Sot mbushen 25 vjet nga ceremonia e parë fetare Ortodokse e mbajtur në Korçë pas rrënies së Diktaturës Komuniste. Ishte pikërisht dita e Theofanisë- Ujit të Bekuar mbajtur në Shën Triadhë me klerik Atë Kosta Kotnani.
Një prej protagonistëve, Kryetari i Këshillit Kishtar të sapokrijuar ishte Sotir Bambulla nga Boboshtica i cili na rrëfen ato sa ndodhën ato ditë të bekuara. Videoja që ju prezantojmë është po e asaj dite dhe është rregjistruar nga një teolog i ardhur nga Follorina me qëllim të ndiqte këtë çast historik dhe unikal.
…………………………………………………………………
Më 15 gusht 1990 bie këmbana e parë në Boboshticë të Korçës.
Pesëmbëdhjetë gushti në Shën Maria bëheshe panair. Ishte manastir i shkatërruar nga ushtria dhe më vonë kooperativa e bëri stallë dhish. Unë gjithmonë mendoja se si do të hapen kishat. Më datën 14 thirra shokun tim Jovan Jocon dhe i shpreva mendimin, ai ra dakort. Mblodha ish nxënësit tim, Koço Xhoxhin, Thomaq Greçon, Fredi Niçon dhe u shtrova mendimin. Ata u gëzuan, më përqafuan, shkuan pastruan plehun në kishë dhe oborrin. Në mure kishte zhgaravitje me thëngjij. Thirrëm suvaxhiun Thoma Tashon, për lyerjen e tyre.
Përgatitëm kandile prej vazo salce dhe i rradhitëm në vendin e Jodhimës. Thomaqi solli Ikonën e Tërëshenjtës, e vendosëm në të lartë. Në fshat u mor vesh dhe erdhën gjithë rinia dhe plot gra, muri ku kishim vënë ikonën, si për çudi, i ngjitëte monedhat si me magnet. Atë natë fjetëm atje. U flisja për Jisu Krishtin dhe Nënën e Zotit. Çast solem, djemtë i ranë këmbanës më datën 15 ora 7. Të gjithë të ardhurit kërcenin nga gëzimi. ”Zoti është me ne”.
Me qindra njerëz nga fshati dhe qyteti morën pjesë duke psalur lutje.
Anëtarët e partisë së fshatit ishin alarmuar duke njoftuar komitetin e Partisë dhe degën e brendshme.
Në orën 20:00 vjen korrieri më lajmëron, të thërresin në Zyrë. Shkova. Zyra ishte mbushur, të gjithë komunistë
dhe Sekretari i Partisë i kooperativës së Bashkuar Valter Çili. I përshëndeta ΄΄Mirëmbrëma΄΄, ata më panë sikur të isha qen. Sekretari më thotë:΄΄Ke shqetësuar me këto punë armiqësore, ti do shkosh në burg dhe djemtë do t ‘ i heqim nga puna.” Me ton më thërret:
dhe Sekretari i Partisë i kooperativës së Bashkuar Valter Çili. I përshëndeta ΄΄Mirëmbrëma΄΄, ata më panë sikur të isha qen. Sekretari më thotë:΄΄Ke shqetësuar me këto punë armiqësore, ti do shkosh në burg dhe djemtë do t ‘ i heqim nga puna.” Me ton më thërret:
-” Ti nuk e di se mbi të gjitha është Partia!?
-Kur u linda unë, – i thashë, s’ kish Parti, në zemrën time kam Zotin.
– Paratë që mblodhët ku i ke?
Të rinjtë shtynë dritaren dhe Koço Xhoxhi u thërret: – Paratë i kam unë. Këtë e përsëritën të tjerët. Të gjithë nuk prisnin fjalët e të rinjve. Ata u shpërndanë.
Më 17 gusht më thirrën në Komitet të Partisë. Sekretari i 2- të, Spirku, me ton thërret: – ”Ke qënë arsimtar, kështu i ke edukuar brezin e ri, të ardhmen e vendit”. Unë iu përgjigja: – ”Erdhi dora e Zotit, unë s’kam frikë”.Poshtë kam dy djemtë, kur i pa nga dritarja më tha: – ”Shiko këtë punë do ta shohim”, – ai u tremb.
18 gusht, shkova në Korçë. Me Jovan Jocon shkuam në familjen e ndritur që na hapi derën. Familja përbëhej nga motrat Marika, Dhimitra, kunata Franqi dhe nipi Kristaqi. U dhamë lajmin se në Boboshticë e hapëm kishën. Ju lumtë, – na thanë, – ty do të kemi komandant! Edhe familja tuaj do quhet ”Shtëpi e Stefanait”. Që atë ditë sollën shumë besimtarë. Të nesërmen njohëm një familje besimtare, Gavril Prifti me gruan Maria dhe djemtë Nikolla dhe Dhimitri. Nga këta mësova se në metalet punon një djalë, derdh kryqe dhe i shpërndan, quhet Jani Trebicka. Shkuam e takuam dhe e uruam për punën që bënte dhe në veçanti i thashë:- ”Ti të bëhesh prift”. Ai tha: ”Sa të vijë dita mua më kini të parin”. Tani me Janin lëviznim nëpër qytet për të peshkuar. Numri i besimtarëve rritej çdo ditë. Në Korçë kishin mbetur dy kisha, Mitropolia, që ishte kthyer Muzeu Mesjetar dhe Shëndëllia, që ishte kafene gjysma dhe pjesa tjetër çentral telefonik.
