E Diela e të Lidhurit të Mishit -Nga Atë Mihal Sanellari.

Image result for κυριακή απόκρεω

E Diela e Lidhjes së Mishit                       Matth. 25:31-46

Ungjilli i Gykimit të fundit dhe të përgjithshëm
Vëllezër dhe
motra më Krishtin. Periudha liturgjike në të cilën kemi hyrë, është udhëtimi i çdo
njërit prej nesh drejt Pashkës së Zotit. Udhëtim, që paraprihet nga një kohë
intensive liturgjike, për të na përgatitur të gjithëve për takimin me Zotin e
ngjallur. Një periudhë ekzaminimi, pendimi dhe pastrimi shpirtëror, për të
menduar pak më thellë se kush jemi dhe se kush është destinacioni ynë? Për çfarë
ne jemi krijuar dhe cili është qëllimi i ekzistencës sonë?

Fillimi i
Triodit me paravolinë e Kumerqarit dhe Fariseut, na tregon madhështinë e përulësisë,
jo si një gjendje e të qenurit kokëulur sikundër shpesh keqkuptohet, por si një
njohje e thellë dhe tërësore e të qenit mëkatarë. Mos dallimi i mëkatit dhe i
asaj që bernda nesh diçka nuk shkon mirë, është sëmundja më e madhe shpirtërore
e njeriut, e cila vjen si pasojë e krijimit të një pseudoveteje, ku gjithsecili
dëshiron të shohë veten e tij, si më i miri i të mirëve. Kjo krenari dhe ky
mendim i lartë për veten, shpesh na çon në poshtërimin dhe përçmimin e të tjerëve.
Kushdo që mendon, se është diçka më shumë se të tjerët, i sheh të tjerët me
përbuzje. Çdo njeri që ka një mendim shumë të lartë për veten, egërsohet kundër
të tjerëve. Vetëm përulësia, që është një vetënjohje e lartë mund ta çlirojë
njeriun nga vargonjtë e egoizmit, krenarisë dhe vetëmburjes dhe çdo njeri që
jeton në këtë botë ka nevojë për pendim.

Ndërsa e diela
që lamë pas, na ofron një shembull dhe model të fortë pendimi, si proces shërimi
dhe ardhjeje në vete. Proces, që nuk mund të ndodhë pa kaluar më parë nëpërmjet
përunjësisë. Vetëm vetënjohja dhe idetifikimi sëmundjes nga e cila vuajmë, mund
të na orientojë dhe drejtojë drejt shërimit me anën e pendimit, si medikameti i
vetëm për të çliruar shpirtin nga vargonjtë e rrobërisë të përhumbjes shpirtërore
dhe i rigjetjes së vetes sonë. Një kthjellim i brendshëm, për të përmbushur qëllimin
tonë të ekzistencës, që është takimi dhe bashkim i ynë personal me Zotin.
Gjithsekush nga ne, është krijuar për të përmbushur këtë qëllim dhe pendimi është
dera e rikthimit tonë drejt qëllimit dhe arsys së qenies sonë, si një riorientim
i vazhdueshëm drejt Perëndisë, i cili është fillimi dhe fundi i çdo krijese.

Ndërsa
Ungjilli i së dielës të sotme, që është e diela e të Lidhurit të Mishit, na
kujton të gjithëve gjyqin e fundit. Kisha sot, na fton të ndërgjegjësohemi mbi
gjykimin e fundit, që pavarësisht, se në kohën dhe shoqërinë moderne
konsiderohet si shumë folklorik, do të jetë i pashmangshëm për çdo krijesë njerëzore.
Gjyqi është real, dhe këtë Zoti na i ka zbuluar nga dashuria, askush në atë
moment nuk mund të thotë se nuk e dija. Krishti, na ka zbuluar në ungjill
gjithçka që është e vlefshme për shpirtin tonë, prandaj le të mendojmë pak më
gjatë mbi jetën e tonë. Krishti do të vijë, sepse ka premtuar dhe ajo që ne
pohojmë në Simbolin e Besës është se, ne presim Ardhjen e Tij të Dytë. Por nga
ana tjetër edhe jeta jonë e mbidheshme do të ketë një fund, sado gjatë që të
jetojmë, një ditë do të paraqitemi para Zotit. Dhe Ungjilli i sotëm na tregon
dhe na kujton për paraqitjen tonë përpara Zotit, qoftë paraqitjen tonë
personale, qoftë gjyqin e fundit të përgjithshëm. Si do që ne ta mendojmë, kjo
do të jetë ngjarja finale e jetës sonë, e cila do të tregojë vlefshmërinë e
veprave tona. Çdo gjë që ne kemi bërë në jetë do të jetë realisht e vlefshme nëse
do të na bëjë të vlefshëm përpara Zotit, në të kundërt nuk do të ketë asnjë
vlerë. Të gjitha këndimet e mëngjesores, i referohen kësaj ngjarjeje, duke na
kujtuar pashmangshërinë e saj dhe duke na ndihmuar që të pregatitemi për të
pritur takimin tonë me Zotin.  

