Rrethprerja e Zotit Jisu Krisht. Vasili i Madh. Dëshmor Telemaku.

Ishte martir dhe bir i pasanikëve fisnikë shpresëtarë, Vasilit dhe Emilias, të cilën rusët e festojnë sot si shenjtore, dhe vëlla i shën Grigorit të Nisës (10 janar), i shën Makrinës (19 korrik) etj. Lindi ndoshta në Neoqesarinë e Pondit, krahinë në bregdetin verior të Azisë së Vogël, më 330.
 
Mësoi pranë të atit, i cili ishte mësues dhe orator. Mbas vdekjes së tij (345) studioi filozofi, retorikë, filologji, astronomi dhe mjekësi në Qesari të Kapadoqisë, ku u njoh dhe u miqësua përzemërsisht me Grigor Theologun (25 janar) në  Konstandinopojë dhe në Athinë (352-356), ku themeloi me Grigorin grupin e parë të krishterë studentor. Më pas, ushtroi në Qesari me shumë sukses profesionin e mësuesit të retorikës.
 
Shumë prej familjarëve të Vasilit ishin bërë murgj në çifligun e tyre në Pont. Vasili (greqisht = mbretëror, i shkëlqyer) u pagëzua, studioi Krishterimin dhe vizitoi qendrat monakale të Sirisë, të Mesopotamisë, të Palestinës dhe Egjiptit. Si dhjak u bë eremit (me sa duket në vitet 360-365) në Pond ku i ndihmuar nga Grigori i dha jetës murgërore themelet e organizimit të saj. Më pas si prift vendoset në Qesari (365) për të përballuar rrezikun e Arianizmit. Në vitin 370 arriti të bëhej episkop i saj.
 
Përbuzi absolutisht kërcënimet e Modestit, të dërguarit të perandorit arian Valenti (364-378), ky i fundit në vend që ta internonte e ndihmoi në qytetin e institucioneve bamirëse, të Vasiliadhës së famshme, që ishte krijim i shenjtit. Megjithatë i shkëputi një pjesë të dioqezës së tij.
 
Atëherë bëri episkopë Grigorët: të vëllanë e bëri hierarkun e Nisës; dhe mikun, Grigor Theologun, episkop të Sasimës.Shën Vasili u tregua udhëheqës i zoti i orthodhoksëve, por duke qenë gjithmonë i sëmurë dhe me preokupimet në fronte të ndryshme vdiq shpejt. Në varrimin e tij (1.1.379) kishte kaq shumë pjesëmarrës, sa disave u ra të fikët e disa njerëz vdiqën!
 
Mësuesi Ekumenik shkruajti shumë vepra të famshme si p.sh: Apologjitike, tekste shpjeguese, dogmatike, asketike (Termat etj.), të paktën bërthamën e Liturgjisë Hyjnore të tij si dhe treqind letra. Në jetën e tij tregohen shumë nga mrekullitë që bëri ai, ndoshta lidhet dhe “vasilopita”, një lloj ëmbëlsire si keku me monedhën brenda, e cila u ndahet sot të gjithëve.

Author: admin