Kryqi dhe Ngjallja – Mesazhi i Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij +Joanit, Pashkë 2017


Pashka 2017  
Kryqi dhe Ngjallja
I
Pashkë do të thotë kalim dhe ishte përkujtimi historik i kalimit të popullit të Perëndisë nga skllavëria drejt dritës së lirisë. Ky çlirim u bë nga dora e fortë e Zotit dhe nga ndërhyrja e tij çlirimtare në historinë njerëzore, sepse në atë kohë populli ishte i pafuqishëm të çlirohej vetë. Por kremtimi i saj për ne nuk është thjesht një përkujtim historik, sepse gjithçka që preket nga Perëndia bëhet transhistorike dhe është për të gjitha kohërat. Gjithashtu, kremtimi i Pashkës nuk është thjesht një paraqitje dramatike e Ngjalljes së Krishtit, por një përjetim real i Ngjalljes së Tij, i fitores së Tij, që ndriçon përjetësisht mbi natën e vazhdueshme të së keqes, urrejtjes dhe errësirës.
Edhe sot kremtimi i saj për ne, ashtu si çdo vit, është pikërisht përjetimi i kalimit nga vdekja në jetë, nga errësira e gënjeshtrës në dritën e të vërtetës. Pa këtë përjetim kremtimi do të mbetet i sipërfaqshëm dhe i padobishëm. “Çfarë përfitimi është të kremtoni – shkruan shën Ambrozi – nëse ju nuk imitoni Atë që ju adhuroni, nëse ju vetë nuk kaloni nga errësira e keqbërjes në dritën e virtutit.” Pashka është një kalim i përjetshëm nga vdekja në jetë dhe nga dëshpërimi në shpresë, sepse ngjallja nuk dha një gëzim që zgjati vetëm një ditë, por dha një dritë e shpresë që depërton në të gjitha ditët e jetës sonë, dhe nëpërmjet saj jeta jonë rinohet, duke na çliruar nga mëkati dhe vdekja. Prandaj kjo është dita e shpallur nga profetët si dita që bëri Zoti, si dita që nuk ka natë, sepse errësira është zhdukur nga prania e vetë Zotit.
II
“Kremtojmë vdekjen e vdekjes, shkatërrimin e Hadit  dhe fillimin e një jete tjetër të re pa mbarim.” Kështu këndojmë në këtë të kremte të madhe, sepse sot kremtojmë dhe përjetojmë ngjalljen e Krishtit dhe fitoren e tij mbi vdekjen, armikun e përbashkët të gjithë racës njerëzore. E shpallim çdo vit me ngazëllim këtë kryelajm të gëzuar, sepse e gjithë historia e krishtërimit ngrihet mbi themelet e Ngjalljes së Krishtit. Nëse Krishti nuk u ngjall – shkruan shën Pavli – atëhere predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është besimi juaj. Sepse vetëm kur njeriu jeton me besimin në Ngjalljen, vetëm atëhere ai jeton mbi vdekjen dhe errësirën. “Besimi yt të shpëtoi” janë fjalët që shoqërojnë shpesh shërimet e Zotit.
Nga ky besim shpirti ynë mund të mbushet plot shpresë e dritë dhe jeta jonë mund të hyjë në rrugën e një dimensioni të përjetshëm. Besimi në Ngjalljen e Krishtit është fitorja jonë dhe nëpërmjet tij edhe ne mund të mundim vdekjen. Prandaj apostulli thërret me triumf: “O Vdekje ku është thumbi yt, O Had ku është fitorja jote?”, sepse Ngjallja e Krishtit ia hoqi thumbin vdekjes dhe i dha njeriut plotësinë e jetës. Ngjallja e Tij na fton të gëzohemi, se duke mundur vdekjen, Krishti u bë vendi i të gjallëve, vendi i gëzimit dhe vendi i shpresës. Në jetën e njeriut vdekja është frika më e madhe dhe çlirimi prej saj është shpëtimi i vërtetë, shpëtim, të cilin kisha e shpall gjithmonë me gëzim, duke lavdëruar dhe falenderuar Atë që mundi vdekjen, Krishtin Shpëtimtarin tonë.
III
Por Ngjallja nuk mund të ndahet nga Kryqi dhe të dyja ngjarjet, ndonëse të veçanta, janë të ndërlidhura mistikërisht me njëra-tjetrën. Nëse predikojmë kryqin kemi predikuar edhe ngjalljen dhe nëse predikojmë ngjalljen nuk mund të përjashtojmë kryqin, sepse nuk mund të kemi njërën pa tjetrën. Kryqi pa ngjalljen nuk do të ishte gjë tjetër veçse një tragjedi pa kuptim dhe ngjallja nuk mund të realizohej pa kryqin, sepse  kuptimi i kryqit zbulohet në ngjalljen dhe ngjallja është treguesi i fitores së kryqit. Prandaj në himnet e kishës e quajmë kryqin jetëbërës, sepse me drurin e kryqit është ndërtuar shtëpia e shpëtimit dhe rruga drejt tij është rruga drejt ngjalljes dhe jetës së vërtetë.
Në jetën tonë të gjithë ne hasim kryqe të ndryshëm dhe disa prej nesh hasin kryqe shumë të rëndë. Në botë ka tragjedira, persekutime, konflikte e luftëra. Ka njerëz në varfëri, në sëmundje dhe në vetmi. E parë vetëm në dimensionin njerëzor, njeriu mund të ligështohet dhe shpirti i tij mund të errësohet, duke e çuar në dëshpërim dhe në një jetë të pashpresë. Por kremtimi i Pashkës na zbulon sesi Zoti e ktheu instrumentin e vdekjes në burimin e jetës, duke na treguar se përjetimi i kryqeve dhe i vështirësive tona nën dritën e ngjalljes, mund ti kthejë edhe ato në burim drite, gëzimi dhe ngushëllimi. Ngjallja e Perëndi-njeriut dhe përjetimi i kësaj ngjalljeje në jetën tonë e ngre jetën e njeriut mbi vështirësitë, mbi errësirën dhe mbi vetë vdekjen.
Të dashur vëllezër e motra! Lajmi i mirë se Zoti e mundi vdekjen dhe errësirën nuk është vetëm për një grup njerëzish, por për të gjithë, sepse asnjë njeri nuk është i përjashtuar nga dhembshuria dhe dashuria e Zotit. Le ti mbushim pra zemrat tona me dritën e ngjalljes dhe le të shkojmë kudo ku ka errësirë për ta përhapur këtë dritë. Le të mbushemi me shpresë dhe le të shkojmë kudo ku ka dëshpërim për të përhapur këtë lajm shpresëdhënës; sepse me të vërtetë ka shpresë. Shpresa jonë është kryqi i Krishtit dhe nëse i vendosim kryqet tona në kryqin e Tij, prej tij do të marrim shpresë dhe shpresa do na japë dritë e ngushëllim dhe çdo gjë e vdekur tek ne do të ngjallet.
Në këtë kremtim të shenjtë e të gëzuar le të kumbojë përsëri në zemrat tona dhe kudo lajmi i bekuar se Krishti u Ngjall!
Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët! 
Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës,
Devollit dhe Voskopojës

+ Joani 



Author: admin