KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË Zyra e Shtypit- Deklaratë-Protestë

KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Zyra e Shtypit
Deklaratë-Protestë
    Në mbrëmjen e datës 15.10.2015, në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë debatit për veprimin arbitrar të shembjes së Kishës së shenjtë të Shën Athanasit në Dhërmi, midis të tjerave, u tha nga ana e Kryeministrit se: “të paktën, këto dy vitet e fundit, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë nuk ka dhënë asnjë lek për restaurimin e kishave ortodokse”. Është për të ardhur keq që organet kompetente shtetërore e kanë informuar në mënyrë jo të plotë Shkëlqesinë e Tij, Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili pa dashur, duke mos folur për të gjithë situatën e përgjithshme, i bëri një padrejtësi Kishës dhe nuk informoi në mënyrë objektive opinionin publik.
    Jemi të detyruar të rikujtojmë, se me gjithë se Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk i kanë kthyer pronat e saj dhe pavarësisht se është përballur me probleme ekonomike, arriti të grumbullojë për këtë qëllim nga donatorë të ndryshëm në mbarë botën, mbi 11 milionë euro dhe me to ka restauruar mbi 60 manastire dhe kisha të shenjta- monumente kulture – në zona të ndryshme të Shqipërisë. Midis këtyre po përmendim manastiret e Shën Jorgjit në Çukë, Shën Dhimitrit në Qeparo, manastirin e Lindjes së Hyjlindëses në Ardenicë, të Fjetjes së Hyjlindëses në Zvërnec, të Shën Nikollës në Cepo, të Fjetjes së Hyjlindëses në Kakome, të Shën Joan Pagëzorit në Voskopojë, të Shën Joan Vladimirit në Elbasan etj. Janë restauruar dhe kisha madhështore, si ato të Eleusës në Përmet, të Kryengjëjve në Gjirokastër, të Shën Nikollës në Grabovë, të Shën e Premtes në Kavajë, të Shën Spiridhonit në Berat, të Shën Gjergjit në Libofshë etj.
    Kjo vepër për mbi 22 vite ndodhet e dokumentuar në informacione të përsëritura në gazetën “Ngjallja”, në kalendarët kishtarë etj. Më tepër informacion në lidhje me këto fakte, çdokush mund të gjejë edhe në botimet e mëposhtme: “Lynette Hope, Resurrection. The Orthodox Autocephalous Church of Albania 1991-2003», «Restaurimi i Kishave Orthodhokse Monumente Kulture në Shqipëri. Tiranë 2005.”; “Vepra ndërtuese e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë

viteve 1992-2012. Volumi I. Tiranë 2012; “Vepra ndërtuese. Përzgjedhje e vëllimit II dhe III”. Tiranë 2014; “Vepra ndërtuese e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë viteve 1992-2012. Volumi II”. Tiranë 2015, për monumentet e Mitropolisë së Gjirokastrës; “Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”, Tiranë 2014.

    Sa i takon shembujve të përmendur, është e domosdoshme të bëhen dy sqarime: Kisha e Shën Athanasit në Karavasta është restauruar në vitin 1999, shumë kohë më parë se të interesohej z. deputet, dhe u shpenzuan nga Kisha 54,830 USD. Në Vuno është realizuar restaurimi i parë i Kishës së Shën Spiridhonit me një shpenzim prej 130,000 USD gjatë viteve 1998-1999, e cila u shkatërrua për shkak të pamundësisë së ruajtjes së kishës nga autoritetet shtetërore. Plani për restaurimin e kishës së Mesopotamit në Sarandë u hartua nga Zyra Teknike e Kishës. Por nuk mund të lihet pa përmendur fakti se vështirësia e mbledhjes së fondeve gjatë dy viteve të fundit, lidhet me faktin se kostot e restaurimeve të mëparshme të Kishës (11 milion euro), u rënduan edhe me taksën 20%-shit, që paguan firmat që morën përsipër realizimin e veprave (duke ndihmuar kështu në fuqizimin e buxhetit të shtetit). Edhe ky fakt i ka dekurajuar donatorët.
    Është i çuditshëm fakti se i gjithë ky kontribut i jashtëzakonshëm i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në këto vite për kulturën, lihet në heshtje gjatë informimit zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë.
   Fatmirësisht, monumentet e restauruara, me praninë e tyre madhështore, përgënjeshtrojnë informacionet e pasakta dhe akuzat e padrejta kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga cilido drejtim të vijnë ato.
16.10.2015
Nga Kryepiskopata e Hirshme

Author: admin