Mesazhi Pashkë 2018 – Mitropoliti i Korçës, Hirësia e TIj +Joani by Mitropolia e Shenjte Korce on Scribd
Ngjallja e Krishtit është ngjarja më e madhe dhe më e mrekullueshme e historisë njerëzore. Duke mundur vdekjen, Krishti mundi çdo të keqe që shkatërron jetën e njeriut dhe deformon qenien e tij, duke mundësuar kështu triumfin e plotë të jetës mbi vdekjen. Prandaj kremtimi i Pashkës është aq festiv dhe aq i gëzuar dhe prandaj ne ngazëllohemi kaq shumë në zemrat tona dhe i këndojmë këngë lavdërimi Ngjalljes së Krishtit në këtë ditë të ndritshme, në këtë festë të festave. Pa këtë ngjarje nuk do të kishte besim të krishterë, sepse, pa ngjalljen, besimi ynë do të ishte thjesht një sistem filozofik, që nuk do të mund të frymëzonte shpirtin e njeriut dhe aq më pak të restauronte natyrën tonë të rënë. Ishte pikërisht e vërteta e realitetit të Ngjalljes ajo që ndryshoi besimin dhe jetën tonë dhe historinë e gjithë botës.
Ngjallja e Krishtit, të cilën e shpallim çdo vit me gëzim, është për ne afirmimi i triumfit final të Perëndi-Njeriut në ringritjen e qenies njerëzore. Ajo është ndriçimi dhe shpjegimi i gjithë mësimit dhe gjithë jetës së Tij. Deri në ngjalljen Krishti i mësoi njerëzit për jetën e përjetëshme dhe për ngjalljen e të vdekurve, por me ngjalljen e Tij siguroi vërtetësinë e mësimit të Tij. Ngjallja është zbulesë e dashurisë dhe fuqisë së Perëndisë, si edhe e shpresës dhe mundësisë njerëzore për shërim dhe çlirim, nëpërmjet bashkimit me Perëndinë. Sepse, duke mundur vdekjen, nëpërmjet Kryqit, në njerishmërinë e tij, Krishti hapi dyert e jetës pambarim për të gjithë njerëzit papërjashtim, duke e çliruar jetën nga burgu i vdekjes dhe errësirës.
Zoti e mundi vdekjen njëherë e përgjithmonë, por në zemrat tona, me ndihmën dhe praninë e hirit të Perëndisë, vetë ne duhet ta mundim atë. Prandaj, për tu bërë pjesëmarrës të fitores së Ngjalljes së Zotit dhe kremtimit të kësaj fitoreje në jetën tonë, ne duhet “të kryqëzohemi me Krishtin”, që do të thotë të mundin çdo të keqe në veten tonë, për të arritur përjetimin real të Ngjalljes dhe gëzimin që buron nga ajo. Sepse, nëse ne nuk e përjetojmë atë, ne nuk do ta ndjejmë dhe nuk do ta kuptojmë dot madhështinë dhe rëndësinë e ngjarjes. Ngjallja e Krishtit duhet të jetë për ne një takim real me Zotin e Ngjallur në të gjitha ditët e jetës sonë, takim që shëron dhe pastron zemrën tonë, takim që gjallëron dhe përtërin jetën tonë dhe i jep asaj dimensionin e plotë.
“Le të bëhemi si Krishti, – shkruan shën Grigor Theologu – meqenëse Ai u bë si ne. Le të bëhemi hyjnorë për hir të Tij, meqenëse Ai u bë njeri. Ai mori me të keqen, që të na jepte më të mirën. Ai u bë i varfër, që nëpërmjet varfërisë së Tij, ne të mundnim të bëheshim të pasur. Ai pranoi formën e shërbyesit, që ne të mundnim të rifitonim lirinë. Ai zbriti poshtë, që ne të mundnim të ngriheshim sipër…Ai u përbuz, që të mund të na lavdëronte. Ai vdiq, që të mund të na shpëtonte.” (Ligjëratat Paskale)
Në botën në të cilën Krishti erdhi mbizotëronte padrejtësia dhe shtypja, vuajtja dhe frika, luftërat dhe urrejtja, sëmundja dhe pushteti i vdekjes, por me ngjalljen Ai triumfoi mbi të gjitha të këqiat dhe fitoi mbi vetë vdekjen. Por sot, në botën që jetojmë, ne i shohim këto plagë përsëri, dhe shumë mund të thonë: “Ku është pra fitorja?” Me sigurinë e Ngjalljes ne mund të përgjigjemi se fitorja është në të gjithë ata që besojnë se vdekja nuk mund t’i ndajë nga Perëndia, se vdekja nuk është më një fitore e të keqes mbi ne, por nëpërmjet besimit dhe pranisë së Perëndisë në jetën tonë, ajo kthehet në vetë fitoren e jetës. “Për mua – shkruan Apostulli – të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.” (Fil.1:21). Mbretëria e Zotit nuk vjen nga jashtë, por nga brenda njeriut. Krishti erdhi për të ndërtuar një tjetër mbretëri në zemrat tona; një mbretëri jo të kësaj bote, një mbretëri drite, dashurie dhe paqeje, ku nuk ka më errësirë, një mbretëri që transformon çdo instrument vdekjeje në burim jete, një mbretëri të cilën e presim me mall, me sigurinë që ajo do të vijë në fund edhe nga jashtë. Vdekje, tashmë mbretërimi yt ka mbaruar! Kjo është pra fitorja jonë!
Kështu që sado e frikshme dhe e errët të jetë bota, sado të rënda të jenë kryqet tona dhe sado e pashpresë të duket gjendja jonë, le të kemi kurajo e besim, sepse tashmë ne e dimë se fitorja është arritur, Perëndia e ka mundur vdekjen dhe duke besuar në Perëndinë, ne marrim pjesë, sëbashku me Atë, në fitoren e Tij. “Në botë – na thotë Zoti – do të keni shtrëngim, por kini zemër, Unë e munda botën.” (Jn. 16:33)
Të dashur vëllezër dhe motra! Le ti besojmë fjalës së Zotit dhe le të mposhtim çdo dyshim dhe hezitim. Le t’i përgjigjemi thirrjes së Ngjalljes që vdekja u mund dhe jeta triumfoi. Le ta shpallim kudo me besim dhe mirënjohje këtë lajm të mirë, këtë mesazh të jetës. Le të këndojnë zemrat tona dhe le të lavdërojë gjithmonë goja jonë gëzimin e Pashkës dhe dashurinë e Perëndisë për gjithsecilin nga ne, i Cili na ka premtuar se do të thajë çdo lot nga sytë tanë; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brenga, as klithma, as mundimi. (Zb.21:4)
Në këtë festë të dritës le të këndojmë sëbashku me gëzim se Krishti u Ngjall!
Gëzuar Pashkët dhe për shumë vjet!
Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës,
Devollit dhe Voskopojës
+ Joani