Të bashkëpunojmë me Frymë Dashurie për programet e shkollave tona
– Simpozium me mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Kishës sonë
Në datën 23 shkurt 2019, në amfiteatrin e Qendrës Kulturore të Kompleksit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, u mbajt Simpoziumi me temë “Si do të bashkëpunojmë me Frymë Dashurie në programet e shkollave tona?”. Ai u organizua nga Fondacioni “Fryma e Dashurisë” i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe mblodhi rreth 170 mësues nga shkollat 9-vjeçare (3) dhe shkollat e mesme (5) të ngritura nga Kisha jonë, me kujdesin dhe mundësitë e krijuara nga Kryepiskopi Anastas.
Veprimtaria u hap nga drejtoresha e Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, znj. Pamela Barksdale, bëri prezantimin e punës së Fondacionit dhe foli për synimet në të ardhmen. Ajo theksoi se, së pari, duhet të fokusojmë qëllimin se përse u krijua ky Fondacion, që do të thotë të njohësh Kryepiskopin Anastas dhe përpjekjet e tij për të dhënë dashuri për të gjithë njerëzit. Kjo frymë dashurie është shpresa për të ardhmen që duam t’ua kalojmë brezave të rinj. Ajo tha më tej, se qëllim i kësaj veprimtarie është që edhe personeli i këtyre shkollave, të përhapura në anë të ndryshme të vendit, që i janë kushtuar detyrës së shenjtë të edukimit, të njihen me njëri-tjetrin dhe të ndajnë përvojën e fituar.
Veprimtaria filloi me përshëndetjen e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Prof. dr. Anastasit. Ai tha se në hapat e para, kur nuk dihej si do ringriheshin enoritë dhe kishat e shkatërruara as nuk i imagjinonim arritjet e mëpasshme apo se do të mund të krijonim këtë sistem arsimor që kemi sot. Për këto dhurata, së pari, duhet falënderuar Perëndia. Duhen falënderuar edhe ata qindra njerëz që kanë kontribuar që kjo të bëhej e mundur. Ai iu drejtua edhe të mësuesve në sallë, duke i falënderuar për kontributin e vazhdueshëm që kanë dhënë në këtë vepër të Kishës, ku kanë vënë edhe zemrat e tyre. Që në hapat e parë, tha Kryepiskopi Anastas, e dinim që duhet t’i ofronim rinisë dhe fëmijëve tanë më të mirën, ndaj u siguruan për ngritjen e godinave dhe pajisjen e tyre rreth 22 milion euro. Por ky sistem kërkonte edhe shpenzime që të funksiononte dhe për këtë janë shpenzuar deri tani më shumë se 10 milion euro. Më tej, Fortlumturia e Tij theksoi se duhet të synojmë që fëmijët në këto shkolla jo vetëm të mësojnë, por të jenë edhe njerëz të virtytit, të ndërgjegjshëm se duhet të kontribuojnë në përparimin e vendit.
Veprimtaria vazhdoi me prezantimin nga mësuesja Irini Papamihali e punës së shkollës shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, 9-vjeçare dhe e mesme e përgjithshme, më e madhja në këtë sistem, me mbi 1 mijë nxënës. Pas saj u prezantua nga dy nxënëse edhe puna e shkollës së mesme të përgjithshme “Platon”, në Korçë.
Në këtë veprimtari ishin ftuar edhe dy pedagogë të njohur grekë, të cilët në temat e tyre theksuan rëndësinë që ka ana shpirtërore në procesin edukativ, për të reflektuar dashurinë dhe përkushtimin ndaj nxënësve. I pari e mori fjalën Prof. Emmanuel Perselis (Universiteti Kapodistrian i Athinës), i cili referoi temën “Dimensioni etik dhe shpirtëror i arsimit, perspektivë e krishterë orthodhokse”. Ndër të tjera, ai theksoi se: “Në epokën ku jetojmë, epokë e shndërrimeve të thella dhe të shpejta sociale, politike, ekonomike e teknologjike, qartësimi i koncepteve të arsimit dhe të virtytit duhet të jetë një nga përparësitë kryesore të punonjësve shkencorë në këtë fushë. Ky qartësim është i domosdoshëm, sepse ndihmon komunitetin e arsimtarëve të çdo lloj niveli të arsimit të planifikojnë dhe të zbatojnë programe frytdhënëse studimesh dhe veprimi të përshtatura me kushtet dhe kërkesat sociale e arsimore të kohës…”
Më pas u vazhdua me prezantimin me anë të një videoje të shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme “Frymë dashurie” të Gjirokastrës, që tërhoqi vëmendjen me shumanshmërinë e procesit të edukimit, brenda dhe jashtë orëve të mësimit.
