KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Disa qarqe, kohë pas kohe, lëshojnë sharje të ndryshme, me sajesa e trillime të gënjeshtra, për të fyer personalitete të Kishës Orthodhokse. Së fundmi, një libër fyes u prezantua në Panairin e Librit, në Tiranë. Bëhet fjalë për gjoja “romanin” me titull “Djaj në veladon” të Sejdi Kondit, botim i shtëpisë botuese “Çamëria”, i promovuar nga një stendë me orientime politike të caktuara. Ky libër është një përçartje fantazie e sëmurë, shfaqet si roman, por përmend direkt dy emra historikë, shën Kozmain e Kolkondasit (Fier) dhe Kryepiskopin Anastas. Kopertina e librit përbëhet nga ikona e të parit dhe fotografia e të dytit. Është më se e qartë se qëllimi i librit është të godasë autoritetin e tyre, t’u baltosë emrin, duke shpikur dialogë imagjinarë dhe duke e shtrembëruar krejtësisht historinë e tyre. Por pikësëpari, fyen të gjithë orthodhoksët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën orthodhokse, që i nderojnë dhe i respektojnë këto figura në mënyrë të veçantë.
Protestave të forta, të bëra brenda vendit dhe jashtë tij, jemi të detyruar t’u shtojmë protestën zyrtare të Kishës Orthodhokse drejtuar shkrimtarit, shtëpisë botuese dhe qarqeve politike që këmbëngulin për promovimin e këtij libri. Ka ardhur koha që ky sakrilegj i padëgjuar të marrë fund dhe të hiqet nga qarkullimi ky libër i turpshëm, që fyen jo vetëm komunitetin orthodhoks, por përbën një stonaturë në harmoninë fetare, për të cilën mburret vendi ynë dhe minon bashkekzistencën paqësore.
Kisha Orthodhokse sigurisht që do ta vazhdojë e paepur veprën e saj krijuese, duke rrezatuar dashuri e shpresë në të gjitha drejtimet. Shën Joan Gojarti ka shkruar qysh në shekullin e 4-t pas Krishtit, në lidhje me fenomenin e mësipërm: “Kisha fiton, kur e luftojnë; kur bëjnë plane kundër saj, më shumë forcohet; kur shahet bëhet më e shndritshme,… gjithmonë lulëzon”.

Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
27.11.2017
27.11.2017