Kryepiskopi Anastas: Shën Kozmai u nderua në trevat e Shqipërisë dhe kur jetoi, por edhe menjëherë pas fjetjes së tij martirike…
Sot, më 24 gusht 2014, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë kremtoi me madhështi kujtimin e Shën Kozma etolosit. Në manastirin që mban emrin e tij, në Kolkondas, u krye Liturgja Hyjnore Sinodike, që u kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Sinodit të Shenjtë: të Hirësive Mitropolitë, të Beratit Ignatit, të Korçës Joanit, të Gjrokastrës Dhimitrit, dhe Episkopëve, të Apolonisë Nikolla, të Krujës Andoni, të Amantias Nathanaili dhe Bylisit Asti, së bashku edhe me shumë priftërinj e dhjakonë. Qindra besimtarë orthodhoksë dhe jo vetëm, kryesisht nga zona e Fierit, por edhe nga i gjithë vendi, si dhe pelegrinë nga Greqia, mbushën kishën qendrore (katholikonin)të Manastirit dhe mjediset përreth, duke marrë pjesë në gjithë atmosferën adhuruese të ditës. Shumëprej tyre e kishin kaluar natën me lutje nëmanastirin e shenjtorit, siç është tradita shekullore.
Për personin dhe veprimtarinë shpirtërore të Shën Kozmait foli Hirësia e tij Episkopi i Apolonisë, Nikolla, i cili theksoi përkushtimin ndaj besimit dhe veprën e jashtëzakonshme të shenjtorit, që në një kohë të errët e të vështirë ktheu shpresën tek të krishterët orthodhoksë.
Në mbarim të Liturgjisë Hyjnore besimtarëve iu drejtua edhe Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili në fjalën e tij iu referua veçanërisht kushteve historike në të cilat Shën Kozmai zhvilloi veprën e tij hierapostolike, rrjedhojë e së cilës ishte frenimi i valës të islamizimeve masive dhe shpëtimi i Orthodhoksisë në këto treva, një realitet i bukur për të cilin të krishterët e sotëm kaq shumë i detyrohen shenjtorit.
Ditët e fundit pati artikuj në gazeta të ndryshme, me firma pseudohistorianësh dhe analistë shtrembërues, që arritën deri sa ta cilësojnë shenjtin “djall” dhe “antishqiptar”, duke tentuar, sikundër tha Kryepiskopi, ta varin përsëri shenjtorin në laqe prej letrash. Ata, tha ai, frymëzohen nga formimi ateist dhe duan të vazhdojnë t’i mbajnë të nënshtruar besimtarët orthodhoksë.
Por këto kohë kanë kaluar dhe kur ofendojnë shenjtorët e Kishës, ose kur duan të imponojnë mënyrat sesi orthodhoksët do t’i nderojnë ata shenjtorë, mund të arrijnë vetëm të trondisin tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, qëështënjë realitet, nga të paktët, që Shqipëria e paraqet me mburrje në familjen bashkëkohore europiane.
Shën Kozmai ishte jo thjesht një klerik i përkushtuar orthodhoks dhe hierapostull i ndriçuar, por ishte edhe një faktor i progresit dhe për kushtet e epokës së tij synonte epancipimin shoqëror. I nxiste besimtarët të mësojnë greqisht jo si shprehje e nacionalizmit apo si përpjekje për helenizim, po si një mjet që ata të njiheshin me të vërtetën e Ungjillit dhe misteret e Kishës. Në atë kohë ende nuk kishte asgjë të shkruar apo përkthyer në shqip, ndërsa edhe vetë Ungjilli i Shenjtë u përkthye disa dhjetëvjeçarë më vonë. Me predikimin e tij Shën Kozmai emocionoi turmat e besimtarëve në trevat e Shqipërisë së sotme dhe besimtarët e vlerësuan dhe e deshën edhe për të gjthë veprën e tij për përparim shoqëror dhe arsimim të masave.
Fortlumturia e Tij Anastasi foli me emocione edhe për vizitën që pati ditët e fundit në vendin e martirizimit me varje të Shën Kozmait (Kolkondasi është vendi ku u gjet dhe u varros lipsani i Shën Kozmait pas ekzekutimit të tij). Fjala është për fshatin Mujalli, në krah të lumit Seman, në bregun jugor të tij, ku në vendin e martirizimit ekziston një pemë si ajo ku ishte vendosur laku.