Takoj shokun dhe kolegun Kiço Zguri e shumë besimtarë na uronin për hapjen e kishës në Boboshticë. Tani na duhet një prift.
Kiçoja tha:
– Këtu pranë kam bashkëfshatarin Kosta Kotnani, ja këtu dy rrugë më lart shkojmë – i thashë. Vajtëm në familje, trokitëm, doli nusja e Ilos, i thamë qëllimin, ajo me gëzim hapi derën.
Papa Kosta po pinte kafenë, la filxhanin, i puthëm dorën, Kiço i tha:
– Ky është Sotiri nga Boboshtica që hapi kishën.
-Ju lumtë, ju lumtë, tani ta hapim e në Korçë. Unë i thashë:
– Për këtë kemi ardhur me gjithë pleqësinë më këmbë më kini,
E përqafova prapë, nusja na qërasi me karamele dhe raki sipas zakonit. Erdhi i biri, Iloja, me lot në sy na tha .
– Sa u gëzova pa masë për lajmin e gëzuar, që na sollët. Unë i thashë:
– Do të bëhesh prift.
Ai tha:
– Dardha nën dardhë do të bjerë.
Kaluan muaj,
8 nëntor. Kryeministri Adil Çarçani ora 20 në televizion Iliria tha:
– Që sot e tutje feja është e lirë, – por populli kishte frikë nga sigurimsat.
Më 6 janar 91 hapet kisha në Korçë.
Takimet i bënim në familjen e motrave Cico. Rrobat e priftit i përgatitën motrat, ishte data 5, një ditë para hedhjes së Kryqit. Kazanin prej inoksi e solli Mondi Bardhi. Kristaq Cico dhe Landi Çaushi me avanë inçizuan rënien e këmbanës se s’kishin këmbanë. Jani Trebicka me shokët e tij përgatitën qendrën e zërit do ta merrnin në Pallati i Kulturës.
Data 6. Çdo gjë ishte gati, zëri i avasë buçiste si këmbanë. Me mijëra njerëz u grumbulluan. Ilka e solli Papa Kostën dhe psalltin Andrea Velon.
Mora fjalën unë.
– ”Gëzuar Krishtlindjen! Gëzuar Shën Vasilin! Dhe sot gëzuar Ujët e Bekuara! Pas 43 vjet ateizëm, sot do të mbajmë ceremoninë e hedhjes së Kryqit këtu në Korçë. Për popullin e Korçës s’ka qënë e mbyllur kisha, muret e kishës kanë qënë njerëzit, toka ishte dyshemeja, qielli ishte kubeja. Jemi populli më i vjetër në botë që kemi përqafuar fenë e Krishterë, që në ardhjen e Apostoll Pavlit në shekullin e parë. Gjergj Kastrioti ka qënë mbrojtësi më i madh i Krishtërimit në Evropë. Në arteriet e korçarëve qarkullon gjaku i Kastriotëve . Populli i Korçës i festonte kremtet fetare duke shkuar kishë më kishë si në Drenovë, Boboshticë, Polenë e Voskopojë, Hoçisht, Kamenicë në gërmadhat e kishave. Festonim emrat duke shkuar shtëpi më shtëpi. Korça është Jerusalem i Shqipërisë.
Çfarë predikon Ortodoksia ? 10 porositë
Të duash perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd. Të nderosh prindërit. Të duash të afërmit tënd si veten tënde.Mos vrasësh. Mos vjedhësh. Të jesh i ndershëm. Jesu Krishti ka thënë: ”Unë jam drita e botës, ai që ecën pas meje nuk do të ecë në errësirë, por në dritën e jetës.”
Për ardhjen e Krishtit kanë shkrojtur Isaia, Jeremia, Jezekija nga lindja deri në ngjalljen e Zotit Krisht.
Vula e krishtërimit është pagëzimi, të gjithë të pagëzohen, zbukuroni faqet e mureve me ikona, mos kini frikë.”
Dita e Ipapandisë
Mbasi mbaruam meshimin e Ipapandisë në natyrë, kisha e Shën Marisë gërmadhë, shkuam në familjen e motrave Cico. U takuam si këshillë dhe dhamë mendime si të krijonim këshilla kishtare në gjithë Shqipërinë dhe pas këtyre krijimin e Këshillit të Përgjithshëm të kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me qendër në Korçë deri në ardhjen e eksarkut Pr. Dok. Anastas Janullatos.
Këshillin e parë e krijuam pas hedhjes së Kryqit. E quajtëm Shoqata ”Mbajtësit e Kryqit”. Në takim e mora unë përsipër të shkoja qytet më qytet bashkë me sportistin Landi Çaushi, sot i pagëzuar Kostandin.
