+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
PASHKË 2017
Ripërtëritje me ngazëllim
“Që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re” (Rom. 6:4)
Triumfi i Ngjalljes së Jisu Krishtit mbi padrejtësinë, dhunën e mbi të gjitha mbi mëkatin dhe vdekjen, që është plotësimi i veprës së Tij mbi dhé për ripërtëritjen e mbarë botës, e mbushin përsëri me ngazëllim zemrën tonë. Krishti, Biri i Perëndisë dhe “Biri i njeriut”, jo vetëm që duroi vdekjen e tmerrshme në Kryq, por të tretën ditë u ngjall së vdekurish, “me anë të fuqisë së lavdishme të Atit” dhe mbetet përgjithnjë Zoti i Ngjallur. Ngjallja është vula që siguron unikalitetin madhështor të Jisu Krishtit. Miliarda njerëz erdhën në këtë botë; shumë prej tyre çuditën me inteligjencën, fuqinë dhe entuziazmuan turmat, por, në fund, të gjithë u mposhtën nga vdekja. Jisui, me sakrificën dhe Ngjalljen e Tij, e shkeli vdekjen dhe e shfuqizoi pushtetin e saj.
Kisha, Trupi mistik i Krishtit, jeton dhe vepron në rrjedhën e kohës brenda dritës së Ngjalljes së Tij. Veçanërisht ne Orthodhoksët e kremtojmë dhe e përjetojmë Pashkën në mënyrë intensive.
Në këtë të kremte të tërëndritshme, nuk meditojmë thjesht për një ngjarje historike tronditëse, por ftohemi të shkojmë drejt ripërtëritjes së rrugës sonë shpirtërore, “që të ecim në jetë të re”. E kremtja e Pashkës na fton gjithashtu të ndërgjegjësohemi për të kuptuar më thellë pagëzimin tonë. Apostulli i Liturgjisë Hyjnore të së Shtunës së Madhe na mëson: “Sa u pagëzuam në Jisu Krishtin, në vdekjen e tij u pagëzuam; u varrosëm bashkë me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re” (Rom. 6:3-4).
Krishti i Ngjallur na fton në ripërtëritje të vazhdueshme “në një krijesë të re” (2 Kor. 5:17). Ai na fton të ripërtërijmë marrëdhënien tonë personale me Atë. Ripërtëritja e vazhdueshme shpirtërore vetjake është element përcaktues i jetës së krishterë. Ftohemi të ripërtërijmë besimin tonë në fuqinë e Perëndisë, në Përkujdesjen dhe në Planin e Tij çlirimtar, që të jetojmë në Krishtin, të fuqizojmë përpjekjen tonë që të sundojë e vërteta dhe drejtësia, si dhe të forcohen solidariteti e dashuria. Krishti na fton të ripërtërijmë sigurinë se shpresa do të shpërbëjë dëshpërimin, jeta do të mposhtë vdekjen.
* *
Kjo ripërtëritje shumë e fuqishme kryhet brenda ngazëllimit paskal me anë të gëzimit që Ngjallja rrezaton brenda nesh. Ne besimtarët, të pagëzuar në emrin e Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, e ndiejmë këtë gjë më thellë. Sa më e ndërgjegjshme bëhet siguria jonë në Ngjalljen e Krishtit, aq më shumë fuqizohet ripërtëritja dhe ngazëllimi ynë.
Por rrezatimi i ngazëllimit paskal përhapet shumë më gjerë. Ashtu si fotonet dalin prej dritës diellore dhe shkojnë në vendet më të largëta e të errëta të krijesës, edhe rrezet e ndritshme të gëzimit paskal prekin në mënyrë mistike ata që ndodhen larg saj apo lëkunden midis besimit dhe mosbesimit.
Ngazëllimi paskal na dhurohet për ta ndarë më pas edhe me njerëz të tjerë. Për Pashkë është zakon që, sapo të ndezim llambadhen tonë, ta çojmë flakën e saj edhe te të tjerët. Kjo simbolizon detyrimin e besimtarëve për të transmetuar, njësoj si apostujt, Lajmin e Gëzuar të Ngjalljes. Zoti i Ngjallur na siguron se “m’u dha çdo pushtet në qiell dhe përmbi dhe”. Dhe këtë e plotësoi duke na thënë: “Shkoni, pra, dhe mësoni të gjitha kombet…”. Këtu kemi të bëjmë me një pasojë, me një “pra”: nuk mundeni të kufizoheni në shpëtimin dhe ngazëllimin tuaj personal, por duhet ta përhapni Lajmin e Gëzuar edhe tek ata që nuk e njohin. Ky lajm nuk mund të mbahet i mbyllur vetëm brenda një komuniteti, është për mbarë njerëzit, për popujt, për ripërtëritjen e botës.
Dhe një sqarim tjetër i nevojshëm: Pashka nuk është një e kremte e kufizuar vetëm në një ditë ose vetëm në një periudhë të caktuar, rrezatimi i saj përhapet gjatë gjithë vitit. Çdo të Diel, sipas traditës adhuruese orthodhokse, mendimet, himnet kishtare, zemra jonë mbushen përsëri nga lajmi i gëzuar i Ngjalljes. Fryma e Ngjalljes dhe morali i saj vulosin jetën e krishterë. Shpresa e Ngjalljes i fal kuptim rrugës sonë. Kisha Orthodhokse është mbi të gjitha Kisha e Ngjalljes.
* * *
Bij të shtrenjtë më Zotin, le ta kremtojmë, pra, këtë vit, me ndërgjegjësim sa më të madh, të kremten e tërëndritshme të Pashkës. Dhe le t’i lutemi Zotit të Ngjallur të ripërtërijë jetën tonë me të vërtetën e Tij. Të ripërtërijë fuqinë tonë mes vështirësive të ndryshme të epokës sonë. Të na dhurojë fuqi që t’i bëjmë rezistencë dekadencës. Të ripërtërijë entuziazmin tonë për nisma krijuese. Ndaj le të jetojmë çdo ditë me ngazëllimin paskal, i cili nuk e injoron realitetin e ashpër të jetës, por e tejkalon dhe e transformon me hirin dhe fuqinë e Krishtit të Ngjallur.
Pra, ripërtëritja që buron prej ngazëllimit paskal, le të jetë aspirata dhe përkujdesja jonë.
Krishti u Ngjall!
Me dashuri të tërëshpirtshme më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Prill 2016