Zhvilloi punimet Sinodi i Shenjtë dhe i Madh

Java e Pentikostisë 2016
Kolimbari – Kretë
Zhvilloi punimet Sinodi i Shenjtë dhe i Madh
    – Uniteti i Orthodhoksisë në kungatë dhe dëshmi – Rregullimi i marrëdhënieve me botën tjetër të Krishterë
    – Pjesëmarrja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si një fakt i rëndësishëm historik
    – Kontributi themelor i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit
    Sinodi i Shenjtë dhe i Madh i Kishës Orthodhokse është një realitet dhe, si i tillë, iu dha tashmë historisë e shekujve për t’u gjykuar si ngjarja më e rëndësishme e botës Orthodhokse dhe jo vetëm në ditët e sotme. Kështu mund të perifrazohen fjalët e Patriarkut Ekumenik, Tërëshenjtërisë së Tij Vartholomeut, në përmbyllje të punimeve të Sinodit, në cilësinë e Kryetarit të tij.
    Përgjatë gjithë javës së Pentikostisë 2016, në Kolimbari të Kretës, në mjediset e Akademisë Theologjike Orthodhokse, me pjesëmarrjen e dhjetë Patriarkanave dhe Kishave lokale Orthodhokse, zhvilloi punimet Sinodi i Shenjtë dhe i Madh. Ai rezultoi me sukses të plotë dhe me miratimin e teksteve të parashikuara në gjithë mbledhjet dhe takimet e Primatëve të Kishave lokale Orthodhokse e, në veçanti, të atij të Shambezisë, në janar 2016.
    Morën pjesë hierarkë me në krye Primatët e tyre nga dhjetë Kisha: Patriarkana Ekumenike, Patriarkana e Aleksandrisë, Patriarkana e Jerusalemit, Patriarkana e Rumanisë, Patriarkana e Serbisë, Kisha e Qipros, Kisha e Greqisë, Kisha e Polonisë, Kisha e Shqipërisë dhe ajo e Çekisë. Pavarësisht se katër Kisha lokale (Patriarkana e Antiokisë, e Rusisë, e Bullgarisë dhe Kisha e Gjeorgjisë) nuk ishin të pranishme për arsyet e tyre, mesazhi më i rëndësishëm i Sinodit mbetet uniteti i Kishës Orthodhokse në mbarë Ekumenin. Ideja themelore që u theksua dhe u miratua në tekstet e Sinodit të Shenjtë e të Madh është se Kisha Orthodhokse nuk është një konfederatë kishash lokale e kombëtare, por është “Një Kishë Katholike dhe Apostolike”. Kjo ide ishte shprehur që në Fjalimin Hyrës të Kryetarit të Sinodit, Patriarkut Ekumenik, dhe më pas ishte kodifikuar nga Kryepiskopi Anastas në Mesazhin përfundimtar.
    Në Sinodin e Shenjtë e të Madh morën pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani; i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri; i Fierit, Imzot Nikolla; i Elbasanit, Imzot Andoni; i Amantias, Imzot Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit, Imzot Asti, si edhe përfaqësues të tjerë klerikë e laikë.
    Sinodi i nisi punimet të Hënën e Shpirtit të Shenjtë, me fjalimet zyrtare të Primatëve të Kishave lokale pas Fjalimit të Patriarkut. I vazhdoi punimet gjatë gjithë Javës së Pentikostisë në një frymë përafrimi të qëndrimeve, në një frymë uniteti dhe përgjegjësie për misionin dhe perspektivën e Kishës Orthodhokse të themeluar nga Zoti dhe Perëndia ynë Jisu Krisht dhe besnike e traditës së Etërve të shenjtë të Kishës. Diskutimet ishin të hapura për secilin prej anëtarëve, hierarkë të Kishave të përfaqësuara sipas Rregullores së Sinodit të Shenjtë dhe të Madh që ishte miratuar në takimin e Primatëve, pa asnjë kufizim kohor dhe mbi të gjitha tekstet e vendimeve që ishin parashtruar për miratim. Të gjitha Vendimet, pavarësisht nga debatet, u përpunuan duke i përshtatur tekstet për të përfshirë vërejtjet dhe propozimet e hierarkëve, në një frymë konstruktive dhe unanime. Kjo, ndonëse ishte theksuar që në fillim, që edhe në Kishën Orthodhokse parimi i konsensusit mund të keqpërdoret për t’u shndërruar në mjet vetoje dhe bllokimi dhe, prandaj edhe sipas frymës së Sinodeve Ekumenike, duhej adoptuar parimi i shumicës së anëtarëve.
