Lartësimi i Kryqit të Nderuar

E hënë, 14 shtator 2015 – Shenjtori i ditës.
Lartësimi i Kryqit të Nderuar (Stavros). Sinodi i VI Ekumenik.
Lartësimi i Kryqit të Nderuar (Stavros).
Ndërsa përgatitej të shkonte në Romë e të luftonte kundër rivalit të tij Maksentit, Konstandini i Madh pa një natë shenjën e Kryqit jetëbërës t’i shfaqej në një formë të shndritshme në qiell të rrethuar nga këto fjalë “ΕΝ ΤΟΥΤΟ ΝΙΚΑ”, e përkthyer “Do të fitosh me këtë”.
I zbukuroi armatimet me shenjën e kryqit dhe korri fitore brilante, gjë që i lejoi të merrte pushtetin mbi gjithë perandorinë romake dhe të siguronte triumfin e Krishterimit.
Në vitin e 20 të mbretërimit të tij, Konstandini dërgoi nënën e tij Eleni në Jerusalem që të nderonte Vendet e Shenjta, të gjente vendin e Varrit të Shenjtë dhe të Kryqit, ku punimet për zgjerimin e qytetit nga Adriani kishin bërë të fshiheshin në rrënoja.
Me ndihmën e traditave gojore, Shën Eleni gjeti të tre kryqet, dy të kusarëve dhe Kryqin e Zotit, si dhe tri gozhdë që kishin mbërthyer gjithashtu trupin e Zotit. Por nuk mundi dot të dallonte se cili ishte Kryqi i Zotit. Shërimi i një gruaje që ishte në prag të vdekjes me anën e Kryqit të Zotit bëri që patriarku i Jerusalemit ta dallonte nga dy të tjerët.
Atëherë ai hipi mbi amvonën e kishës, dhe duke marrë Kryqin e lartësoi para të gjithëve, ndërsa turma thërriste: “Mëshiro, o Zot!”. Që nga kjo ditë, Etërit e shenjtë vendosën ta kremtonin çdo vit Lartësimin e Kryqit të çmuar në të gjitha kishat, jo vetëm në kujtim të kësaj ngjarjeje, por të treguar se nga instrument turpi që ishte, kryqi u bë lavdia dhe gëzimi ynë.
Duke kujtuar atë ç’ka bëri patriarku dhe duke e lartësuar Kryqin në katër anët e horizontit me thirrjen “Mëshiro, o Zot”, të krishterët tregojnë sot se duke u ngjitur në Kryq, Krishti ka pajtuar me veten e Tij gjithçka, ka bashkuar të gjitha largësitë e krijimit, lartësinë dhe thellësinë, në trupin e Tij, që ne të shkojmë tek Ati.

Author: admin