Përurohet Kishëza “Lindja e Krishtit”, pjesë e Kompleksit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë

    Me rastin e pesëdhjetëvjetorit të dorëzimit në prift të Kryepiskopit Anastas dhe nisjes së veprës së tij hierapostolike, duke shërbyer në Afrikë, të shtunën, më 24 maj 2014, u krye përurimi i Kishëzës “Lindja e Krishtit”, që ndodhet pranë Katedrales së Madhe të Tiranës “Ngjallja e Krishtit”. Në shërbesë morën pjesë shumë besimtarë, veçanërisht të rinj. 
    Shërbesa e Shenjtërimit dhe Liturgjia Hyjnore u kryen nga Fortlumturia e Tij Anastasi, i ndihmuar nga Hirësi Nathanaili dhe klerikë të tjerë.
    Pas përurimit, Kryepiskopi Anastas priti urimet e ngrohta për këtë përvjetor të shënuar. Më tej, në Qendrën Kulturore vijoi veprimtaria me temë “Hierapostullimi Orthodhoks në Afrikën Lindore”. Ky fillim lidhet direkt edhe me Shqipërinë. Kryepiskopi i ynë, Anastasi ndodhej në Afrikë, në fillimet e vitit 1991, kur Patriarkana Ekumenike e ftoi të shkonte në Shqipëri si eksark patriarkal. Përvoja në kushtet e vështira të shërbesës së tij në Afrikë, ndihmoi në përballimin e vështirësive të ndryshme gjatë përpjekjes hierapostolike në Shqipëri. Aktiviteti përmbante edhe këngë e valle nga grupet e të rinjve, një dokumentar të shkurtër etj. 
    Kishëza “Lindja e Krishtit” ndodhet në cepin e majtë të oborrit të Kompleksit të Katedrales. Ajo ka një çati në formë kryqi të veshur me fletë bakri. Hierorja veçohet nga një ikonostas druri, ndërsa nga një dritare rrethore e qelqtë, në qendër të dyshemesë, drita natyrale hyn në pagëzimoren, e cila gjendet pikërisht poshtë kishëzës, në katin e nëndheshëm. Kishëza është e zbukuruar me ikonografi murale, të realizuar me nivel shumë të lartë nga ikonografi Kristo Papanikolau.
 
 
 
 
 
 

Author: admin