Ditën e hënë, 2 qershor 2014, Primatët dhe përfaqësuesit e Kishave Orthodhokse, të shoqëruar nga Kryepiskopi Anastas dhe anëtarë të Sinodit të shenjtë, vijuan me takime krerët më të lartë të shtetit. Takimin e parë e bënë me Presidentin, Z. Bujar Nishani, në selinë e Presidencës. Duke iu uruar edhe njëherë mirëseardhjen, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se pas një gjysmë shekulli diktature, ku praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj, ku klerikët u përndoqën pa mëshirë dhe objektet e kultit u shkatërruan, Shqipërisë sot i është shtuar edhe një objekt tjetër madhështor kulti – Katedralja e re Ortodokse në qendër të Tiranës. Presidenti Nishani vuri në dukje vlerat e pamohueshme të popullit tonë: tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën e shkëlqyer fetare, duke shtuar se Shqipëria dhe shqiptarët kanë punuar dhe do të kontribuojnë gjithmonë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe dialogun me fqinjët në rajon, sepse vetëm në sajë të këtyre parimeve popujt dhe vendet tona do të ecin përpara në paqe dhe begati. “Këto virtyte të shqiptarëve të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, Shqipëria do t’ia ofrojë si vlera të shtuara edhe familjes së madhe evropiane, ku ne synojmë të bëjmë pjesë dhe të integrohemi së shpejti.” – theksoi Presidenti Nishani. Duke falënderuar Presidentin Nishani për mikpritjen, Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu, vlerësoi ndryshimet dhe përparimet që ka shënuar vendi ynë duke vënë në dukje se Katedralja e re Ortodokse është një tjetër provë e qartë se Shqipëria gëzon tërësisht lirinë e praktikimit të fesë, pas së kaluarës së hidhur që ka përjetuar. Gjithashtu Patriarku Ekumenik shprehu urimin dhe bekimin e Tij që Shqipëria të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat, sepse përveç arritjeve të shënuara, kombi shqiptar, duke qenë njëri prej më të vjetërve në kontinent, e meriton plotësisht të jetë në gjirin e Bashkimit Evropian.
Primatët dhe përfaqësuesit Orthodhoksë, së bashku me Kryepsikopin Anastas, u takuan dhe me Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta. Ai u shprehu urimet më të ngrohta për Shenjtërimin e Kishës së Re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, duke përcjellë mirënjohjen për nderimin që Patriarku Vartholomeu I dhe Patriarkët e tjerë i kanë bërë popullit shqiptar me praninë e tyre, duke e kthyer Tiranën në një qendër të ortodoksisë botërore gjatë ceremonisë së Shenjtërimit. Z. Meta vlerësoi punën e madhe që është bërë nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjatë këtyre 23 viteve në të gjithë vendin në drejtim të shërbimit komunitar dhe rritjes së cilësisë së bashkëjetesës fetare në Shqipëri, model të cilin populli shqiptar e ruan me krenari të veçantë. “Shqipëria i kushton vëmendje të veçantë lirisë dhe bashkëjetesës fetare, dhe sot ndjehemi krenarë për shembullin pozitiv që japim në rajonin e Ballkanit, ku populli shqiptar udhëhiqet nga parimi i fqinjësisë së mirë dhe bashkëjetesës përmes rrugës së paqes dhe tolerancës, duke lënë pas konfliktet e së kaluarës” – theksoi z. Meta. Patriarku Ekumenik Vartholomeu shprehu mirënjohjen e tij dhe të të gjithë Kishës Ortodokse për kontributin e autoriteteve shqiptare në drejtim të forcimit të rolit të Kishës Ortodokse në shërbim të shoqërisë shqiptare dhe në veçanti duke mbështetur projektin madhor të ndërtimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në qendër të Tiranës. Patriarku vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria ka pësuar ndryshime rrënjësore gjatë këtyre viteve duke u transformuar në një vend evropian të rilindur shpirtërisht dhe në një shembull të lirisë dhe bashkëjetesës fetare. “Në emër të gjithë Primatëve Ortodoksë dhe përmes Jush, dëshirojmë të përcjellim mirënjohjen tonë të thellë ndaj të gjithë Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe ndaj popullit shqiptar për mbështetjen, solidaritetin dhe përkushtimin e treguar në vite” – u shpreh Patriarku Vartholomeu.
Primatët dhe përfaqësuesit e Kishave Orthodhokse, të shoqëruar nga Kryepiskopi Anastas dhe anëtarë të Sinodit të Shenjtë, patën një takim edhe më Kryeministrin Z. Edi Rama, në selinë e Këshillit të Ministrave. Edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe i Opozitës, z. Lulzim priti Tërëshenjtërinë e Tij, Patriarkun Ekumenik Vartholomeu, si dhe primatët dhe përfaqësuesit e Kishave Orthodhokse, të shoqëruar nga Kryepiskopi Anastas dhe Miitropoliti i Korçës Joani. “Shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” dhe prania e Primatit të Kishës Ortodokse në Tiranë – u shpreh kryebashkiaku Basha – është një tjetër dëshmi e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare në vendin tonë. Vetëm pak metra – theksoi zoti Basha – ndajnë nga njëra – tjetra xhaminë e Et’hem Beut, katedralen “Ngjallja e Krishtit”, katedralen e Shën Palit dhe Kishën Ungjillore. Ky është një shembull unik në botë – u shpreh ai – për të cilën shqiptarët krenohen dhe një vlerë e shtuar për BE, së cilës Shqipëria pret t’i bashkohet në një të ardhme të afërt.” Tërëshenjtëria e tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu shprehu falënderime për qytetarët e Tiranës, për mikpritjen që u kanë rezervuar gjatë qëndrimit në Tiranë dhe theksoi se Shqipëria është një shembull që duhet ndjekur për bashkëjetesën dhe tolerancën mes qytetarëve me besimeve fetare, tradita dhe kultura të ndryshme.