“…Sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht.” (Lluka 2:10-11)
I
Krishtlindja na sjell gjithmonë lajmin e gëzuar se lindi Shpëtimtari; sjell lajmin se tashmë ne nuk jemi vetëm – vetë Zoti është me ne. Ky lajm, i cili është kryelajmi i të gjithë historisë së krijimit, na jep shpresë e ngushëllim, që nën Përkujdesjen Hyjnore, të transformojmë jetën dhe natyrën tonë. Edhe nëse jemi në dëshpërim, në pasiguri, në sëmundje dhe varfëri, prania e Zotit, nëpërmjet hirit hyjnor, mund të ndryshojë gjithçka: dëshpërimin në shpresë, pasigurinë në besim, sëmundjen në jetë dhe varfërinë në burim pasurie shpirtërore. Shën Vasili i Madh na fton në këtë kremtim të madhërishëm me këto fjalë: “Le të kremtojmë shpëtimin e botës dhe lindjen e njerëzimit. Sot faji i Adamit është shlyer. Tani nuk kemi nevojë të themi: ‘ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh’, por, të bashkuar me Atë që zbriti prej qiellit, ju do të pranoheni në qiell.”
Përpara njerëzimit, që kishte refuzuar Perëndinë në rënien, rihapet mundësia për t’u bashkuar përsëri me Krijuesin e tij. Falja dhe shpëtimi i njerëzimit është një dhuratë nga Perëndia, jo nga merita jonë, por nga dhembshuria dhe dashuria e Tij. Dhe si çdo dhuratë tjetër, edhe këtë dhuratë, që të mund ta shijojmë dhe ta gëzojmë, duhet në fillim ta pranojmë, pastaj ta përjetojmë dhe ta bëjmë pjesë të jetës sonë. Dita e sotme na jep shpresën dhe ndihmën prej lartazi, sepse ardhja e Zotit në trup njeriu është dëshmia më e plotë dhe më e sigurtë, se Perëndia nuk na ka braktisur dhe se Ai na do pamasë. Ajo na jep dritën për të parë udhën e drejtë, sidomos në kohë frike, pasigurie, errësire dhe çoroditje, sepse: “Vetëm në dritën e Krishtit ne mund të shohim Perëndinë, të shohim veten tonë dhe të shohim botën, në aspektin e saj të vërtetë; vetëm nëpërmjet drejtimit të Zbulesës hyjnore ne mund të gjejmë shtegun që të çon në jetën e përjetshme. (Shën Inokenti i Kersonesës)
II
Për këtë arsye kremtimi i Krishtlindjes duhet të jetë një thirrje, e cila duhet të depërtojë në thellësi të shpirtit dhe të zemrës sonë dhe të shkundë dhe të zgjojë ndërgjegjen tonë, sepse ne jetojmë sot në një kohë, kur edhe festimet më të rëndësishme, janë bërë sipërfaqësore, duke shmangur kuptimin e vërtetë të tyre. Që të mund të përjetojmë Festën, sipas fjalëve të një shenjtori, ne duhet të kemi mendjen tek ditët e shenjta dhe jo në punët që kemi për të bërë në këto ditë. Për të përjetuar Krishtlindjen, ne duhet të ndalemi e të meditojmë në kuptimin e thellë të saj dhe që të themi vërtetësisht, me gëzim e falenderim, se sot lindi Shpëtimtari, duhet të kuptojmë realisht se nga çfarë Ai na ka shpëtuar. Përjetimi i veprës shpëtimtare të Zotit është një proces pastrues dhe rigjenerues i natyrës sonë dhe një përvojë e pakrahasueshme me ndonjë gjë tjetër Nëpërmjet kësaj përvoje lind një mirënjohje e thellë dhe ndizet në zemrat tona një dashuri e zjarrtë për Zotin dhe për njerëzit, gjë që e largon urrejtjen dhe egoizmin, largon errësirën, frikën dhe pasigurinë dhe i jep jetës kuptim e gëzim. Ajo na jep jetë, sepse Zoti erdhi që të gjithë “të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Jn.10:10). Është pikërisht kjo përvojë dhe kjo jetë e plotë që na dhuron Jisu Krishti, e cila na jep forcë, kurajo e shpresë për të përballuar të gjithë kryqet dhe vështirësitë e udhëtimit tonë në këtë botë. Është kjo përvojë dhe kjo “jetë e re”, ajo që e transformon natyrën tonë dhe i jep asaj dimensionin e vërtetë.
III
Duke shpjeguar Krishtlindjen, si edhe kuptimin dhe mesazhin e saj për ne, Shën Efrem Siriani shkruan: “E pastër është nata e sotme, në të cilën u shfaq i Pastërti, i Cili erdhi për të na pastruar! Le të bëhet i pastër dëgjimi ynë dhe shikimi i syve tanë i dlirë dhe ndijimi i zemrës i shenjtë dhe të folurit e gojës sonë i sinqertë! Nata e sotme është nata e pajtimit; prandaj, asnjë të mos jetë i zëmëruar me vëllain e tij dhe ta fyejë atë! Kjo natë dha paqe në tërë botën dhe kështu, asnjë të mos jetë i kërcënuar. Kjo është nata e më të Butit; asnjë të mos jetë mizor! Kjo është nata e të Përunjurit; asnjë të mos jetë kryelartë! Tani është dita e gëzimit; asnjë të mos hakmerret për fyerjet! Tani është dita e vullnetit të mirë; asnjë të mos jetë i ashpër. Në këtë ditë të qetësisë, asnjë të mos trazohet nga inati! Sot Perëndia erdhi te mëkatarët; asnjë i drejtë mos ta lartësojë veten e tij mbi mëkatarët. Sot më i Pasuri u bë i varfër për hirin tonë; le të ftojë i pasuri të varfrin në tryezën e tij! Sot ne morëm një dhuratë që s’e kishim kërkuar; le të dhurojmë tek ata që thërrasin e kërkojnë nga ne! Dita e sotme ka hapur dyert e qiellit për lutjet tona; ashtu edhe ne le t’i hapim dyert tona ndaj atyre që kërkojnë faljen tonë! Sot Hyjnia vendosi mbi Veten vulën e njerishmërisë që njerishmëria të stolisej me vulën e Hyjnisë!”
Prandaj në çdo Krishtlindje ne mbushemi me gëzim dhe shpresë. Gëzohemi sepse Zoti tashmë është me ne dhe prania e Tij sjell siguri në zemrat dhe shpirtrat tanë, për një të ardhme më të mirë, sado e vështirë qoftë e tashmja. Le të ndezë ky lajm në shpirtrat tona dritën e shpresës, sepse ky është mesazhi i Krishtlindjes: të na lajmërojë dhe të na kujtojë vazhdimisht se lindi Shpëtimtari dhe se shpëtimi është real dhe është për të gjithë ne. Le ta çojmë këtë lajm tek të gjithë njerëzit dhe sidomos tek të sëmurët, të vetmuarit, të dëshpëruarit, të varfërit dhe tek të gjithë ata që janë në nevojë dhe në mundim. Perëndia është bashkë me ne dhe aty ku Ai është i pranishëm, atje nuk ka më errësirë, dëshpërim e frikë, por dritë, shpresë e ngushëllim.
Gëzuar Krishtlindjet dhe për shumë vjet!
Mitropoliti i Korçës, Pogradecit,
Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës
† Joani