UNGJILLI Matth. 25: 14-30
Sepse do të vijë pikërisht si një njeri, që kur po largohej në dhe të huaj, thirri shërbëtorët e tij e u dorëzoi atyre pasurinë e tij. 15 Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një; secilit sipas fuqisë së tij; edhe menjëherë iku në dhe të huaj. 16 Atëherë ai që mori të pesë talantat, shkoi e tregëtoi me ato, edhe bëri pesë talanta të tjera. 17 Kështu edhe ai që mori dy, fitoi edhe ai dy të tjera. 18 Po ai që mori njërën, shkoi e gërmoi në dhe, edhe fshehu argjendin e të zotit. 19 Edhe pas shumë kohe vjen i zoti i atyre shërbëtorëve, edhe bën llogari me ta. 20 Edhe si i erdhi pranë ai që pati marrë të pesë talantat, pruri pesë talanta të tjera, duke thënë: Zot, pesë talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre pesë talanta të tjera. 21 I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti. 22 Edhe erdhi pranë edhe ai që pati marrë të dy talantat, edhe tha: 23 Zot dy talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre dy talanta të tjera. I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti. 24 Edhe erdhi pranë edhe ai që pati marrë një talantë, e tha: Zot, të dija se je njeri i ashpër, që korr tek nuk mbolle, dhe mbledh tek nuk shpërndave. 25 Edhe pasi pata frikë, shkova e fsheha talantën tënde në dhe. Ja tek e ke tënden. 26 Edhe i zoti u përgjigj e i tha: Shërbëtor i lig e përtac, ti e dije se unë korr tek nuk mbolla, dhe mbledh tek nuk shpërndava. 27 Duhej pra ta vije argjendin tim te kamatarët dhe kur të vija unë, do të merrja timen bashkë me kamatën. 28 Merrni pra prej atij talantën, edhe jepjani atij që ka të dhjetë talantat. 29 Sepse kujtdo që ka, do t’i jepet dhe do t’i teprojë; edhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka, do të merret prej tij. 30 Edhe shërbëtorin e pavlerë hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.