Mesazhi i Krishtlindjes nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij +imzot Anastasi!

K R I S H T L I N D J E 2025
† Anastasi
Mitropoliti i Korçës,
E vërteta e personit njerëzor.
Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë të Mitropolisë sonë,
Vëllezër dhe motra bashkëudhëtarë në besim dhe shpresë,
“Drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri, erdhi në botë” (Joan 1,9)
I
Me gëzim shpirtëror dhe me ndjenjë të thellë falenderimi ndaj Perëndisë së gjallë, Kisha jonë kremton sërish misterin e pashprehshëm të dashurisë hyjnore: Lindjen në mish të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë, Jisu Krisht. Fjala e përjetshme e Atit, “nëpërmjet së cilës u bënë të gjitha” (Joan 1,3), në përulësi të thellë pranoi të bëhet njeri që ta shpëtojë njeriun, duke shëruar natyrën e tij dhe duke e bashkuar atë me Perëndinë. Të gjitha sot mbushen me gaz, se Krishti lindi prej Virgjëreshës.
Krishtlindja nuk është një ndalesë e përkohshme në rrjedhën e vitit kishtar, por zemra e historisë së shpëtimit. Ajo është shprehja më e madhe e dashurisë së Perëndisë, është përgjigjja e Atij që “na deshi i Pari” (1 Joan 1,9), ndaj etjes më të thellë të njeriut për jetë, për dashuri, për kuptim, dhe për të vërtetë. Për çdo njeri që vjen në botë, tashmë është e hapur rruga e shenjtërimit. Siç dëshmon Shën Athanasi i Madh: “Perëndia u bë njeri, që njeriu të mund të bëhet Perëndi sipas Hirit”. Lindja e Krishtit shpall se historia njerëzore nuk është e braktisur, por e vizituar, e rregulluar dhe e ripërtërirë nga vetë Perëndia.
Në grazhdin e thjeshtë të Betlehemit zbulohet e vërteta e madhe e personit njerëzor. Aty ku Perëndia u bë njeri, çdo njeri rifiton identitetin e tij të patjetërsueshëm. Në një kohë kur njeriu shpesh reduktohet në numër, apo të dhëna, shihet thjeshtë si krah pune dhe matet vetëm me produktivitet, Krishtlindja na kujton me forcë se çdo person është ikonë e Perëndisë së gjallë, i cili ka një dinjitet absolut, pavarësisht moshës, shëndetit, aftësisë apo gjendjes shoqërore. Ai nuk është rastësi biologjike, por vullnet dashurie i Perëndisë, i krijuar për dashuri dhe jetë të përjetshme.
II
Kjo Krishtlindje merr një kuptim të veçantë për jetën e Mitropolisë sonë. Për herë të parë ne kremtojmë së bashku Lindjen e Zotit, misterin e Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Në heshtjen e shpellës së Betlehemit, zemra ime bashkohet me tuajat, për të pranuar Krishtin e porsalindur si themelin e një marrëdhënieje të re. Sot në këtë ditë të shenjtë, ne nuk jemi thjeshtë individë që festojmë një ngjarje të kaluar, por Trupi i Gjallë i Krishtit që mblidhet për të dëshmuar se Lindja e Krishtit nuk përjetohet në vetmi, por në bashkim dhe se Kisha është një familje në udhën drejt shpëtimit dhe “ikonë e jetës që vjen”.
Këto Krishtlindje gjithashtu, kanë për ne një ngarkesë të veçantë shpirtërore, sepse janë Krishtlindjet e para që i kremtojmë pa praninë tokësore të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit tonë të ndjerë, Anastasit. Ati dhe Bariu ynë i urtë, që për më shumë se tre dekada i shërbeu Kishës së Shqipërisë, me sakrificë, përulësi, vizion apostolik dhe dashuri pa kushte për çdo njeri, tashmë kremton Lindjen e Krishtit në dritën e Mbretërisë së Perëndisë. Jeta dhe shërbesa e tij mbeten për ne një dëshmi e gjallë se Krishtlindja para se të jetë një festë, është mënyrë jetese, zbritje drejt tjetrit, shërbim pa dallim, respekt për çdo person njerëzor dhe besim i palëkundur në fuqinë shëruese të dashurisë së Krishtit. Në këto Krishtlindje, me mirënjohje dhe lutje, ia besojmë shpirtin e tij Perëndisë së dashurisë, duke ruajtur të gjallë mes nesh frymën e tij atërore dhe misionare, që Kisha jonë të vazhdojë të ecë në rrugën e dëshmisë, që sjell shpresë dhe paqe.