Vijoi referimi i Prof. KristosVasilopoulos (Universiteti “Aristoteli” i Selanikut), me temë “Të shpërndajmë vlerat universale në një mjedis multikutluror”, i cili tha ndër të tjera se “Sinteza multikulturore e shoqërive të sotme na imponon, paralelisht dhe duke u kombinuar me etniken, të kultivojmë edhe identitetin evropian, si edhe një ndërgjegje të përbotshme, ekumenike. Kjo, përveç të tjerave, kontribuon edhe në komunikimin esencial me këdo, duke respektuar veçantinë e tij. Ky kapërcim është në një linjë edhe me “karakterin ekumenik” të “vlerave mbarënjerëzore” si dhe me rëndësinë që ka njeriu si person i lirë dhe i përgjegjshëm.”
Pas një pushimi, u vijua me prezantimin nga një prej mësuesve të punës së shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme “Frymë dashurie” të Durrësit dhe ecurisë në rritje vit pas viti.
Mbresëlënës ishte edhe videoja që prezantonte punën shumë të suksesshme të shkollës së mesme profesionale dhe asaj të përgjithshme të Mesopotamit, Sarandë.
Vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi veçanërisht prezantimi i Kolegjit Universitar “Logos”, i mbajtur nga Rektorja, Prof. dr. Nikoleta Mita, që ishte edhe një ftesë për maturantët për t’u regjistruar në këtë Universitet të Kishës sonë me një histori shumëvjeçare suksesi, që tashmë ka shtuar degë dhe mundësi të reja për të rinjtë. Ajo theksoi gjithashtu, se nxënësit e shkollave të kishës dhe sistemin arsimor ku ata janë përfshirë nuk e shikonin vetëm si mundësi për t’i pasur studentë, por si marrëdhënie e dyanshme, ku “Logos” do kontribuojë për rritjen e nivelit të mësimdhënies në këto shkolla, me anë seminaresh, studimesh, këshillimesh etj.
Një vend i veçantë iu dha dhe prezantimit të degës së Teologjisë Sociale dhe Shkencat Religjioze, e cila zhvillohet në kampusin në Manastirin e Shën Vlashit.
Edhe dreka e përbashkët shërbeu si një vazhdim prezantimi, njohjeje dhe diskutimesh për të pranishmit.
Veprimtaria vijoi me diskutime në grupe për temat e simpoziumit. Në fund, u bë edhe vlerësimi i asaj çka u arrit dhe synimet për më tej. Gjithashtu, gjithë të pranishmit bënë si kujtim të kësaj veprimtarie një foto të përbashkët me Kryepiskopin Anastas.
Foto nga: Dhjakonesha Aleksandra Ritsi.
http://www.radiongjallja.org/
Vijoi referimi i Prof. KristosVasilopoulos (Universiteti “Aristoteli” i Selanikut), me temë “Të shpërndajmë vlerat universale në një mjedis multikutluror”, i cili tha ndër të tjera se “Sinteza multikulturore e shoqërive të sotme na imponon, paralelisht dhe duke u kombinuar me etniken, të kultivojmë edhe identitetin evropian, si edhe një ndërgjegje të përbotshme, ekumenike. Kjo, përveç të tjerave, kontribuon edhe në komunikimin esencial me këdo, duke respektuar veçantinë e tij. Ky kapërcim është në një linjë edhe me “karakterin ekumenik” të “vlerave mbarënjerëzore” si dhe me rëndësinë që ka njeriu si person i lirë dhe i përgjegjshëm.”
Veprimtaria vijoi me diskutime në grupe për temat e simpoziumit. Në fund, u bë edhe vlerësimi i asaj çka u arrit dhe synimet për më tej. Gjithashtu, gjithë të pranishmit bënë si kujtim të kësaj veprimtarie një foto të përbashkët me Kryepiskopin Anastas.
http://www.radiongjallja.org/
Post Views: 821