U zhvillua Mbledhja përgatitore e Primatëve Orthodhoksë për Sinodin e Madh dhe të Shenjtë

 Nga, 22-28 janar 2016, në Chambesy të Gjenevës, në Qendrën Orthodhokse të Patriarkanës Ekumenike, me ftesë të Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, Vartholomeu I, drejtuar Primatëve të Kishave të shenjta Orthodhokse, filloi Mbledhja përgatitore për Sinodin e Madh dhe të Shenjtë.
    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua në takim nga Primati i saj, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, si dhe nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani dhe Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri.
    Në takim munguan për arsye shëndetësore Patriarku i Antiokisë Joani X dhe Mitropoliti i Varshavës, Sava, si dhe Kryepiskopi i Greqisë, Jeronimi, për arsye personale. Këta Primatë u përfaqësuan nga një delegacion i autorizuar prej tyre.
   Ditën e diel, më 24 janar, u krye një Liturgji Hyjnore në Kishën e Shenjtë të Apostull Pavlit, nën drejtimin e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Vartholomeu I, në bashkëmeshim me Primatët e tjerë.
    Mbledhja trajtoi çështje në lidhje me parapërgatitjen e Sinodit të Madh dhe të Shenjtë, që do zhvillohet këtë vit. Ajo do të mbahet nga 16-27 qershor, në Hania të Kretës, ne mjediset e Akademisë Teologjike Orthodhokse. Sinodi do të drejtohet nga Patriarku Ekumenik Vartholomeu me praninë e Primatëve Orthodhoksë dhe delegacioneve përfaqësuese nga të gjitha Kishat Orthodhokse. Gjithashtu, të Dielën e Pentikostisë, më 19 qershor, do të ketë një bashkëmeshim të të gjithë Primatëve Orthodhoksë në katedralen e Shën Minait, në Heraklio.

Author: admin