III
Nuk mund të kremtojmë Krishtlindjen pa u ndalur me ndershmëri përballë realitetit që jetojmë. Varfëria, vetmia, pasiguria, largimi i detyruar nga vendi, si edhe plagët morale dhe shpirtërore të shoqërisë sonë janë sfida, që kërkojnë jo vetëm fjalë të bukura, por përgjegjësi shoqërore, ndërgjegje të zgjuar dhe dashuri konkrete. Siç na kujton Shën Joan Gojarti: “Asgjë nuk e bën njeriun më të ngjashëm me Perëndinë se sa të kujdeset për atë që vuan”. Lindja e Krishtit na thërret të bëhemi punëtorë dhe dëshmitarë të gjallë të dashurisë së Tij në jetën e përditshme.
Në këtë kontekst, familja mbetet vendi i parë dhe i pazëvendësueshëm ku misteri i Mishërimit bëhet i prekshëm. Ajo është kisha e vogël, hapësira e parë e dashurisë, e besimit dhe e edukimit të personit njerëzor. Aty ku burri dhe gruaja jetojnë në besnikëri, ku fëmijët priten si dhuratë e Perëndisë dhe ku kultivohet falja, durimi dhe dashuria sakrifikuese, aty Krishti lind çdo ditë.
Megjithatë, sot familja përballet me sfida të rënda dhe të shumta. Modele të huaja ndaj traditës shpirtërore të popullit tonë, rryma ideologjike dhe ligje të frymëzuara prej tyre që relativizojnë martesën, prindërimin dhe vetë kuptimin e personit njerëzor, rrezikojnë të zbehin identitetin e familjes si bashkësi dashurie dhe jete. Nën maskën e lirisë, shpesh fshihet një përpjekje për deformimin e natyrës njerëzore dhe shkëputjen e njeriut nga rendi i krijimit të Perëndisë.
Kisha e shpall këtë të vërtetë jo me frymë përjashtuese apo gjykuese, por me dashuri baritore dhe përgjegjësi profetike. Ajo, dhe si pjesë përbërëse e saj, të gjithë ne, jemi të thirrur të mbrojmë familjen, jo si një strukturë të ngurtë shoqërore të trashëguar, por si hapësirën e shenjtë ku personi mëson të dojë, të falë, të sakrifikojë dhe të jetojë në liri të vërtetë. Mbrojtja e familjes është mbrojtje e vetë njeriut.
IV
Krishtlindja është gjithashtu një thirrje e fuqishme për paqe, paqe në çdo aspekt. Himni engjëllor “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe…” nuk është një ndjesi romantike as një slogan festiv, por një program i përhershëm jete. Për të krishterin, paqja e Krishtlindjes nuk është mungesë lufte, por pajtimi ontologjik: 1-) paqe midis Perëndisë dhe njeriut, 2-) paqe brenda vetë njeriut, 3-) paqe e njeriut me krijimin. Kjo paqe nuk imponohet, ajo lind aty ku pranohet Krishti. Paqja ndërtohet me përulësi, me dialog, duke hequr dorë nga ajo që na takon, me respekt për tjetrin dhe me refuzim të çdo forme urrejtjeje, dhune apo përçarjeje. Në një botë të trazuar dhe të polarizuar, Krishti lind për të na bërë ndërtues të paqes dhe shërbëtorë të pajtimit.
Të dashur vëllezër dhe motra,
Le ta presim Lindjen e Krishtit me zemër të hapur dhe me gatishmëri për ndryshim të vërtetë. Le ta lejojmë Dritën e Tij të ndriçojë errësirat tona personale dhe shoqërore, të shërojë plagët tona dhe të na udhëheqë në rrugën e shpresës. Vetëm kështu Krishtlindja nuk do të mbetet një festë kalimtare, por do të bëhet fillim i ri shpirtëror për secilin prej nesh dhe për mbarë shoqërinë tonë.
Krishtlindje të bekuara,
me paqe, shëndet, gëzim dhe forcë shpirtërore.
Me dashuri të sinqertë në Krishtin.
Mitropoliti i Korçës,
†Anastasi
Korçë 25.12.2025

Author: Admin2