Zyrtarë të lartë të shtetit përhapën publikisht lajmin se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk ka protestuar për ngjarjet e shkatërrimit të kishës së hirshme të Shën Athanasit në Dhërmi. E vërteta është se Kisha ka bërë tri deklarata-protesta. Dy të parat më 20 dhe 21 gusht, për të ndaluar planet e shkatërrimit dhe e treta më 26 gusht, ku protestohet me tone të forta kundër shkatërrimit.
Konkretisht në Protestën e datës 21 gusht theksohet se: “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dënon ashpër këto ngjarje, që cenojnë pronën dhe lirinë e besimit fetar. Ajo i bën thirrje besimtarëve që të ruajnë qetësinë përpara këtyre provokimeve dhe të qëndrojnë të vendosur në mbrojtje të kishës. Ajo kërkon nga shteti të marrë përsipër detyrimet ligjore që rrjedhin nga Ligji nr. 10057/22.01.2009…”.
Në protestën e tretë, të datës 26 gusht, theksohet midis të tjerave edhe sakrilegji, arbitrariteti dhe shkelja flagrante e ligjit: “Ky veprim është në shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057, 22.01.2009, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, Neni 21/1,2: “Ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ndërhyrja e autoriteteve shtetërore në to është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të flagrancës, kur një gjë e tillë kërkohet në zbatim të një urdhri të prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv, ose në rast të kanosjes së një rreziku të afërm. 2. Paprekshmëria e hapësirës publike garantohet nga Shteti. Shteti mbron objektet dhe vendet e caktuara fetare, në përputhje me Ligjin.”
Pra, është krejtësisht e pavërtetë se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk ka protestuar kundër këtyre ngjarjeve.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, si bashkorganizatore e “Takimit Ndërkombëtar për Paqen”, që u zhvillua në Tiranë nga 6-8 shtator 2015, shmangu me takt gjatë këtyre ditëve zhurmën e një proteste publike kundër kësaj shkeljeje skandaloze të lirisë fetare dhe sakrilegji ndaj vendeve të shenjta të kultit. Edhe sot e kësaj dite mbetet e pashpjeguar nga ana e autoriteteve shtetërore se si e kryen këtë akt të rëndë fyes për orthodhoksinë, pa asnjë lloj komunikimi paraprak me Kishën Orthodhokse. Kisha ka protestuar me forcë ndaj këtij veprimi të rëndë dhe nuk do të reshtë kurrë së mbrojturi të vërtetën dhe të drejtën.
Nga Kryepiskopata e Hirshme, 10 shtator 2015