Përlufteshës gjenerale këngët mundëse
Si përhirim që e shpëtove prej tmerreve,
Qyteti yt po të përshkruan, o Virgjëreshë:
Po sikundër ke fuqi të palëftuarshme
Prej çfarëdo rreziku shpëtomë
Se po të thërres: Gëzohu, nuse e panusëruar.
Perandoria bizantine gjatë kohës së Perandorit Irakli 610–641, u përball me shumë luftra. Në vitin 619, Irakliu bëri marrëveshje paqeje me avarët. Mbas disa kohësh vetë perandori u vu në krye të ushtrisë, në luftën kundër persëve. Në ceremoninë zyrtare, që u bë në kishën e Shën Sofisë, më 5 Prill 622, ditë që përkonte me të Hënën e Pashkës, iu lutën Zotit, që të mbështeste qytetin dhe bijtë e tij të mitur nën mbrojtjen e Hyjlindëses. Ndërsa Irakliu korrte fitore në luftën kundër persëve, një rrezik i madhe kërcënonte perandorinë. Avarët, duke shkelur marrëveshjen e paqes, sulmojnë papritur Kostandinopojën nga toka dhe deti. Kryetari i tyre, Kagani, e refuzoi propozimin për paqe të bizantinëve.
I gjithë populli, të mëdhenj e të vegjël, i luteshin Zotit, për të mbrojtur qytetin. Patriku i Konstandinopojës, Sergji, me ikonën e Hyjlindëses në duar, frymëzoi luftëtarët mbrojtës të qytetit, ndonëse të pakët në numër. Të gjithë kërkonin ndërmjetimet e Hyjlindëses. duke e thirrur atë “Përlufteshë Gjenerale”. Dyndjet e sulmeve avare zmbrapseshin nga luftëtarët trima. Papritur, një furtunë e fortë i mbyti anijet armike në det. Kagani, u tërhoq me turp nga rrethimi dhe u largua me flotën e mbetur. Mrekullia, që të gjithë e prisnin tashmë, ishte bërë realitet. Hyjlindësja kishte shpëtuar qytetin. Banorët e Konstandinopojës, u grumbulluan në kishën e Shën Marisë në Vllaherna, ku në shenjë mirënjohjeje e shpresëtarie psalën pa u ulur himnin falenderues të Hyjlindëses. Ky himn, së bashku me disa tropare të tjera, si dhe gjithë përshëndoshjet e Hyjlindëses, që ishin bërë deri më atë kohë, u quajtën “Himni Akathist” – sepse u psal në këmbë. Ky himn këndohet në pesë të premtet e Kreshmës së Madhe.
Meqenëse Irakliu i mundi persët, mbreti i Persisë Sisroe, kërkoi paqe. Irakliu pranoi, me kusht që t’i kthehej Kryqi i Nderuar i Shpëtimtarit Jisu Krisht. Kryqi i Nderuar u kthye me nderime madhështore në Konstandinopojë.