmundjet, papunësia, injoranca shpirtërore, aksidentet, të cilat çojnë në dëshpërim dhe mjerim.
 
    Dinjiteti i krishterë, në përgjithësi, iu kundërvihet gjendjeve të këqija të shoqërisë sonë. I kundërvihet aktivitetit kriminal dhe mentalitetit fanatik fetar. Ai është kundër fuqive të ndryshme demoniake të padrejtësisë dhe korrupsionit, të cilat përhapin erën e keqe të Hadhit në shoqërinë tonë. Ky dinjitet, i çliruar nga dëshira për hakmarrje dhe nga frika, karakterizohet nga ndjeshmëria për ta shprehur solidaritetin social me vepra.
 
    Vëllezërit e mi, sot, në ditën e gëzuar të Pashkës, Kisha jonë na fton të ndërgjegjësohemi se dinjiteti është kryesisht çështje e brendshme, lidhet  me bërthamën e personalitetit njerëzor. Na fton të përjetojmë dinjitetin, si përvojë ngjallësore, të dëlirësuar brenda dhimbjes së Kryqit, të mbushur me energjinë dhe shkëlqimin e Ngjalljes. Ajo na thërret të bëhemi të ndërgjegjshëm për misterin e personit njerëzor dhe për qëllimin tonë final. Njëkohësisht na frymëzon të bëhemi qeliza jetësore të shoqërisë, të cilat përpiqen për dinjitetin e bashkënjerëzve tanë dhe të popujve që iu është bërë padrejtësi. Siguria ngjallësore i fal dinjitetit të çdo të krishteri besimtar frymëzim, qëndresë dhe dinamikë të veçantë; ripërtërin vetëndërgjegjshmërinë tonë brenda dritës paskale.
 
 
    Krishti u Ngjall!
 
 
Me të gjithë dashurinë time më Krishtin,
 
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Author: admin