Kisha e vjetër katedrale e Korçës “Burimi Jetëdhënës” gjatë regjimit ateist u kthye në muze, pasi më parë iu shemb pjesa e sipërme e kishës, kupola dhe kambanoret. Më 2 gusht të vitit 1994, u vendos guri i themelit të Katedrales së re “Ngjallja e Krishtit”, e cila do të plotësonte boshllëkun e madh që la prishja e shumë kishave në këtë qytet me tradita të shquara orthodhokse. Fondet për ndërtimin e saj u siguruan tërësisht nga Kryepiskopi Anastas, i cili deklaroi në atë kohë, se “Kur na gjuajnë me gurë, ne i mbledhim ata për të ndërtuar”.
Katedralja e re ngrihet në një truall me sipërfaqe të konsiderueshme, në qendër të qytetit. Ajo u projektua nga arkitekti Dhimitër Kristidhi dhe u realizua nga shoqëria ndërtimore “Interalba” e z. Stefan Papazoglu. Është një vepër madhështore që thekson traditën orthodhokse të qytetit. I përket tipit në formë kryqi me kupolë, disponon katër absida dhe është e rrethuar me hajat. Në dy qoshet perëndimore lartësohen dy kambanore me nga pesë kambana secila. Nga jashtë, katedralja është e veshur me gurë dhe tullë dekorative, kupola dhe çatia janë të mbuluara me tjegulla speciale për shkak të temperaturave të ulëta, dyshemeja është e shtruar me mermer dhe e pajisur me sistem ngrohjeje. Kisha katedrale është e pajisur me ikonostas të gdhendur në dru.
Shenjtërimi i katedrales së re u krye nga Kryepiskopi Anastas, më 7 gusht të vitit 2004