KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
KRISHTLINDJE 2015
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Sprovat dhe prania e Perëndisë
Klerit dhe popullit shpresëtar,
Bij fort të shtrenjtë më Zotin,
«Besoj në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin,… që u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri.»
1. Shqetësim, dhimbje dhe frikë shtrihen sot në jetën tonë. Varfëri shumëformëshe, emigrime, privime të vështira për t’u përballuar. Shpërthime terroriste agresiviteti e dhune. Dhe pikërisht brenda kësaj trazire, e kremtja e Krishtlindjes vjen si dritë e tërëshkëlqyer ngushëllimi, paqeje dhe shprese.
Ngjarjet në lidhje me Lindjen e Krishtit, siç i përshkruajnë ungjillorët Matthe dhe Lluka, theksojnë se Jisu Krishti, ende foshnjë, përballet me një sërë vështirësish. Lindet pas një udhëtimi të gjatë të së Tërëshenjtës, Nënës së Tij, në një vend të varfër në Bethlehem, banorët e të cilit sillen ftohtë dhe indiferentë. Pason urrejtja e të fuqishmëve, plani djallëzor i Herodit, një persekutim i palogjikshëm dhe i padrejtë, që E detyron të gjejë strehë në Egjipt. Por, në çdo hap të vështirë të jetës së Jisuit të vogël mbizotëron prania e Perëndisë Atë.
Pra, le të mos çuditemi dhe të mos e humbasim mendjen kur gjendemi para vuajtjeve, armiqësive, padrejtësive, varfërisë, indiferencës dhe rrugëve pa krye. Sprovat janë pjesë e jetës njerëzore. Le të mësojmë të përballemi paqësisht me to. Mbi të gjitha, me besim dhe shpresë në përkujdesjen dhe praninë e Perëndisë. Madje edhe në fazat e errëta të jetës sonë, kur na shtrëngojnë kërcënime, privime, sëmundje, dështime, kumbon në mënyrë ngushëlluese vargu i Psalmistit: “Nëse eci në mes të hijes së vdekjes, nuk do të kem frikë nga të këqijat, se ti me mua je” (Ps. 22:4).
Ndjesia e pranisë së kudondodhur dhe të përhershme të Perëndisë na ngushëllon, na fuqizon dhe na siguron rezistencë e paqe në dhimbje dhe në hidhërime. Gjithashtu, e mbush shpirtin me dritë ngazëllimi në kohë suksesi e krijimi.
2. Njohja e pranisë dhe e përkujdesjes së Perëndisë në botë ishte një e vërtetë e pranuar qysh nga zbulesa e Dhiatës së Vjetër. E Reja tronditëse që thekson e kremtja e Krishtlindjes është, se Perëndia jo vetëm që është i pranishëm në botë, por se Biri dhe Fjala e Tij “u mishërua”, mori natyrën njerëzore. Kjo zbulesë e dallon besimin e krishterë nga besimet e tjera fetare. Simboli i besimit të krishterë nënvizon: “Besoj në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin,… që u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri”.
Që nga ai çast, të gjithë sa besojnë në Atë dhe pagëzohen në emrin e Trinisë së Shenjtë bëhen gjymtyrë të trupit mistik të Krishtit “që është Kisha” (Kol. 1:24). Marrin Hirin dhe fuqinë për të qëndruar “në Atë”, të gjenden në një kungim personal me Krishtin.
Përjetimi që e paqëson besimtarin e krishterë është diçka më intensive sesa prania e thjeshtë hyjnore. Është “kungimi” ekzistencial me Fjalën e Perëndisë të bërë njeri, me Jisu Krishtin. “Fjala e Shfaqur, për këtë arsye e bashkoi veten e tij me natyrën e vdekshme të njerëzve, që ta bashkëhyjnizojë njeriun nëpërmjet kungimit me Hyjninë”, siç na e shpjegon shën Grigori i Nisës. Me “mishërimin” e Tij, Biri i Perëndisë na ofroi të drejtën e pakonceptueshme “për të qëndruar në Atë”, për të marrë pjesë mistikisht në jetën e dashurisë së Trinisë së Shenjtë. Ungjillori Joan e formuloi në mënyrë lakonike të vërtetën e mrekullueshme, që e përmbledh në Dhiatën e Re: “Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16).
Krishti në mënyrë të përsëritur iu referua misterit të marrëdhënies së Tij me Atin e Tij Qiellor. “Besomëni se unë jam tek Ati, dhe Ati tek unë” (Jn. 14:11). Dhe “ai që më dërgoi është bashkë me mua. Ati nuk më la vetëm, sepse unë bëj përherë ato që i pëlqejnë” (Jn. 8:29). Në këtë marrëdhënie kungimi me Atë i fton të gjithë nxënësit dhe apostujt e Tij, ku me qartësi deklaroi: “Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë, dhe Ati im do ta dojë, dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë banesë tek ai” (Jn. 14:23). Pra, parakusht për “kungimin” me Perëndinë është përshtatja e sjelljes sonë me fjalën e Tij, me vullnetin e Tij, me parimet që Ai përcaktoi: me drejtësinë, dashurinë për të vërtetën, zemërgjerësinë, faljen, dëlirësinë, përulësinë dhe vetësakrifikimin.
* * *
Vëllezërit e mi, dhurata më e madhe që na ofrojnë Krishtlindjet, është siguria se Perëndia “është me ne”. Perëndia i pafund dhe i tërëfuqishëm, i pakohshëm dhe i panxënshëm, Ai që është Dashuri, hyri në kohën dhe në hapësirën tonë. “Dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16). Ai që do dhe ndien vazhdimisht praninë e Perëndisë, kungimin me Fjalën e Tij të bërë njeri, nuk ka frikë askënd dhe asgjë. “Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (1Jn. 4:18), çdo formë frike.
Le të lutemi që Perëndia në Trini të na japë Fuqinë e Tij, që të mos përkulemi nga hidhërimet, padrejtësitë, vuajtjet që ngrihen në rrugën tonë; që të mbështesë ndjesinë e pranisë së Atit qiellor, sigurinë se në qendër të historisë njerëzore mbizotëron Emanueli- Krishti. Dhe me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, sprovat të transformohen në mundësi pjekurie shpirtërore dhe shenjtërimi.
Krishtlindjet le të na sjellin paqe, Viti i Ri qoftë i bekuar dhe krijues!
Me dashuri të thellë më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Mesazhi i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Krishtlindje 2015 from Koash on Vimeo.