Korçë, 29, 12, 2017
Shkëlqesisë së Tij Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta!
Lënda: Shprehje Falenderimi
Shkëlqesia Juaj zoti Ilir Meta!
Ju lutem pranoni falenderimet dhe mirënjohjen tonë të thellë për aktin fisnik dhe të drejtë, në lidhje me dhënien e shtetësisë shqiptare Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anasatas.
Në mënyrë të veçantë, ne intelektualët e Korçës, kemi kënaqësinë, të konstatojmë se me këtë veprim, Ju së pari, keni ndrequr një padrejtësi të gjatë, që për aq kohë sa vazhdoi, na trishtonte pa masë, jo vetëm për faktin se lidhej me Kryepiskopin tonë, i cili për hir të së vërtetës, për vetë misionin e tij të dashurisë dhe sakrificës, si dhe karakterit universal të vlerave që përmban në vetvete, ka fituar respektin dhe qytetarinë e mbarë botës, por për arsye se kjo shurdhëri e stërzgjatur dhe e pakuptimtë e kreut të shtetit, tregonte më së pari mungesë respekti ndaj nesh, popullit besëmirë orthodhoks, që për më shumë se një çerek shekulli shikonte në personalitetin e liderit të tij, Kryepiskopit Anastas, i cili na përfaqësonte dhe na përfaqëson kaq denjësisht, ringjalljen, progresin dhe dinjitetin e Kishës Orthodhokse.
Me këtë veprim kaq sublim, ju keni treguar respekt ndaj vlerave; dhe fakti që për një kohë kaq të shkurtër, nga zgjedhja Juaj në këtë post, Ju vutë në vend një padrejtësi të madhe, rrit besimin dhe respektin e komunitetit tonë dhe jo vetëm, ndaj Jush dhe institucionit Tuaj të lartë që drejtoni. Për këtë arsye qytetaria korçare do T’ju jetë përherë mirënjohëse.
Intelektualët orthodhoksë të Korçës.