KISHA E SHEN THANASIT NE KORÇE

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Ing.Dr. Arben Gjata Revista periodike TEMPULLI fragment

Kisha e Shën Thanasit, gjendet në lindje të qytetit të Korçës, mbi majën e një bregoreje me lisa të lashtë, që mban të njëjtin emër. Ka qenë një kishë shumë e vjetër e kësaj treve, dokumentat e ndryshme e përmendin si të tillë, por thonë se nuk dihet kur i janë hedhur themelet e para, por mund të themi me siguri, që themelet e kësaj kishe janë hedhur shumë kohë para sundimit osman. Në bregoret që shtrihen mbas kësaj kishe, deri në afërsi të fshatit Mborje, shtrihet një zonë e tërë, e cilësuar arkeologjike e antikitetit të vonë dhe mesjetare.
Arkeologët e Korçës, kanë zbuluar dhe banja antike të shekullit të 6-të, copra mozaiku, varre romake etj. Në dekretin e sulltan Bajazitit të dytë, në fund të shekullit të 15-të, që bën fjalë për caktimin e kufijve të pronës se Iliaz bej Mirahorit, përmenden në këtë zonë një mur i ngulur e një rrasë e ngulur. Me interesantia në këtë dokument, është, që përmendet një korie e vogël e vendosur në një kodrinë në vreshtat, pas të cilës merr drejtim nga Emboria. Dihet historikisht, që e vetmja korie me lisa, në mes të vreshtave e vendosur në një kodrinë në këtë zone, ka qenë dhe është ajo e Shën Thanasit, por dokumenti nuk e përmend plotësisht, pasi në dokumentin sulltanor, si edhe duket, nuk duhej përmendur emri i një kishe. Pra, mund të themi përseri, se kisha e Shën Thanasit duhet të jetë shumë e vjetër dhe para osmane.
Në dokumentet e sakta e me të plota që disponojmë deri më sot, i tillë si kodiku gati 400 vjeçar i Mitropolisë së Shenjtë të Korçës dhe Selasforit, kjo kishë del që ka qenë e ndërtuar më parë dhe toponimi i kodrinës, del i formuar si bregorja e Shën Thanasit. Duhet përmendur, që në këtë periudhë osmanët nuk lejonin të krishterët të ndërtonin kisha të reja, por vetëm riparime të të vjetrave dhe këto me ferman të posaçëm, pra dhe nga kjo mund të themi, që kjo kishë është ndërtuar pra pushtimit osman.
Një nga dokumentat më të vjetër të kodikut, me numër 64, që bën fjalë për shitjen, nga ana e Mitropolisë të një pjese të pasurisë, për blerjen e një çifligu për kishën e Shën Marisë e mbajtur në praninë e Patriarkut të Ohrit Zosimea, që mban vitin 1707 ndër të tjera përmend dhe shitjen e dy vreshtave afër kishës së Shën Thanasit dhe një copë vend për vresht pranë Shën Thanasit. Po në këtë vit, përmendet dhe ryfeti i quajtur i Shën Thanasit në dokumentin e 13-të të kodikut dhe tregon rëndësinë, vjetërsinë dhe kujdestarinë për këtë kishë.
Kisha e vjetër, ishte e ndërtuar me material guri dhe vazhdoi të funksionojë deri nga mezi i shekullit të 19-të. Në këtë periudhë, Korça kishte marrë një zhvillim të madh. Pas vitit 1850 edhe kjo kishë do të rindërtohej, si shumë objekte të tjera, kjo u realizua me ndihmën e ryfetit të Shën Thanasit e të popullit të Korçës, në kohën e Mitropolitit të Korçës Neofit. Rindërtimi, ishte i të njëjtit stil me kishën e sapo rindërtuar të Shën Ilias edhe ky ndërtim qe përsëri i gurtë dhe tip i thjeshtë. Pas rindërtimit të kishës, në Mitropolinë e Korçës është aprovuar dhe një kanonizmë e esnafit të kondakçinjve, i cili mbante dhe emrin e këtij shenjti, kjo e fundit mban datën 10 maj 1854. Në pikën A të këtij kanonizmi, pasqyruar në dokumentin 104 të kodikut të Mitropolisë së Korçës thuhet: “Vemë esnafin e kondakçinjve nën mbrojtjen e veçantë të atit tonë ndër shenjtorët Athanasit Patrikut të Aleksandrisë…” Ky esnaf, si dhe më parë do të njihej me emrin e Shën Thanasit.
Në vitin 1914, në kohën e Mitropolitit të Korçës, Gjermano dhe pikërisht ditën e shtunë më 22 prill 1914, në ditët e një “kryengritjeje, u dogj dhe kisha e Shën Thanasit. Korçarët, menjëhere ngritën një kishëz provizore prej druri. Pas 10 vjetësh, Mitropolia mblodhi ndihma nga populli dhe filloi të ndërtojë këtë kishë më të bukur seç ishte më parë me material kryesisht të gurtë dhe me një këmbanore të bukur përpara. Ky ndërtim u realizua në vitin 1928.
Kjo kishë vazhdoi të funksionojë e tillë deri në vitin e shpalljes se Shqipërisë shtet ateist, kur kjo kishë do të rafshohej krejt. Edhe gjatë kohës së ateizmit besimtarët korçarë ndalonin pranë kësaj kishe dhe i luteshin Perëndisë për ditë të bardha.
Pas viteve 1990 me rigjallërimin e besimit fetar pas celebrimit të ditës së ujit të bekuar në 6 janar 1991 në kishën e Shën Triadhës, në 18 janar të vitit 1991 u celebrua mesha e parë në gurët e themelive të kësaj kishe, pas mëse 25 vjetësh ateizmi të egër.

Shënim: Kisha u ndërtua e re në vitet 1993-1994, me fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. I përket tipit bazilikal me tri nefe, me eksonarteks dhe një portik në anën jugore. Kambanorja e sheshtë lartësohet nga krahu verior. Në vitin 2003, ajo iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë nga Mitropolia e Shenjtë e Korçës.

 

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Author: Admin1