Ungjilli (Lluka 15, 1-32)
Edhe gjithë tagrambledhësit e mëkatarët i afroheshin, që ta dëgjonin. 2 Edhe Farisenjtë e shkruesit murmurisnin, duke thënë se ky pret mëkatarë dhe ha bashkë me ta. 3 Edhe ai u tha atyre këtë paravoli, duke thënë:
4 Cili njeri prej jush, në pastë njëqind dhen, dhe të humbë një prej tyre, nuk lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë, dhe nuk shkon të kërkojë të humburën, deri sa ta gjejë? 5 Edhe si ta gjejë, e vë mbi supet e tij duke u gëzuar. 6 Edhe kur vjen në shtëpi, thërret miqtë dhe fqinjët, e u thotë atyre: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta delen time të humbur. 7 Po ju them juve, se kështu do të jetë më tepër gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet, se për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, të cilët s’kanë nevojë për pendim.
8 Apo cila grua që ka dhjetë dhrahmi, në i humbtë një dhrahmi, nuk ndez kandilin dhe nuk fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes, deri sa ta gjejë? 9 Edhe si ta gjejë, thërret mikeshat e fqinjat, duke thënë: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta dhrahminë që humba. 10 Kështu, po ju them juve, bëhet gëzim përpara engjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet.
11 Përsëri tha:
Një njeri kishte dy bij. 12 Edhe më i vogli nga ata i tha të atit: Atë, jepmë pjesën e pasurisë që më takon. Edhe ai ua ndau pasurinë. 13 Edhe pas pak ditësh më i vogli i mblodhi të gjitha, e mërgoi në një vend të largët; edhe atje shpërndau pasurinë e tij duke shkuar jetë në shthurje. 14 Edhe si i prishi ai të gjitha, u bë një zi e madhe në atë vend, edhe ai filloi të mos kishte. 15 Atëherë shkoi e u ngjit pas një qytetari të atij vendi, dhe ky e dërgoi në arat e tij të kulloste derra. 16 Edhe dëshironte të mbushte barkun e tij me lendet që hanin derrat; po askush nuk i jepte. 17 Edhe si erdhi në vete, tha: Sa mëditësve të tim eti u tepron bukë, ndërsa unë po humbas nga uria! 18 Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë, dhe do t’i them: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, 19edhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga mëditësit e tu. 20 Edhe u ngrit e erdhi tek i ati. Edhe kur ai ishte ende larg, i ati e pa edhe pati dhembshuri, edhe u sul dhe iu hodh në qafë atë, edhe e puthi fort. 21 Edhe i biri i tha: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. 22 Po i ati u tha shërbëtorëve të tij: Nxirrni stolinë e parë dhe vishjani, edhe i vini unazë në dorën e tij dhe sandale në këmbët. 23 Edhe sillni viçin e ushqyer dhe thereni, edhe le të hamë e të dëfrehemi. 24 Sepse ky biri im qe i vdekur, e u ngjall përsëri; edhe qe i humbur, e u gjet. Edhe zunë të dëfreheshin. 25 Edhe djali më i madh ishte në arë; edhe si erdhi afër shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. 26Edhe thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeste: Ç’janë këto. 27 Edhe ai i tha se ka ardhur yt vëlla, edhe yt atë theri viçin e ushqyer, sepse i erdhi shëndoshë. 28Edhe ai u zemërua dhe nuk donte të hynte brenda. I ati pra, doli e i lutej. 29 Edhe ai u përgjigj e i tha të atit: Ja tek po të shërbej kaq vjet, edhe kurrë nuk e shpërfilla urdhërin tënd; edhe kurrë nuk më dhe një kec, që të dëfrej bashkë me miqtë e mi. 30 Po kur erdhi ky yt bir që hëngri pasurinë bashkë me të përdalat, i there viçin e ushqyer. 31 Edhe ai i tha: O djalë, ti je përherë bashkë me mua, edhe gjithë të miat janë të tuat. 32 Dhe duhej të dëfreheshim e të ngazëlloheshim, sepse ky yt vëlla qe i vdekur, e u ngjall përsëri; edhe qe i humbur, e u gjet.