Më 6 shkurt 1991 mes një dimri me borë e ngrica u nisëm më 6 janar në Pogradec. Na priti Todi Jovani me shokë. E caktuam kryetar. Data 7 në Elbasan, kryetar Mark Kapedani. Data 8 në Tiranë. U vu Papa Gaqi dhe shkuam vizitë në një besimtar Koço Feshti në Tiranë e re, prapa Bllokut.
Ortodoksia merr mesazh nga Zoti.
Unë, papa Gaqi, Petro Salçi sa kaluam stacionin e autobusit, morëm rrugën për te shtëpia e papa Gaqit duke kaluar në mes të dritave neon, përpara vjen një djalë i ri rreth moshës 15 vjeç. ai vjen drejt meje dhe më përqafon me shumë dashuri duke më thënë:” Ju lumtë, rrugën që ke nisur Perëndia ju ndihmoftë, Partia ju ka ngrënë hakun duke prishur kishat dhe duke u hequr besimin”. Ne shtangëm në vend dhe thamë:” Zoti është me ne”. Gjatë gjithë rrugës na dilte ajo skenë e çuditshme e Zotit. Ai më përqafoi si njeri, sa mbaroi mesazhin u zhduk.
Data 9.2.1991 Në Durrës, në familjen e ndritur të Vangjel Plepit, na pritën me dashuri dhe mblodhi shumë besimtarë. Kryetar caktuam Vangjelin, besnik i ortodoksisë me mish e me shpirt, ashtu e gjithë familja.
Data 11. Lushnjë dhe Fier. Në Lushnjë takuam Vangjel Katron dhe shumë besimtarë. Në familjen e arkimandritit mësuam historinë e tyre. Njëzëri zgjodhëm kryetar Vangjelin. Nga Lushnja në Fier mësuam se ndihmës – mjeku Marko Veshka pa dallim race ose fukarenj u shërben sikur i ka vëllezër e motra.
E takuam në shtëpi. Na priti me shumë dashuri dhe me lot në sy nga gëzimi për hapjen e kishave. Na shpuri në një klub, thirri shokë besimtarë dhe Markon e zgjodhëm kryetar.
Data 12 në Vlorë. Shkuam në shtëpinë e një kallugreje ngjitur me kishën e Shën Thodhrit ku vinin shumë besimtarë ndiznin kandile në brezat e kishës. Takuam Zonjë Margarita Strepin, gruaja e psalltit Gavril. Ajo na ftoi në shtëpi ku thirri shumë besimtarë. Kryetare vunë Margaritën.
Data 13 janar. Në Gjirokastër takova djemtë e priftit, Sotir dhe Stefan Duka. Në shtëpi mblodhi besimtarë dhe krijuam këshillin me kryetar Sotir Dukan.
Data 14. 2. 91 U kthyem në Korçë.
Më 16 .2 .91 shkova në familjen Cico mbushur me besimtarë. Kur më panë u shkëlqyen sytë, të gjithë njëzëri:
– Si dole Sotir?
– ”Shumë mirë, i krijova këshillat dhe adresat ja ku i kini. Tani na del detyrë të marim Shëndëllinë, ta kthejmë në kishë, të meshojmë kur të mbledhim këshillin e përgjithshëm. Nesër do të shkoj në komitetin e qytetit, do bëj kërkesë për Shëndëllinë. Në Komitetin e Partisë do kërkoj të na kthehet Mitropolia.”
Kërkesat i bëmë më datën 17 Shkurt dhe përgjigjen na e dhanë më 10 Mars. Na u dha kisha e Shëndëllisë. E kthyem nga kafene në kishë funksionale.
Tani ishim përgatitur. Kishës nuk i mungonte asgjë. Përsëri u takuam me të gjithë besimtarët dhe u thashë:
– Data 17 mars është e dielë, më parë bëjmë meshën pastaj në Pallati i Kulturës do të zhvillojmë mbledhjen.
Më 15 bëmë telegramet, më datën 16 arritën delegatët. Unë, Grigor Mulla, Jani Trebicka i pritëm. Data 17 meshuan të gjithë klerikët. Pasdite shkuam në Pallati i Kulturës. Çast solem. Mbajta fjalën e rastit për punët e bëra, folën dhe delegatët. Pas fjalimit filloi zgjedhja e këshillit të përgjithshëm të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë si më poshtë:
1. Sotir Bambulla kryetar, mësues matematike – fizike
2. Vangjel Çapi sekretar i përgjithshëm inxhinier
3. Ilia Mërtiri sekretar për Tiranën mjek
4. Papa Kristo Raci si përfaqësuese arhijeratik
5. Papa Kosta Kotnani anëtar
6. Vangjel Xoxe Dhiak anëtar
Qendra e kishës Orthodhokse Autoqefale në Korçë deri në ardhje të Fortlumturisë Kryepiskopit tone të dashur Anastasit si eksark. Kryepiskopi ynë është bekimi më i madh për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ky pra është shkurt historiku i fillimit të funksionimit të kishave ashtu si para mbylljes së tyre
Sotir Bambulla
Mësues Matematike (sot 86 vjeç)