MESAZH PASKAL I MITROPOLITIT TE KORÇES HIRËSISË SË TIJ IMZOT +JOAN IT!

 

MESAZH PASKAL I MITROPOLITIT TE KORÇES

I
E përsërisim vazhdimisht që, Ngjallja e Zotit tonë Jisu Krisht, është thelbi i doktrinës dhe i predikimit të krishterë dhe festa më e madhe dhe më e gëzuar e Kishës, sepse Krishtërimi është ngritur pikërisht mbi themelin e gëzimit dhe të forcës që dha dhe vazhdon të japë lajmi i mirë i Ngjalljes. Ky lajm mbetet gjithmonë një mesazh shpresëdhënës për të gjitha kohërat dhe për të gjithë popujt, sepse është lajmi i fitores mbi vdekjen, armikut të përbashkët të të gjithë njerëzve. Vdekja është mundimi më i madh dhe tmerri i të gjithëve, duke përhapur frikë edhe ankth dhe duke e gjymtuar gëzimin e jetës.
Shkrimi i Shenjtë na mëson se: Perëndia nuk e krijoi vdekjen, as gëzohet me shkatërrimin e të gjallëve…por të pabesët e ftojnë vdekjen me vepra dhe fjalë (Urtësia 1:13,16). Ajo është fryti i mëkatit dhe erdhi si rezultat i shkëputjes së njeriut nga Burimi i Jetës – Perëndia. Nëpërmjet sakrificës në Kryq dhe duke e mundur vdekjen, Krishti na pajtoi dhe na rilidhi me Burimin e Jetës, duke na çliruar nga robëria e vdekjes dhe duke i dhënë jetës sonë dimensionin e plotë dhe të vërtetë. Mbas Ngjalljes, vdekja, në kuptimin e saj më të thellë, si fryt i ndarjes së njeriut nga Perëndia, e humbi pushtetin ndaj njeriut. Tani, njeriu i çliruar nga tirania e vdekjes, është i lirë të zgjedhë ndërmjet jetës dhe vdekjes. Ai që zgjedh jetën me Perëndinë fiton jetën e përjetshme.
II
Të dashur vëllezër dhe motra! Është viti i dytë që po e kremtojmë Pashkën me kufizime dhe në një kohë të vështirë. Shumë njerëz, si pasojë e pandemisë, janë përballur me sëmundjen e rëndë, të tjerë kanë humbur familjarë dhe të afërm të tyre. Shumë të tjerë po përjetojnë probleme të shumta ekonomike, psikologjike dhe sociale, si edhe ankth dhe pasiguri. Por, Pashka na kujton se nuk jemi vetëm. Perëndia i dashurisë është pranë nesh dhe vazhdon të na dojë dhe të kujdeset për ne. Prania e Tij ndriçon përsëri në shpirtrat tanë, sado e madhe që të jetë errësira. Madje, kur jemi në errësirë ne kemi nevojë më shumë për dritën dhe kur jemi të dëshpëruar dhe në vështirësi, kemi nevojë për shpresë dhe kurajë.
Në këtë botë do të kemi vështirësi (Jn:16:33), por Ngjallja na ka dhënë mjetin dhe mënyrën sesi ne t’i kapërcejmë ato dhe të dalim fitimtarë. Lajmi i gëzueshëm se Ai u ngjall – shkruan shën Agustini – nuk e ndryshon botën bashkëkohore. Akoma para nesh shtrihet puna, disiplina, sakrifica. Por, fakti i Pashkës, na jep fuqinë shpirtërore për të kryer punën, për të pranuar disiplinën dhe për të bërë sakrificën. Le të kujtojmë gjithmonë se Lajmi i mirë i Ngjalljes erdhi nga një vend ku askush nuk e priste – erdhi nga varri, që është simbol i vajtimit dhe dëshpërimit. Por, Zoti, e ktheu këtë vend dëshpërimi në burimin e ngushëllimit dhe të shpresës. Prandaj, varri i zbrazur në Jerusalem, u bë simbol i Ngjalljes dhe i jetës dhe është për ne gjithmonë një kujtesë se, sado që të kemi vështirësi, ne e dimë se Zoti e mundi vdekjen, dëshpërimin dhe vajtimin dhe nëse jemi me Atë, nuk do të kemi më frikë nga asgjë.
III
Ngjallja e Krishtit i çeli çdo trupi rrugën e ngjalljes prej së vdekurish (Liturgjia e Shën Vasilit), duke sjellë një realitet të ri të lidhjeve ndërnjerëzore. Sepse, duke e ndryshuar krejtësisht njeriun, ajo hapi para tij një mënyrë të re të jetuari: një jetë plot dashuri dhe paqe. Me të vërtetë, Ngjallja e Krishtit, i ka hapur rrugën të gjithë njerëzve për të marrë pjesë në gjendjen e Ngjalljes së Tij. Por, rruga drejt ngjalljes fillon në jetën tonë këtu. Nëse ne nuk fillojmë të ndryshojmë në këtë jetë, nuk mund ta realizojmë në jetën që do të vijë. Shën Joan Gojarti na thotë: Kur i shthururi të bëhet i dëlirë, lakmitari i mëshirshëm dhe mizori i butë, në këtë është ngjallja, duke shërbyer si një fillim për ngjalljen e ardhshme.
Pashka, dita e Ngjalljes së Krishtit, na thërret që të marrim pjesë në Ngjalljen, duke larguar nga vetja jonë errësirën, egoizmin, krenarinë dhe mëritë dhe të ndezim brenda shpirtit tonë dritën e dashurisë, përulësinë dhe dhembshurinë, sepse, në këtë mënyrë, ne mund të përjetojmë fuqinë transformuese të Ngjalljes në jetën tonë. Vetëm të fuqizuar nga përvoja e Ngjalljes, ne mund ta përhapim lajmin e mirë në këtë botë të dëshpëruar, që ka aq shumë nevojë për këtë.

Të dashur vëllezër dhe motra! Sot, himnet e Kishës na ftojnë gjithashtu, që në këtë Ditë të Ngjalljes të ndriçohemi, të përqafojmë njeri-tjetrin dhe t’i falim të gjithë, si ata që na duan, ashtu edhe ata që na urrejnë, sepse vetëm kështu ne mund të thërresim me të vërtetë: Krishti u Ngjall së vdekurësh, me vdekjen vdekjen shkeli dhe të varrosurve, jetën u fali!
Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët!

Mitropoliti i Korçës + Joani

Author: Admin2