    Gjatë ditës së dytë dhe të tretë u miratuan Vendimet për: Misionin e Kishës në botën e sotme, Diasporën Orthodhokse dhe Rregulloren e Konferencave Episkopale Lokale, Kreshmimin dhe mbajtjen e tij në ditët e sotme. Vijoi me Vendimin për Autonominë e Kishave lokale dhe mënyrën e dhënies së saj, si edhe me Misterin e Martesës dhe pengesat në të. Çështja e Diasporës dhe ajo e Martesës ishin delikate dhe vendimet parashikojnë ekonomi të posaçme sipas rastit të Kishave lokale, por gjithmonë me vendime të sinodeve. Parimi i drejtimit sinodik mbetet baza e organizimit të jetës kishtare në botën Orthodhokse.
    Pavarësisht nga vështirësitë, që është e natyrshme të ekzistonin, Sinodi miratoi edhe Vendimin për marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me botën tjetër të krishterë, bazë kjo e fuqishme për të vijuar kontaktet, për të shprehur vullnetin e mbarë Kishës Orthodhokse, të qenit e saj e hapur dhe kryesisht këmbënguljen dhe kontributin e saj si e vetmja Kishë apostolike për të realizuar unitetin shpirtëror si perspektivë.
    Sinodi vendosi t’i drejtohet popullit Orthodhoks me një Enciklikë të Sinodit të Shenjtë e të Madh, një tekst integral, që prek të gjithë hapësirën e jetës shpirtërore dhe të mistershme të Kishës, qëndrimet e saj për problemet që shqetësojnë njeriun si person, shoqërinë njerëzore dhe botën mbarë, pozicionin e Kishës ndaj dukurive të zhvillimit bashkëkohor dhe shkencor, për rininë, për probleme të moralit dhe etikës Kristiane, për hierapostullimin dhe riungjillëzimin e popullit, për kontributin e krishterë në dialogun ndërfetar si kontribut për paqe, për zhvillimin ekonomik, që duhet të bëhet më antropocentrik; për përplasjet, konfliktet dhe pasojat e tyre shkatërruese, për rininë dhe rolin e saj në jetën kishtare, për gruan dhe dinjitetin e saj në kishë etj. Impakti i këtij teksti është i menjëhershëm dhe reflektohet në të gjitha mjetet e komunikimit masiv, tregues ky se Kisha Orthodhokse ndikon jetën në mbarë ekumenin dhe se këto qëndrime, të sanksionuara sipas traditës Orthodhokse dhe të përshtatura në aktualitetin që përjeton njerëzimi, priteshin prej kohësh të kodifikoheshin.
Roli i Kryepiskopit Anastas
dhe Mesazhi i Sinodit të Shenjtë e të Madh
    Mesazhi i Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse drejtuar Popullit Orthodhoks dhe çdo njeriu me predispozicion pozitiv, përbën një Përmbledhje të gjithë përjetimit Mbarorthodhoks, siç është shprehur jo vetëm në punimet e Sinodit, por edhe gjatë dekadave që u deshën për përgatitjen e tij (përpjekjet fillojnë qysh nga viti 1961, me nismën e Patriarkut Athinagora dhe frytet u volën gjatë këtij Sinodi historik).