Në fund, besimtarët dhe klerikët morën pjesë edhe në litaninë me lipsanin e shenjtorit.
Më pas, në kompleksin manastirial të rindërtuar plotësisht, Kryepiskopi dhe të gjithë kryepriftërinjtë pritën besimtarët dhe pelegrinët.
***
Manastiri i Shën Kozmait është rikonstruktuar plotësisht me kujdesin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Punimet e gërmimit dhe largimit të dherave nxorrën në dritë varrin e shenjtorit me pikturë murale të asaj kohe që mbi dy shekuj më parë, si dhe elemente të tjerë arkitekturorë me mjaft interes, që ishin mbuluar nga lymi i sjelle nga përmbytjet e lumit Seman. Gjithashtu, janë ngritur edhe katër kisha të reja në zona të ndryshme, që i dedikohenkujtimittëShenjtorit.
***
Kohët e fundit ka pasur një fushatë të orkestruar shpifjesh kundër shenjtorit, me qëllim denigrimin e veprës së Kryepiskopit Anastas dhe të gjithë Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale.
P.sh.Një nga sajesat që përdoren, është ajo se nderimi i këtij martiri të madh nuk ka ekzistuar mes të krishterëve orthodhoksë shqiptarë; edhe n.q.s. ka filluar, ka filluar pas vitit 1961, kur me vendim të Patriarkanës Ekumenike u vu në listën e shenjtorëve të nderuar nga të gjitha Kishat Orthodhokse. Këto nuk janë vërteta, nderimi i tij si shenjtor lokal nisi nëshek. XVIII, në të gjitha ato zona ku ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm për të zgjuar ndërgjegjen e shtypur të orthodhoksëve nga nata e gjatë osmane, duke frenuar dukshëm islamizimin e këtyre trevave. Këtë e dëshmojnë ndërgjegjja e popullit orthodhoks shqiptar, afresket e ikonat, shërbesa kishtare për shenjtorin, Manastiri i tij dhe kisha e ndërtuar me kujdesin e Ali PashëTepelenës (1814-1815) dhe mbitë gjitha, e dëshmon nderimi i madh i gjithë popullit edhe atij jo orthodhoks, kudo ku ai predikoi.
Dëshmi e këtij nderimi para vitit 1961, që hedh poshtë ato që pretendojnë antiorthodhoksët, mes shumë të tjerave është ajo që kanë shkruar e botuar dy nga personalitet më të mëdha të Kishës sonë: Imzot Theofan Noli dhe Kryepiskopi i parë kanonik, Fortlumturia e Tij Kristofor Kisi.
Imzot Theofan Noli, në vitin 1947, në Boston, botoi Kremtoren (Tëkremtet) e Kishës Orthodokse. Në parathënien e tij thotë se: “Përkthimin… e kemi bërë nga Gerqishtja, me përjashtimin e këndimeve të Shën Kozmait të Beratit, të cilin e parafrazuam nga versioni shqip i KryeHirësisë Tij, Imzot Kristofor Kisi, Kryepeshkopit të Shqipërisë”. Dhe në faqet 754-763 jep shërbesën kishtare të këtij shenjtori.
Pra, Imzot Theofan Noli, që në 1947 (pra për para vitit 1961) e quan Shën Kozmai i Beratit dhe shërbesën e shenjtorit e merr nga botimi i vitit 1931 të Imzot Kristofor Kisit, i cili ka shkruar mjaft për Shën Kozmain.
Pra, për Imzot Theofan Nolin dhe Imzot Kristoforin, si dhe për gjithë besimtarët orthodhoksë dhe më gjerë në shekuj, Shën Kozmai nuk ishte as antishqiptar e as “joshenjtor”, siç trumbetojnë zotërinjtë antiorthodhoksë.
Po kështu, i pa parecedent dhe i pa imagjinueshëm për arrogancen dhe frymën antiorthodhokse ishte dhe një deklaratë e disa shoqatave pa lidhje me besimin, e cila krijoi revoltë mes besimtarëve orthodhoks edhe shqetësim per frymën perçarëse që kërkontë të mbillte e tëpër hapte.
Foto nga Thoma Dhima dhe Aleksandria Ritsi