Ungjilli i
sotëm, tregon se kur të vijë Biri i Njeriut do të gjykojë të gjitha kombet.
Gjyqi i fundit, do të jetë i përgjithshëm. Aty thuhet që do të ndahen delet nga
dhitë, pra të drejtët nga të padrejtët dhe Gjykatësi do t’iu thotë të drejtëve:
“Ejani tek Unë dhe trashëgoni Mbretërinë që është përgatitur për ju, sepse isha
i zhveshur dhe më veshët, isha i urritur dhe më ushqyet, isha në burg dhe i
sëmurë dhe erdhët dhe më vizituat”. Të drejtët do të habiten dhe do t’i thonë: “Zot
ku të pamë ne ty dhe t’i bëmë të gjitha këto gjëra” – dhe Krishti iu përgjigjet
– “Cilido që ia keni bërë, mi keni bërë Mua”. Ndërsa të padrejtëve do t’iu
thotë” “Largohuni prej meje, sepse isha i zhveshur dhe nuk më veshët, isha i
urritur dhe nuk më ushqyet, isha në burg dhe i sëmurë dhe nuk erdhët të më
vizitonit”. Të njëjtën habi do të shprehin edhe të padrejtët dhe do të thonë: “Kur
të pamë o Zot dhe nuk t’i bëmë të gjitha këto”, – por Krishti iu përgjigjet se:
– “nëse nuk iu a keni bërë këtyre të vegjëlve, nuk mi keni bërë as mua”.

Ungjilli i
sotëm tregon bazën e doktrinës së krishterë. Së pari na dëshmon se kriteri i
gjykimit është dashuria dhe së dyti, na tregon se Zoti identifikohet me
nevojtarët. Në këtë paravoli, jepet qartë misteri i doktrinës së krishterë mbi personin.
Çdo njeri është krijuar sipas imazhit të Shën Trinisë. Arsyeja që ne urrejmë,
fyejmë apo pëçmojmë të tjerët, është sepse, ne nuk dallojmë dot Krishtin tek
personat e tjerë. Nëse ne arrijmë të shohim Krishtin tek çdo njeri, pavarësisht
statusit shoqëror që ai ka, kjo do të thotë, se e kemi përmbushur qëllimin për
të cilin jemi krijuar, të gjitha të tjerat janë pa vleftë. Por për fat të keq,
ndodh, që njerëzit e shikojnë fenë vetëm si një ritual të jashtëm dhe si një vend
ku mësohet një lloj morali apo sjellje e mirë.