    Në këtë tekst të plotë, që u lexua të Dielën e Gjithë Shenjtorëve në Kishën e Hirshme të Apostujve Petro dhe Pavli në Hania (edhe kjo mjaft domethënëse), dhe që gjeti pasqyrim masiv në mbarë botën, shprehet thelbi dhe përmbajtja e Sinodit të Shenjtë. Në të përcaktohet qartazi qëndrimi i Kishës Orthodhokse për të gjithë spektrin e problemeve shpirtërore. Teksti u përpilua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, dhe, thuajse pa vërejtje, u adoptua nga Sinodi. Shpallja e Unitetit të Kishës Orthodhokse, Sistemi Sinodikal që e përshkon Atë, Dëshmia e Besimit në mbarë botën, Dialogu në vijim me të Krishterët e tjerë, Dialogu ndërfetar dhe kontributi Orthodhoks, Njeriu dhe Personaliteti i tij, Martesa dhe Vetëpërmbajtja janë shtylla kurrizore e Mesazhit. Si pjesë përbërëse e diskutimeve gjatë Sinodit dhe e Kishës Orthodhokse, në tekstin e Mesazhit janë integruar edhe mbajtja qëndrim për probleme më të mprehta sociale, sipas këndvështrimit të spiritualitetit të Etërve të Kishës Orthodhokse për çështje bashkëkohore, si: Zhvillimi i Shkencave, Kriza Ekologjike dhe Zhvillimi i Ekuilibruar, Respekti ndaj Individualitetit të njeriut dhe popujve, Paqja dhe lufta kundër varfërisë, Rinia dhe vendi i saj në shoqëri, Hierapostullimi për gjithë botën etj.
    Natyrisht, redaktimi dhe miratimi i këtij teksti nuk është kontributi i vetëm i Kryepiskopit Anastas. Fortlumturia e Tij, si një personalitet shpirtëror i gjithëpranuar, shumëdimensional dhe i hirësuar nga Shpirti i Shenjtë, sikundër pohohet gjerësisht, ishte një nga shtyllat kryesore të Sinodit të Shenjtë e të Madh të Kretës 2016. Që nga mesazhi i hyrjes, në ndërhyrjet e tij të gjetura dhe deri në përmbylljen e veprimtarive të Sinodit në Manastirin e Metamorfozës së Zotit – Krisopigji, shquhej qartazi këmbëngulja e Kryepiskopit për ruajtjen e frymës në Sinod, për përmbajtjen ndaj frymës së Etërve të Kishës, për mundësitë e saj për t’u shprehur institucionalisht në botën bashkëkohore dhe për të adoptuar qëndrimet, por edhe për të mbajtur të hapur perspektivën për vazhdimin e Sinodit pas Sinodit, në mënyrë që Kisha Orthodhokse, qoftë në nivel Primatësh apo Sinodikisht, të jetë në komunikim të vazhdueshëm.
    Kryepiskopi, si një nga pjesëmarrësit me më shumë kontribute, dëshmitar ndoshta unikal i fillimit të lindjes së idesë për Sinod në vitet ’60 të shekullit të kaluar, me përvojën e hierapostullit më të njohur Orthodhoks në jetë, me suksesin e ringjalljes së një Kishe nga hiçi dhe sidomos me përgatitjen e pamohueshme theologjike, ishte njëherësh edhe më promovuesi i ideve të reja që u adoptuan pa vështirësi në tekstet e Sinodit. Ishte gjithashtu njeriu i konsensusit përmes ndërhyrjeve në momente kyçe të punimeve të Sinodit, për të siguruar vijimin dhe miratimin e gjithë hapave e vendimeve të tij. Kujtojmë se, në takime të mëparshme të Primatëve Orthodhoksë (2008 dhe 2016), ishte po Kryepiskopi Anastas që kishte hartuar Mesazhet përfundimtare.
    Ideja e Kryepiskopit Anastas se uniteti nuk shprehet në konfederatë, por në të qenit Një Kishë, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike në shprehje lokale, vazhdimi i dëshmisë Orthodhokse në liturgjinë pas Liturgjisë Hyjnore, pra Hierapostullimi, luftimi i egocentrizmit në çdo nivel (kishe, kombi, individi), për t’i lënë vendin paqes dhe unitetit, rinia si e tashmja e Kishës, hapja e Kishës dhe qëndrimi i saj luajal për çështje që preokupojnë njerëzimin sot pa cenuar thelbin e dogmës Orthodhokse, e të tjera si këto, u pritën me miratim nga anëtarët e Sinodit, por edhe do të vazhdojnë të përbëjnë çështje të debatit mbarë të krishterë.
