U kremtua 100-vjetori i rivendosjes së Patriarkanës së Moskës

U kremtua 100-vjetori i rivendosjes së Patriarkanës së Moskës
Mori pjesë një përfaqësi e Kishës sonë, e kryesuar nga Kryepiskopi Anastas
Nga data 1-4 dhjetor, një përfaqësi e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e

kryesuar nga Kryepiskopi Anastas, vizitoi Rusinë, ku mori pjesë në kremtimet me rastin e 100-vjetorit të rivendosjes së Patriarkanës së Moskës. Në përfaqësinë e Kishës sonë bënin pjesë edhe Mitropoliti i Korçës, Joani, Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe dhjakon Spiro Topanxha. Të pranishëm në kremtime ishin 11 primatë dhe përfaqësi të Kishave Orthodhokse motra.

Me këtë kremtim u kujtua 100-vjetori i zgjedhjes së Shën Tikhonit si Patriark i Moskës. Ai ishte Patriarku i parë i zgjedhur në krye të Kishës Ruse pas një periudhe 200-vjeçare. Patriarku Tikhon ishte një rrëfyes i Orthodhoksisë dhe mbajti mbi supe peshën e persekutimeve kundër Kishës nga bolshevikët.
Të shtunën, më 2 dhjetor 2017, u zhvillua takimi i madh përmbyllës i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ruse. Ai u mbajt në Moskë, në Sallën e mbledhjeve të Katedrales së Krishtit Shpëtimtar. Takimi u kryesua nga Shenjtëria e Tij Patriarku i Moskës dhe Gjithë Rusisë, Kirilli. Të pranishëm ishin edhe primatët e përfaqësuesit ne Kishave Orthodhokse lokale, që morën pjesë në këto kremtime.
Merrnin pjesë edhe Patriarku Theodori II i Aleksandrisë, Patriarku Joan X i Antiokisë, Patriarku Theophili III i Jerusalemit, Patriarku Irinej i Serbisë, Patriarku Daniel i Rumanisë, Kryepiskopi Krisostomos i Qipros, Kryepiskopi Anastas i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Mitropoliti Sava i Varshavës, Mitropoliti Rastislav i Republikës Çeke dhe Sllovakisë etj.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Patriarku Kirill theksoi se seanca e fundit e Sinodit të Kishës Orthodhokse Ruse i dedikohej njëqindvjetorit të rivendosjes së Patriarkanës: “Kjo ngjarje ka ndodhur ndoshta në momentin më të vështirë në historinë tonë kombëtare, kur shkatërrimi revolucionar preku të gjitha sferat e jetës, kur shumë forca të mëdha, si brenda dhe jashtë vendit, u ngritën kundër Kishës së Perëndisë dhe ajo filloi të vuante nga persekutimet e përgjakshme”.
Të shtatë vitet e shërbimit të tij patriarkal, qenë vite të rrëfimit të besimit – jo vetëm për shkak se ai rrezikonte çdo ditë jetën e tij, apo se u burgos, por sepse përditë merrte njoftime për mizoritë e kryera kundër hierarkëve dhe klerit të Kishës Orthodhokse Ruse dhe për viktimat në radhët e besimtarëve. Ai merrte informacione për shkatërrimin e kishave e manastireve, për shkatërrimin e traditës mijëravjeçare orthodhokse të kombit tonë…
Më pas, Shenjtëria e tij falënderoi përzemërsisht primatët dhe përfaqësuesit e Kishave Orthodhokse lokale. “Ne ju mirëpresim me dashuri të veçantë dhe respekt, duke qenë të vetëdijshëm se Kishat që ju drejtoni dhe përfaqësoni, përballuan gjithashtu vështirësi në historinë e tyre… I lutemi Zotit, për të ruajtur të gjitha Kishat tona në unitet, pavarësisht nga rrethanat ndonjëherë shumë të vështira. Tek uniteti qëndron forca jonë…
Mitropoliti Hilarion i Volokolamskut, Kryetar i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë i Kishës Ruse, lexoi mesazhin e përshëndetjes dërguar Patriarkut Kirill nga Shenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu.
Pastaj u vazhdua me përshëndetjet e primatëve të pranishëm dhe ato të primatëve që nuk ishin të pranishëm.
