Vendosja e gurit të themelit në Kishën e Shën Vasilit në Drenovë!


Korça! Një mitropoli historike dhe me kontribute të shumta në tradita dhe vlera të larta qytetare, arsimdashëse dhe filantropike, me filantropë të shquar të cilët shkruan me shkronja të arta emrat e tyre në jetën dhe zhvillimin e kësaj qendre vlerash fetare dhe qytetare. Me kontributet e mëdha të filantropëve dhe të qytetarëve u themeluan shkollat, kishat e mrekullueshme dhe katedralet madhështore. Të themelosur në besën orthodhokse, duke mos e ndarë asnjeherë kishen nga shkolla, ata besonin se njeriu mund të jetë i plotë vetëm kur shpirti dhe mendja janë të ndriçuar. Kjo frymë, krijoi një trashëgimi të pasur shpirtërore në komunitetin orthodhoks, nga ku buroi dhe vetë vlera e bamirësisë “ku e djathta të mos e dijë se çfarë jep e majta”. Frymëzim, i cili ruhet edhe sot, ndonëse në përmasa më të vogla, por që ka filluar të ringjallet në këtë mitropoli të shenjtë duke ju rikthyer vlerave shpirtërore të stërgjyshërve.

Një nga këto raste është edhe ndërtimi nga themelet i kishës kushtuar shën Vasilit të Madh në fshatin Drenovë, me kontributin personal të zotit Vasil Kapurani. Në datën 25 tetor, Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Imzot Joani vendosi gurin e themelit të kësaj kishe. Gjatë shërbesës Imzot Joani theksoi rëndësinë e kishës në formimin e jetës së komunitetit dhe mirërritjes së tij, duke theksuar se vetëm brenda kishës do të mund të rriten breza të paisur me vlera. Ai iu tha të pranishmëve në këtë shërbesë: “se bekimet që Zoti iu ka dhënë, t’i ndajnë edhe me të tjerët, sepse një i krishterë i vërtetë nuk mendon vetëm për vete. Zoti ka qenë bujar me ne gjatë gjithë këtyre viteve dhe për këtë duhet të jemi mirënjohës ndaj Tij dhe ndaj gjithë njerëzve me anë të së cilëve, Zoti solli këtë bekim tek ne. Tani ka ardhur koha që ta tregojmë këtë mirënjohje me vepra, duke dhënë edhe ne për të ndihmuar kishën dhe njerëzit në nevojë, sepse vetëm në këtë mënyrë do ta kuptojmë se kisha është e jona dhe do ta duam dhe do të përkujdesemi për të. – Ai gjithashtu shtoi – se edhe kishat e mrekullueshme të kësaj mitropolie në shekuj, kanë qenë ndërtuar nga filantropë dhe qytetarë të këtij qyteti”. 

Në fund Hirësia e Tij, falenderoi zotin Vasil Kapurani dhe familjen e tij për këtë dhuratë që i bëri fshatit Drenovë, si dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë ndërtim. duke iu kujtuar të gjithëve për ta rigjallëruar traditën e hirëshme të kontributit për kishën, për shkollat dhe për njerëzit në nevojë. 
E ndërtuar pranë varrezave të fshatit në një pozicion shumë të bukur, tashmë kjo kishë do të shërbejë për të gjithë njerëzit, duke ofruar të gjithë shërbesat fetare.


Author: admin