Dreka në mencën e Mitropolisë së Shenjtë Korçë me rastin e Pashkës, për vëllezërit në nevojë!

Mitropolia e Shenjtë Korçë dhe vetë Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Joan kujdesen për njerëzit në nevojë sipas vetë porosisë së Zotit tonë Jesu Krisht. Çdo ditë Mitropolia e Shenjtë në mencën e saj përkujdeset që të kenë një pjatë gjellë të ngrohtë shumë njerëz në nevojë të qytetit tonë. Me qindra njerëz ushqehen atje çdo ditë dhe natyrisht në këtë vepër ndihmojnë dhe shumë besimtarë të orthodhoksë. Një komunitet që kujdeset për njerëzit në nevojë tregon më së miri që ka vlera të larta shpirtërore të cilat e frymëzojnë dhe është garanci që gjërat do të shkojnë më mirë. Kjo mencë përbën shprehjen më të mirë të dashurisë ndaj të afërmit pa asnjë lloj dallimi dhe diferencimi apo klasifikimi. Përbën shprehjen me vepra të dashurisë së vërtetë, që nuk pret këmbim apo shpërblim, ashtu siç na i tregoi Zoti ynë Jesu Krisht dhe se ne të krishterët orthodhoksë i ruajmë ato porosi dhe atë shembull, me devotshmëri. Sidomos në ditët kur të gjithë festojmë nevoja për të treguar dashuri merr një rëndësi të veçantë dhe na kujton se duhet këtë vepër të madhe bamirësie të ruajmë dhe të kontribojmë të gjithë së bashku për të zbutur dhimbjen e të afërmit tonë në nevojë. Kjo pra është Kisha jonë, është shprehja e dashurisë së Zotit në veprim dhe që ndikon mbi të gjithë njerëzit rreth saj me vepra.

Kështu dhe sot si çdo ditë u shtrua në mencën e Mitropolisë dreka për vëllezërit tanë në nevojë. Vetë Hirësia e Tij +Joani ishte prezent për të ndihmuar në shtrimin e drekës. Me shumë dashuri uroi dhe shërbeu por dhe ju drejtua të gjithëve me dy fjalë për mediat të cilat do ti ndiqni në videon që pason.

Le të ndihmojmë së gjithë së bashku dhe të ruajmë si gjënë më të shtrenjtë këtë formë të të shprehurit të dashurisë sepse ai që “jep lëmoshë i jep hua Perëndisë” dhe Zoti gjithmonë me një mënyrë apo një tjetër do t’ia shpërblejë. 


Author: admin