Pashkë 2018 – Mesazhi i Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit!

Related image

Ngjallja e Krishtit është ngjarja më e
madhe dhe më e mrekullueshme e historisë njerëzore. Duke
mundur vdekjen, Krishti mundi çdo të keqe që shkatërron jetën e njeriut dhe deformon
qenien e tij, duke mundësuar kështu triumfin e plotë të jetës mbi vdekjen.
Prandaj kremtimi i Pashkës është aq festiv dhe aq i gëzuar dhe prandaj ne
ngazëllohemi kaq shumë në zemrat tona dhe i këndojmë këngë lavdërimi Ngjalljes
së Krishtit në këtë ditë të ndritshme, në këtë festë të festave. Pa këtë
ngjarje nuk do të kishte besim të krishterë, sepse, pa ngjalljen, besimi ynë do
të ishte thjesht një sistem filozofik, që nuk do të mund të frymëzonte shpirtin
e njeriut dhe aq më pak të restauronte natyrën tonë të rënë. Ishte pikërisht e
vërteta e realitetit të Ngjalljes ajo që ndryshoi besimin dhe jetën tonë dhe historinë
e gjithë botës.
Ngjallja e
Krishtit, të cilën e shpallim çdo vit me gëzim, është për ne afirmimi i
triumfit final të Perëndi-Njeriut në ringritjen e qenies njerëzore. Ajo është ndriçimi
dhe shpjegimi i gjithë mësimit dhe gjithë jetës së Tij. Deri në ngjalljen
Krishti i mësoi njerëzit për jetën e përjetëshme dhe për ngjalljen e të
vdekurve, por me ngjalljen e Tij siguroi vërtetësinë e mësimit të Tij. Ngjallja
është zbulesë e dashurisë dhe fuqisë së Perëndisë, si edhe e shpresës dhe mundësisë
njerëzore për shërim dhe çlirim, nëpërmjet bashkimit me Perëndinë. Sepse, duke
mundur vdekjen, nëpërmjet Kryqit, në njerishmërinë e tij, Krishti hapi dyert e
jetës pambarim për të gjithë njerëzit papërjashtim, duke e çliruar jetën nga
burgu i vdekjes dhe errësirës.
Zoti e mundi
vdekjen njëherë e përgjithmonë, por në zemrat tona, me ndihmën dhe praninë e hirit
të Perëndisë, vetë ne duhet ta mundim atë. Prandaj, për tu bërë pjesëmarrës të
fitores së Ngjalljes së Zotit dhe kremtimit të kësaj fitoreje në jetën tonë, ne
duhet “të kryqëzohemi me Krishtin”, që do të thotë të mundin çdo të keqe në
veten tonë, për të arritur përjetimin real të Ngjalljes dhe gëzimin që buron
nga ajo. Sepse, nëse ne nuk e përjetojmë atë, ne nuk do ta ndjejmë dhe nuk do
ta kuptojmë dot madhështinë dhe rëndësinë e ngjarjes. Ngjallja e Krishtit duhet
të jetë për ne një takim real me Zotin e Ngjallur në të gjitha ditët e jetës
sonë, takim që shëron dhe pastron zemrën tonë, takim që gjallëron dhe përtërin
jetën tonë dhe i jep asaj dimensionin e plotë.
“Le të bëhemi si Krishti, – shkruan shën Grigor Theologu – meqenëse Ai u bë si ne. Le të bëhemi
hyjnorë për hir të Tij, meqenëse Ai u bë njeri. Ai mori me të keqen, që të na jepte
më të mirën. Ai u bë i varfër, që nëpërmjet varfërisë së Tij, ne të mundnim të
bëheshim të pasur. Ai pranoi formën e shërbyesit, që ne të mundnim të rifitonim
lirinë. Ai zbriti poshtë, që ne të mundnim të ngriheshim sipër…Ai u përbuz, që
të mund të na lavdëronte. Ai vdiq, që të mund të na shpëtonte
.” (Ligjëratat
Paskale)
Në botën në të cilën Krishti erdhi mbizotëronte padrejtësia dhe shtypja,
vuajtja dhe frika, luftërat dhe urrejtja, sëmundja dhe pushteti i vdekjes, por
me ngjalljen Ai triumfoi mbi të gjitha të këqiat dhe fitoi mbi vetë vdekjen. Por
sot, në botën që jetojmë, ne i shohim këto plagë përsëri, dhe shumë mund të
thonë: “Ku është pra fitorja?” Me sigurinë e Ngjalljes ne mund të përgjigjemi
se fitorja është në të gjithë ata që besojnë se vdekja nuk mund t’i ndajë nga
Perëndia, se vdekja nuk është më një fitore e të keqes mbi ne, por nëpërmjet
besimit dhe pranisë së Perëndisë në jetën tonë, ajo kthehet në vetë fitoren e
jetës. “
Për mua – shkruan Apostulli
të jetuarit është Krishti dhe të
vdekurit fitim.”
(Fil.1:21)
. Mbretëria e Zotit
nuk vjen nga jashtë, por nga brenda njeriut. Krishti erdhi për të ndërtuar një
tjetër mbretëri në zemrat tona; një mbretëri jo të kësaj bote, një mbretëri
drite, dashurie dhe paqeje, ku nuk ka më errësirë, një mbretëri që transformon
çdo instrument vdekjeje në burim jete, një mbretëri të cilën e presim me mall, me
sigurinë që ajo do të vijë në fund edhe nga jashtë. Vdekje, tashmë mbretërimi
yt ka mbaruar!
Kjo është pra fitorja jonë!
Kështu që sado e
frikshme dhe e errët të jetë bota, sado të rënda të jenë kryqet tona dhe sado e
pashpresë të duket gjendja jonë, le të kemi kurajo e besim, sepse tashmë ne e
dimë se fitorja është arritur, Perëndia e ka mundur vdekjen dhe duke besuar në Perëndinë,
ne marrim pjesë, sëbashku me Atë, në fitoren e Tij. “Në botë – na thotë Zoti – do
të keni shtrëngim, por kini zemër, Unë e munda botën.”
(Jn. 16:33)
Të dashur vëllezër
dhe motra! Le ti besojmë fjalës së Zotit dhe le të mposhtim çdo dyshim dhe
hezitim. Le t’i përgjigjemi thirrjes së Ngjalljes që vdekja u mund dhe jeta
triumfoi. Le ta shpallim kudo me besim dhe mirënjohje këtë lajm të mirë, këtë
mesazh të jetës. Le të këndojnë zemrat tona dhe le të lavdërojë gjithmonë goja
jonë gëzimin e Pashkës dhe dashurinë e Perëndisë për gjithsecilin nga ne, i
Cili na ka premtuar se
do të thajë çdo
lot nga sytë tanë; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brenga, as klithma, as
mundimi.  
(Zb.21:4)
Në këtë festë të
dritës le të këndojmë sëbashku me gëzim se Krishti
u Ngjall!
 
Gëzuar Pashkët dhe për
shumë vjet!
Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës,
Devollit dhe Voskopojës
+ Joani

Author: admin