Sot, 2 mars 2019, në qytetetin e Salcburgut, Austri, u krye ceremonia e pranimit të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Prof. dr. Anastasit, si Senator Nderi i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Artit.
Në ceremoninë e veçantë, të zhvilluar në Universitetin e Salcburgut, Akademia Evropiane e Shkencave dhe e Artit i uroi mirëseardhjen, duke vënë në dukje veprën e tij shkencore edhe baritore, fusha në të cilat ka pasur arritje të jashtëzakonshme, me fokus në bashkëjetesën paqësore mes njerëzve.
Në fjalën përshëndetëse, Fortlumturia e Tij, Anastasi, pasi falënderoi për zgjedhjen, theksoi se “e vërteta, dashuria dhe bukuria janë gjithmonë bashkë në traditën tonë. Le të përpiqemi të vazhdojmë me këtë vizion”.
Rëndësinë e zgjedhjes së Kryepiskopit Anastas si Senator Nderi i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Artit, një nga institucionet më prestigjioze akademike në botë, e dëshmon edhe fakti se ky institucion përfshin edhe 39 fitues të Çmimit Nobel, si dhe 2000 shkencëtarë e intelektualë që udhëheqin në fushat e tyre si anëtarë të rregullt apo nderi.
Anëtarët e nderit përfshijnë Helmut Kol, Zhan Klod Junker, Mbretin Filip të Belgjikës, Princin Zhan të Luksemburgut, Presidentin e Zvicrës, Doris Leutard, Presidentin e Austrisë, Heinz Fiche, Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, Romano Prodin etj.
Akademia Evropiane e Shkencave dhe Artit është një organizatë joqeveritare e njohur nga Bashkimi Evropian, që promovon shkencat dhe përparimin shoqëror. Ajo është themeluar në vitin 1990, me synim kërkimin inovativ, kooperimin ndërdisiplinor dhe ndërshtetëror, si dhe shkëmbimin dhe shpërndarjen e njohurive.