    Zhvillimi i Sinodit të Shenjtë e të Madh përkoi edhe me dy ngjarje që lidhen me jetën e Primatëve pjesëmarrës në të. Për Patriarkun Ekumenik, Kryetar i Sinodit, sivjet është jubileu i 25-vjetorit të Zgjedhjes së Tij, që kurorëzohet me ngjarjen më të shkëlqyer të jetës së Kishës Orthodhokse, për të cilën Tërëshenjtëria e Tij ka rol dhe kontribut të veçantë. Njeri i spiritualitetit të thellë Orthodhoks, i hirësuar nga Shpirti i Shenjtë, me durimin e atit shpirtëror të shquar, me tolerancën që e karakterizon dhe dhunti të një intelekti të veçantë, Patriarku, jo vetëm gjatë punimeve të Sinodit por në të gjithë fazën shumëvjeçare të përgatitjes së tij, ka qenë një nga faktorët bazë të suksesit. Për këtë u falënderua dhe u përgëzua jo vetëm nga Primatët e Kishave pjesëmarrëse, por dhe nga mbarë hierarkët anëtarë të Sinodit.
    Edhe për Primatin e Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale, 24 Qershori, ishte dita e përvjetorit të 25-të të Zgjedhjes si Kryepiskop i Kishës sonë, nga Sinodi i Kishës Mëmë, Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës. Ai mori urime të shumta nga Patriarku dhe nga pjesëmarrësit e tjerë. Në veçanti, gjatë Liturgjisë Hyjnore që u krye nga klerikë të Kishës sonë në Manastirin e së Tërëshenjtës Zonjë të Engjëjve të Goniasë (sikundër kryen me radhë edhe Kishat e tjera pjesëmarrëse), të shtunën, më 25 qershor, Kryepiskopi këmbeu me këtë rast urime me Patriarkun dhe përshëndeti shkurtimisht, por me fjalë kuptimplote. Kryepiskopi i dhuroi Patriarkut Vartholome volumet e përgatitura me punën ndërtimore dhe veprat e realizuara në këto vite në mbarë vendin. Edhe përbërja e delegacionit të Kishës sonë Orthodhokse shprehte në mënyrë simbolike konceptin e Kryepiskopit Anastas për sintezën e asaj që thirret Kishë: episkopët, si personifikim i Kishës në vendin e formën e Krishtit; klerikët, si meshtarë për kryerjen e Eukaristisë Hyjnore, Misterit të mistereve, dhe laikët, trupi i Kishës: burra, gra dhe të rinj, e tashmja dhe perspektiva e Kishës.
Të tjera veprimtari paralele me Sinodin
    Sinodi i Shenjtë dhe i Madh i Kishës Orthodhokse pati edhe veprimtari të tjera shpirtërore, që kulmojnë me bashkëmeshimin e Primatëvë të Kishave lokale të Dielën e Pentikostisë dhe të Dielën e Gjithë Shenjtorëve. Të Shtunën e Shpirtrave gjithashtu u krye Liturgjia Hyjnore e shoqëruar me Përshpirtje për prehjen e të gjithë atyre hierarkëve, theologëve dhe e punëtorëve të tjerë të Ungjillit, që ndër vite punuan dhe u lutën për arritjen e realizimit të këtij Sinodi dhe për frymë uniteti në Kishën Orthodhokse.
    Liturgjia Panegjirike dhe Mbrëmësorja e Pentikostisë, me Lutjet e Rënies në Gjunjë, u krye në Kishën Katedrale të Shën Minait, në Iraklio ku, nën kryesimin e Patriarkut Ekumenik, bashkëmeshuan të gjithë Primatët e Kishave pjesëmarrëse sipas rendit të Diptikëve të Kishës Mëmë të Konstandinopojës.
    Të Dielën e Gjithë Shenjtorëve Liturgjia përmbyllëse u krye përsëri nën kryesimin e Patriarkut Ekumenik në kishën e Apostujve Petro dhe Pavli në Hania. Aty u lexua edhe Mesazhi i Sinodit të Shenjtë e të Madh. Të dyja Liturgjitë u transmetuan nga Televizioni Publik Grek në të gjithë botën.
    Gjithashtu, në të gjitha ditët e punimeve të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh në katholikonin e Manastirit të së Tërëshenjtës, Zonjë të Engjëjve, në Gonia, kryheshin Liturgjitë Hyjnore nga kishat lokale në gjuhën e tyre, nënvizim ky i faktit të unitetit në larmi. Në këtë kuadër, të shtunën, më 25 qershor edhe Kisha jonë Orthodhokse kreu Liturgjinë në shqip. Ajo u krye nga Episkopi i Bylisit, Asti, dhe u shoqërua në psaltir nga kori bizantin “Shën Joan Kukuzeli”.
Orfea Beci

Author: admin