Mësimi dhe
predikimi i Kishës Orthodhokse, nuk është një mësim etik, se si ne të bëhemi
njerëz të mirë. Veprat e mira në botën othodhokse nuk vijnë si rrjedhojë e
sforcimit edukativ dhe intelektual të njeriut, dhe as prej një morali të
caktuar, apo për t’i pëlqyer Zotit. Ato
vijnë si rrjedhojë e asaj që ne besojmë si përjetim. Sepse, asnjë përpjekje e
jona nuk do të ndikonte Perëninë, i cili e do çdonjërin prej nesh me dashuri
hyjnore, sepse Perëndia i dashurisë, bën që të bjerë shiu njësoj dhe mbi të
mirët edhe mbi të këqinjtë. Përpara syve të Zotit, të gjithë jemi njësoj dhe ai
na do dhe na pret të gjithëve njësoj, si Atë i dhemshur. Dashuria e Perëndisë
kundrejt çdo qenie njerëzore, nuk kondicionohet nga sjellja jonë. Zoti na do,
jo se ne jemi të mirë, por na do, sepse ai është i mirë. Bërja e veprave të
mira, në kuptimin orthodhoks ka të bëjë me ne, me përmbushjen ondologjike të
njeriut, duke përmbushur kështu veten dhe qëllimin e ekzistencës sonë. Veprat e
mira në kuptimin orthodhoks vijnë si rrjedhojë e asaj që ne besojmë, si një përjetim i Ungjillit, i cili udhëhëq
jetën e të krishterit dhe mënyrën e të jetuarit dhe të vepruarit. Mësimi i
Krishtit nuk është moralist, por një mësim përjetues dhe transformues, që buron
nga një marrëdhënie e gjallë dhe intime me Zotin, nga një bashkim dashurie, i
cili transformon jetën e të krishterit, duke na bërë të ngjashëm me Zotin. Për
këtë arsye, gjithë doktrina e krishterë dhe gjithë rituali i kishës kanë për
qëllim, që të ndezin në shpirtin tonë dashurinë dhe dhembshurinë për çdo qënie
njerëzore, sepse nëse ne nuk e njohim Zotin tek njerëzit dhe tek vëllezërit
tanë, nuk do ta njohim edhe kur të shfaqet. Që të duash të tjerët, do të thotë
të jesh njeri i vërtetë. Askush, nuk mund të ketë jetë, në kuptimin e thellë të
saj, nëse nuk do të ketë dashuri. Masa e çdo të krishteri në marrëdhënie me të
tjerët, është masa e dashurisë së Perëndisë për ne, si e vetmja masë e drejtë
dhe e vërtetë. Është e pamundur, që një njeri të jetë i bashkuar me Zotin, nëse
në shpirtin e tij mungon dashuria. Asnjeri nuk mund ta arrijë dimensionin e
plotë njerëzor, nëse nuk do të ketë dashuri në zemrën e tij. Njeriu është i
krijuar sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë dhe vetëm nëpërmjet
dashurisë ne mund të përmbushim ikonën dhe ngjashmërinë me Krijuesin.

Shën Pjetër
Përdëllimtari, duke ecur rrugëve të Konstandinopojës pa një njeri të varfër dhe
pothuajse lakuriq. Hoqi rrobën e tij dhe e veshi. Kur po shëtiste në Pazar, pa që
rroba e tij po shitej. I erdhi shumë keq, dhe i mërzitur në mbrëmje rra të
flerë. Në gjumë pa një vizion, – iu shfaq Krishti dhe i tha: – “Pjetër, përse
je i mërzitur? Shikomë mua me çfarë jam veshur”. Pjetri ngriti sytë dhe pa që
Zoti ishte veshur me po atë rrobë  që ai
i kishte dhënë të varfërit. Zoti nuk do të na gjykojë për gjëra që nuk varen
nga ne, Krishti nuk tha, pse nuk më shëruat, ose pse nuk më nxorrët nga burgu,
por tha, se isha i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët dhe më vizituat, isha i
zhveshur dhe nuk më veshët, isha i urritur dhe nuk më ushqyet. Kriteri mbi të cilin
ne do të gjykohemi është dashuria, nëse ne nuk do të kemi dashuri për vëllain
tonë, q
ë e shohim, nuk do të kemi dashuri as
për Zotin, të cilin nuk e shohim – thotë – Ungjillori Joan. Zoti në Ungjill na
nxit të mendohemi dhe të thellohemi. Zoti, po kërkon nga ne, që të përmbushim
veten, duke u bërë njerëz të vërtetë. Njeriu që shohim çdo ditë është njeriu i rënë
dhe mëkatar dhe Krishti na fton sot, që ta kapërxejmë këtë njeri, duke u përpjekur
çdo ditë për të rizbuluar natyrën tonë të vërtetë dhe për të shenjtëruar atë.
Zoti, – siç thuhet dhe në ungjillin e sotëm – do të na gjykojë për përpjekjet
tona. Periudha të cilën po kalojmë është periudhë përgatitje dhe Kisha fton çdo
njeri, që të mendojë më thellë mbi veten tij si qenie dashurie, duke e
përmbushuar atë.

Le ta veshim
Zotin e zhveshur, le ta ushqejmë Krishtin e urritur, le ta vizitojmë kudo që
ndodhet, nëpër burgje e spitale, sepse kush ndihmon të varfërit dhe nevojtarët,
ka ndihmuar Krishtin dhe do të marrë edhe shpërblimin prej Tij dhe shpërblimi i
Krishtit do të thotë, që shpirti i njeriut të përmbushet, të plotësohet dhe të
arrijë dimensionin për të cilin është krijuar.

Le të
përpiqemi dhe le t’i lutemi Zotit, që ditën e gjyqit të na vendosë në të
djathtën e të zgjedhurve të Tij. Amin.

Author: admin