Kryqi dhe Ngjallja – Mesazhi i Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij +Joanit, Pashkë 2017


Pashka 2017  
Kryqi dhe Ngjallja
I
Pashkë do të thotë
kalim dhe ishte përkujtimi historik i kalimit të popullit të Perëndisë nga
skllavëria drejt dritës së lirisë. Ky çlirim u bë nga dora e fortë e Zotit dhe
nga ndërhyrja e tij çlirimtare në historinë njerëzore, sepse në atë kohë
populli ishte i pafuqishëm të çlirohej vetë. Por kremtimi i saj për ne nuk
është thjesht një përkujtim historik, sepse gjithçka që preket nga Perëndia bëhet
transhistorike dhe është për të gjitha kohërat. Gjithashtu, kremtimi i Pashkës
nuk është thjesht një paraqitje dramatike e Ngjalljes së Krishtit, por një
përjetim real i Ngjalljes së Tij, i fitores së Tij, që ndriçon përjetësisht mbi
natën e vazhdueshme të së keqes, urrejtjes dhe errësirës.
Edhe sot kremtimi i
saj për ne, ashtu si çdo vit, është pikërisht përjetimi i kalimit nga vdekja në
jetë, nga errësira e gënjeshtrës në dritën e të vërtetës. Pa këtë përjetim
kremtimi do të mbetet i sipërfaqshëm dhe i padobishëm. “Çfarë përfitimi është
të kremtoni – shkruan shën Ambrozi – nëse ju nuk imitoni Atë që ju adhuroni,
nëse ju vetë nuk kaloni nga errësira e keqbërjes në dritën e virtutit.” Pashka
është një kalim i përjetshëm nga vdekja në jetë dhe nga dëshpërimi në shpresë,
sepse ngjallja nuk dha një gëzim që zgjati vetëm një ditë, por dha një dritë e
shpresë që depërton në të gjitha ditët e jetës sonë, dhe nëpërmjet saj jeta
jonë rinohet, duke na çliruar nga mëkati dhe vdekja. Prandaj kjo është dita e
shpallur nga profetët si dita që bëri Zoti, si dita që nuk ka natë, sepse
errësira është zhdukur nga prania e vetë Zotit.
II
“Kremtojmë vdekjen e vdekjes, shkatërrimin e Hadit  dhe fillimin e një jete tjetër të re pa
mbarim.”
Kështu këndojmë
në këtë të kremte të madhe, sepse sot kremtojmë dhe përjetojmë ngjalljen e
Krishtit dhe fitoren e tij mbi vdekjen, armikun e përbashkët të gjithë racës
njerëzore. E shpallim çdo vit me ngazëllim këtë kryelajm të gëzuar, sepse e
gjithë historia e krishtërimit ngrihet mbi themelet e Ngjalljes së Krishtit. Nëse
Krishti nuk u ngjall – shkruan shën Pavli – atëhere predikimi ynë është i kotë
dhe i kotë është besimi juaj. Sepse vetëm kur njeriu jeton me besimin në
Ngjalljen, vetëm atëhere ai jeton mbi vdekjen dhe errësirën. “Besimi yt të
shpëtoi” janë fjalët që shoqërojnë shpesh shërimet e Zotit.
Nga ky besim shpirti ynë mund të
mbushet plot shpresë e dritë dhe jeta jonë mund të hyjë në rrugën e një
dimensioni të përjetshëm.
Besimi në
Ngjalljen e Krishtit është fitorja jonë dhe nëpërmjet tij edhe ne mund të mundim
vdekjen.
Prandaj apostulli thërret me triumf: “O Vdekje ku është thumbi yt, O Had ku është fitorja jote?”, sepse Ngjallja
e Krishtit ia hoqi thumbin vdekjes dhe i dha njeriut plotësinë e jetës. Ngjallja
e Tij na fton të gëzohemi, se duke mundur vdekjen, Krishti u bë vendi i të
gjallëve, vendi i gëzimit dhe vendi i shpresës. Në jetën e njeriut vdekja është
frika më e madhe dhe çlirimi prej saj është shpëtimi i vërtetë, shpëtim, të cilin
kisha e shpall gjithmonë me gëzim, duke lavdëruar dhe falenderuar Atë që mundi
vdekjen, Krishtin Shpëtimtarin tonë.
III
Por Ngjallja nuk mund të ndahet nga Kryqi dhe të dyja ngjarjet,
ndonëse të veçanta, janë të ndërlidhura mistikërisht me njëra-tjetrën. Nëse
predikojmë kryqin kemi predikuar edhe ngjalljen dhe nëse predikojmë ngjalljen
nuk mund të përjashtojmë kryqin, sepse nuk mund të kemi njërën pa tjetrën. Kryqi
pa ngjalljen nuk do të ishte gjë tjetër veçse një tragjedi pa kuptim dhe
ngjallja nuk mund të realizohej pa kryqin, sepse  kuptimi i kryqit zbulohet në ngjalljen dhe
ngjallja është treguesi i fitores së kryqit. Prandaj në himnet e kishës e quajmë
kryqin jetëbërës, sepse me drurin e kryqit është ndërtuar shtëpia e shpëtimit
dhe rruga drejt tij është rruga drejt ngjalljes dhe jetës së vërtetë.
Në jetën tonë të gjithë ne hasim kryqe të ndryshëm dhe disa prej
nesh hasin kryqe shumë të rëndë. Në botë ka tragjedira, persekutime, konflikte
e luftëra. Ka njerëz në varfëri, në sëmundje dhe në vetmi. E parë vetëm në
dimensionin njerëzor, njeriu mund të ligështohet dhe shpirti i tij mund të errësohet,
duke e çuar në dëshpërim dhe në një jetë të pashpresë. Por kremtimi i Pashkës na
zbulon sesi Zoti e ktheu instrumentin e vdekjes në burimin e jetës, duke na treguar
se përjetimi i kryqeve dhe i vështirësive tona nën dritën e ngjalljes, mund ti
kthejë edhe ato në burim drite, gëzimi dhe ngushëllimi. Ngjallja e
Perëndi-njeriut dhe përjetimi i kësaj ngjalljeje në jetën tonë e ngre jetën e
njeriut mbi vështirësitë, mbi errësirën dhe mbi vetë vdekjen.
Të dashur vëllezër e motra! Lajmi i mirë se Zoti e mundi
vdekjen dhe errësirën nuk është vetëm për një grup njerëzish, por për të gjithë,
sepse asnjë njeri nuk është i përjashtuar nga dhembshuria dhe dashuria e Zotit.
Le ti mbushim pra zemrat tona me dritën e ngjalljes dhe le të shkojmë kudo ku ka
errësirë për ta përhapur këtë dritë. Le të mbushemi me shpresë dhe le të
shkojmë kudo ku ka dëshpërim për të përhapur këtë lajm shpresëdhënës; sepse me
të vërtetë ka shpresë. Shpresa jonë është kryqi i Krishtit dhe nëse i vendosim
kryqet tona në kryqin e Tij, prej tij do të marrim shpresë dhe shpresa do na
japë dritë e ngushëllim dhe çdo gjë e vdekur tek ne do të ngjallet.
Në këtë kremtim të shenjtë e të gëzuar le të kumbojë përsëri në
zemrat tona dhe kudo lajmi i bekuar se Krishti
u Ngjall!
Gëzuar dhe për shumë vjet
Pashkët! 
Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës,
Devollit dhe Voskopojës

+ Joani 



Author: admin