Në takim përshëndeti edhe Kryepiskopi Anastas, i cili foli për hierakët e ndritshëm dhe miriadat e klerikëve e laikëve, të cilët gjatë “natës së gjatë” të persekutimit, qëndruan edhe në mes të vuajtjeve, ashtu si Patriarku Tikhon parashikoi, të qëndrueshëm në besim dhe të gëzuar në Shpirtin e Shenjtë (1Thes. 1:6). Figura e Patriarkut Tikhon të Moskës u kujton Orthodhoksëve detyrimin e tyre konstant për të përmbushur misionin, që për hir të unitetit t’i kundërvihen aspiratave skizmatike dhe të vulosin me martirizim dashurinë e tyre për Krishtin. Ishte kjo mënyra se si Shën Tikhoni përmbushi detyrën e tij apostolike dhe baritore, duke e dhënë dëshminë me veprën e gjakun e tij, brenda dhe jashtë vendit.
Duke iu drejtuar Kryepiskopit Anstas, Patriarku Kirill tha se, “Ne e dëgjuam dëshminë tuaj me kujdes të veçantë, sepse ju jeni i pari Primat i Kishës së Shqipërisë, e cila u ngjall së vdekurish pas shkatërrimit total. E vlerësojmë përvojën e Kishës suaj dhe e kuptojmë tragjedinë që kaloi populli orthodhoks i Shqipërisë, sepse janë të ngjashme me kuptimin tonë të historisë dhe pikëpamjen për të shkuarën, të cilat ju i shpjeguat në mënyrë të shkëlqyer dhe në të njëjtën kohë, me këndvështrimin tonë për të ardhmen.
Të dielën, 3 dhjetor, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga Mitropoliti i Korçës, Joani, Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe dhjakon Spiro Topanxha, morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore në Kishën kushtuar ikonës “Hyjlindësja Mari – Gëzimi i atyre që vuajnë” në Moskë. Kryepiskopi Anastas bashkëmeshoi me Mitropolitin e Volokolamskit, Hilarionin.
Në fund të shërbesës, Mitropoliti Hilarion tha ndër të tjera: “Fortlumturia Juaj ! Ne ju mirëpresim si Primatin e një Kishe martire. Dje, duke folur përpara peshkopëve të Kishës Orthodhokse Ruse, ju thatë se Kisha e Shqipërisë në shekullin XX u kryqëzua, u varros dhe më pas u ringjall. Sot në të gjithë territorin e Shqipërisë ekzistojnë kisha orthodhokse. Edhe pse jo pa pengesa, sot Kisha shqiptare ofron dëshminë e saj për botën.
Zoti premtoi se portat e ferrit nuk do të mbizotëronin kundër Kishës së Tij. Këto fjalë i referohen Kishës së Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Por ne e dimë se Kishat Orthodhokse lokale iu nënshtruan persekutimit në epoka të ndryshme. Dhe Kisha Orthodhokse Ruse kaloi nëpër persekutimet më të rënda dhe mizore në fillim të shekullit XX”.
Ndërsa Kryepeshkopi Anastas theksoi se: “E di se me çfarë heroizmi dhe guximi të madh Kisha Orthodhokse Ruse kaloi sprovat në vitet e komunizmit. Me vëllain tim të dashur, Patriarkun Kirill, kemi qenë së bashku për 48 vite – si në vite të vështira ashtu edhe në vitet e bekuara të kohëve të fundit. Ky unitet në vështirësi dhe në gëzime na karakterizon ne orthodhoksët. I përjetojmë vështirësitë dhe gëzimet e njëri-tjetrit si tonat.
Çdo herë që shërbejmë Liturgjinë Hyjnore, ne ndiejmë unitetin dhe lidhjen tonë me Orthodhoksët e mbarë botës”.
Të hënën, 4 dhjetor, Patriarku i Aleksandrisë Theodhori II kryesoi bashkëmeshimin me primatët e Kishave Orthodhokse lokale në Liturgjinë Hyjnore të kryer në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar, në ditën e 100-vjetorit të Fronëzimit të Shën Tihonit si Patriark i Moskës. Në qendër të kishës ishte vendosur edhe arka me lipsanet e shenjtorit.
Mbrëmjen e 4 dhjetorit primatët e Kishave lokale Orthodhokse u pritën nga Presidenti Putin dhe në Kremlin u dha një koncert festiv kushtuar 100-vjetorit të rivendosjes së Patriarkanës Ruse.

Author: admin